Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 NDIHMË PËR FAMILJEN | MARTESA

Si t’i mbash nën kontroll shpenzimet?

Si t’i mbash nën kontroll shpenzimet?

VËSHTIRËSIA

Sheh llogarinë bankare e faturat dhe zbulon se paratë po të ikin si rëra mes gishtave. Je martuar vetëm nga pak kohë dhe paratë po fluturojnë. Mos e ka fajin burri ose gruaja? Mos u nxito! Mendoni si skuadër, dhe shqyrtoni disa faktorë që mund t’ju kenë çuar të dyve deri në këtë pikë. *

PSE NDODH?

Përshtatja. Nëse jetoje me prindërit para se të martoheshe, ndoshta nuk ke shumë përvojë me pagesat e faturave dhe me ndarjen e shpenzimeve. Një arsye tjetër mund të jetë që ti dhe bashkëshorti keni pikëpamje të ndryshme për paratë. Për shembull, njëri ka prirjen të harxhojë, kurse tjetri të kursejë. Një çifti i duhet kohë të përshtatet dhe të arrijë në një marrëveshje të përbashkët për përdorimin e parave.

Si barërat e këqija në një kopsht, edhe borxhi i lënë pas dore do të rritet pa fund

Zvarritja. Xhimi, që tani është biznesmen i suksesshëm, pranon se kur ishte i sapomartuar, aftësia jo e mirë për t’u organizuar i kushtoi shtrenjtë. Ai thotë: «Ngaqë i lashë pas dore pagesat e faturave, unë dhe gruaja harxhuam mijëra dollarë vetëm me kamatat. Ngelëm pa para!»

Kurthi i «parave të padukshme». Është kollaj ta teprosh me shpenzimet kur nuk i sheh paratë të dalin nga portofoli. Kështu ndodh kur bën shumicën e pagesave me kartë krediti ose debiti, nëpërmjet Internetit dhe bankës elektronike. Ngaqë është kollaj të marrësh hua nga bankat, është kollaj që të sapomartuarit ta kalojnë kufirin.

Cilido qoftë shkaku, paratë mund të dëmtojnë lidhjen e martesës. «Shumë çifte shprehen se paratë janë një problem madhor, pavarësisht sa para kanë,—thotë një libër (Fighting for Your Marriage).—Paraja është mollë sherri.»

 ÇFARË MUND TË BËNI?

Jini të vendosur të bashkëpunoni. Në vend që t’ia hidhni fajin njëri-tjetrit, bashkëpunoni si skuadër për të mbajtur nën kontroll shpenzimet. Vendosni që në fillim se nuk do të lejoni që ky problem të krijojë hendek midis jush.—Parimi biblik: Efesianëve 4:32.

Përcaktoni buxhetin. Mbani shënim të gjitha shpenzimet gjatë një muaji, sado të vogla qofshin. Kjo do t’ju ndihmojë të kuptoni ku ju shkojnë paratë dhe çfarë shpenzimesh janë të panevojshme. «Duhet të ndalosh rrjedhjen,—thotë Xhimi që përmendëm më parë.—Kjo është një shprehje në mjekësi dhe në biznes.»

Bëni një listë të shpenzimeve të nevojshme, përfshirë ushqimet, veshjet, qiratë ose kreditë, shpenzimet e makinës dhe gjëra të tilla. Vërini një «etiketë çmimesh» secilës kategori, duke menduar sa do t’ju kushtojë brenda një kohe të caktuar, për shembull brenda një muaji.Parimi biblik: Luka 14:28.

«Huamarrësi është [skllav] i huadhënësit.»Proverbat 22:7

Ndajini paratë çdo muaj sipas kategorisë (ushqimi, qiraja, karburanti etj.). Disa e bëjnë këtë duke i ndarë paratë në zarfe, një zarf për çdo kategori shpenzimi. * Nëse paratë në një zarf mbarojnë, ata ose nuk harxhojnë më për atë kategori, ose marrin para nga një zarf tjetër.

Shqyrtoni përsëri pikëpamjen që keni për zotërimet. Lumturia nuk varet nga zotërimi i gjërave më të fundit. Në fakt, Jezui tha: «Edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.» (Luka 12:15) Shpesh zakonet që keni në të shpenzuar tregojnë nëse i besoni apo jo këto fjalë.—Parimi biblik: 1 Timoteut 6:8.

Bëni ndryshime. «Gjërat si kanalet kabllore dhe të ngrënët jashtë mund të duken të përballueshme në fillim, por me kalimin e kohës të rëndojnë ekonomikisht,—thotë Aaroni, i martuar prej dy vjetësh.—Na është dashur të mësojmë t’u themi jo disa gjërave, që të jetojmë me aq sa kemi.»

^ par. 4 Megjithëse ky artikull u drejtohet të sapomartuarve, parimet zbatohen për të gjitha çiftet.

^ par. 14 Nëse paguani elektronikisht ