TEMA KRYESORE
Sa vjet mund të jetosh?
HARIETA vdiq në vitin 2006, në moshën 175-vjeçare. Ke të drejtë që habitesh, por Harieta nuk ishte njeri. Ishte breshkë Galapagosi që jetonte në një kopsht zoologjik të Australisë. Po, në krahasim me ne, Harieta jetoi shumë gjatë. Megjithatë, në krahasim me gjallesa të tjera, jetëgjatësia e saj nuk ishte e jashtëzakonshme. Ja disa shembuj.
Sipas studiuesve në Finlandë, midhja e perlave e ujërave të ëmbla jeton deri në 200 vjet.
Goca gërmuese (goca e ngrënshme e oqeanit) shpesh jeton mbi 100 vjet dhe madje është raportuar të ketë jetuar mbi 400 vjet.
Disa pemë jetojnë mijëra vjet, si: një lloj pishe, sekuoja gjigante, disa lloje qiparisi e bredhi.
Por njeriu, që në përgjithësi mendohet të jetë forma më e lartë e jetës në tokë, mezi arrin 80 a 90 vjet
Si mendon: vetëm nja tetë dekada meritojmë të jetojmë? Apo ka ndonjë mundësi që të jetojmë shumë më gjatë? Mjaft veta shpresojnë te teknologjia mjekësore dhe te shkenca.
A mund të ndihmojë shkenca?
Shkenca ka dhënë goxha kontribut në fushën e shëndetësisë dhe të teknologjisë mjekësore. Revista Scientific American thotë: «Është ulur numri i njerëzve [në Shtetet e Bashkuara] që vdesin nga sëmundjet ngjitëse ose ndërlikimet gjatë lindjes. Që nga viti 1960, vdekshmëria e foshnjave ka rënë me 75 për qind.» Sidoqoftë, shkenca nuk e ka zgjatur shumë jetëgjatësinë e të rriturve. Një numër tjetër i Scientific American thotë: «Edhe pas dekadash studimi, plakja mbetet mister.» Gjithsesi «dëshmitë tregojnë se ndoshta plakja ndodh kur programet gjenetike të rritjes prishen». Artikulli vazhdon: «Nëse plakja është kryesisht proces gjenetik, mbase një ditë mund të ndalet.»
«Edhe pas dekadash studimi, plakja mbetet mister»
Gjatë studimit të shkaqeve të plakjes, përfshirë sëmundjet e moshës së shkuar, disa shkencëtarë po eksplorojnë zhvillimet e fundit në një fushë të gjenetikës të quajtur epigjenetikë. Çfarë është epigjenetika?
Qelizat e gjalla kanë informacionin gjenetik që duhet për prodhimin e qelizave të reja. Shumë nga ky informacion gjendet në gjenom, term që i referohet të gjitha gjeneve që përmban ADN-ja. Por, kohët e fundit, shkencëtarët kanë studiuar më thellë një tjetër grup mekanizmash brenda qelizës, epigjenomin, fjalë që mund të ketë kuptimin «mbi gjenomin». Epigjenetika studion këtë grup të mahnitshëm mekanizmash dhe reaksionet e tyre kimike.
Molekulat që përbëjnë epigjenomin nuk ngjajnë fare me ADN-në. ADN-ja i ngjan një shkalle të përdredhur, ose spiraleje të dyfishtë, kurse epigjenomi në thelb është një sistem shenjash ose etiketash kimike që i ngjiten ADN-së. Ç’rol luan epigjenomi? Si dirigjenti i orkestrës, epigjenomi drejton mënyrën si shprehet informacioni gjenetik i ADN-së. Etiketat molekulare aktivizojnë ose çaktivizojnë grupe gjenesh në varësi të nevojave të qelizës dhe të faktorëve të mjedisit, si dieta, stresi dhe toksinat. Zbulimet e fundit për epigjenomin kanë sjellë revolucion të atillë në shkencat biologjike, saqë e lidhin me sëmundje të caktuara e madje me plakjen.
Studiuesja e epigjenetikës, Nesa Keri, thotë: «[Epigjenomi] ndikon te një sërë sëmundjesh, që nga skizofrenia deri tek artriti reumatoid, që nga kanceri deri te dhimbja kronike. . . . Pa dyshim ndikon te plakja.» Prandaj, studimet në epigjenetikë mund të sjellin terapi të efektshme që përmirësojnë shëndetin, luftojnë sëmundjet
Por, pse njerëzit i hyjnë gjithë kësaj pune për të zgjatur jetën? Pse duam të jetojmë pafundësisht? Gazeta britanike The Times pyeti: «Pse ky fiksim universal për t’ia hedhur vdekjes, përmes pavdekësisë, ringjalljes, jetës pas vdekjes ose rimishërimit?» Përgjigjja, siç do ta shohim tani, hedh dritë mbi shkakun e vërtetë të plakjes.
Pse duam të jetojmë përgjithmonë?
Njerëzit i kanë munduar këto pyetje për mijëra vjet. A ka një përgjigje logjike pse duam të jetojmë përgjithmonë? A ka një shpjegim logjik pse trupi ynë ka potencialin të jetojë përgjithmonë? Miliona njerëz do t’u përgjigjeshin me një po ushtuese. Pse? Në Bibël kanë gjetur përgjigjet më bindëse për natyrën njerëzore.
Që në fillim të saj, Bibla e thotë qartë se njerëzit, ndonëse kanë të përbashkëta me krijesat e tjera, ndryshojnë në aspekte themelore. Për shembull, te Zanafilla 1:27 lexojmë se Zoti i krijoi njerëzit sipas shëmbëlltyrës së tij. Në ç’kuptim? Ai na dha aftësinë që të tregojmë dashuri, drejtësi dhe mençuri. Po ashtu, meqë Zoti jeton përgjithmonë, na krijoi edhe ne me dëshirën që të jetojmë përgjithmonë. Ai «ka vënë përjetësinë në zemrën e [njerëzve]», siç thuhet tek Eklisiastiu 3:11.
Dëshmitë se, që në fillim, njerëzit u projektuan që të jetojnë shumë më gjatë se sot, shihen te truri, sidomos te potenciali i tij për të mësuar. Enciklopedia e trurit dhe e çrregullimeve të trurit (anglisht) thotë se aftësia e trurit të njeriut për kujtesën afatgjatë «është thuajse e pakufishme». E pse na u dha kjo aftësi kur nuk arrijmë ta përdorim? Po, në mënyra thelbësore njeriu pasqyron qëllimin fillestar të Perëndisë për njerëzimin. Atëherë pse plakemi, vuajmë e vdesim?
Pse plakemi dhe vdesim?
Burri e gruaja e parë kishin trupa të përsosur dhe vullnet të lirë. Mjerisht e keqpërdorën vullnetin e lirë duke u rebeluar kundër Atij që i krijoi. * (Zanafilla 2:16, 17; 3:6-11) Nga mosbindja ose mëkati i tyre, provuan ndjenja të forta faji e turpi. Gjithashtu, mëkati u dëmtoi trupat duke shkaktuar tatëpjetën e ngadalshme e të pashmangshme të vdekjes. Te 1 Korintasve 15:56 thuhet: «Thumbi që sjell vdekjen, është mëkati.»
Në përputhje me ligjet e trashëgimisë fizike, të gjithë pasardhësit e Adamit e të Evës marrin papërsosmërinë, dhe prirjen mëkatare ose që të gabojnë. Te Romakëve 5:12 thuhet: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm, dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.»
Ç’përfundim nxjerrim nga sa u tha më lart? Që sekreti i jetës së pafundme nuk do të gjendet kurrë në laborator. Vetëm Zoti mund ta zhbëjë dëmin që ka sjellë mëkati. Por, a do ta bëjë këtë? Bibla përgjigjet me një tjetër po të fortë.
«Ai do ta përpijë vdekjen përgjithmonë»
Perëndia tashmë ka bërë një hap shumë të rëndësishëm për të hequr mëkatin e vdekjen. Ai dërgoi Jezu Krishtin që të jepte jetën për ne. Si mund të na ndihmojë vdekja e Jezuit? Ai lindi i përsosur dhe «nuk kreu asnjë mëkat». (1 Pjetrit 2:22) Prandaj e meritonte jetën e përsosur e të pafund si njeri. Çfarë bëri me jetën e përsosur? E dha vullnetarisht që të paguante për mëkatet tona. Po, Jezui e dha jetën «si shpërblesë për shumë njerëz». (Mateu 20:28) Së shpejti shpërblesa do të përdoret në masë të plotë për ne. Ç’kuptim mund të ketë kjo për ty? Mendo për këto shkrime:
«Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.»
—Gjoni 3:16. «Ai do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë.»
—Isaia 25:8. «Armiku i fundit që do të asgjësohet, është vdekja.»
—1 Korintasve 15:26. «Tenda e Perëndisë është me njerëzit. . . . Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje.»
—Zbulesa 21:3, 4.
Sa vjet mund të jetosh? Përgjigjja e Biblës është e qartë: njerëzit mund të kenë shpresën të jetojnë përgjithmonë
Po, dëshira e njerëzve që të jetojnë përgjithmonë është edhe e arsyeshme, edhe e natyrshme. Kështu na ka krijuar vetë Perëndia! Për më tepër, ai do të na e plotësojë këtë dëshirë. (Psalmi 145:16) Por, edhe ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Për shembull, duhet të na shtohet besimi te Perëndia. Hebrenjve 11:6 thotë: «Pa besim është e pamundur t’i pëlqesh [Perëndisë], sepse kush i afrohet Perëndisë, duhet të besojë se ai është dhe se bëhet shpërblyesi i atyre që e kërkojnë me ngulm.» Ky nuk është besim i verbër, por një bindje logjike e bazuar në njohurinë e saktë biblike. (Hebrenjve 11:1) Nëse dëshiron të kesh këtë lloj besimi, të lutemi fol me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde ose vizito sitin tonë në www.mr1310.com/
^ par. 21 Rebelimi i Adamit dhe i Evës ngriti çështje serioze morale që përfshijnë Perëndinë. Këto çështje, që shpjegojnë pse Perëndia e toleron përkohësisht ligësinë, trajtohen në botimin ndihmës për studimin e Biblës Çfarë mëson vërtet Bibla? Lexoje online në www.mr1310.com/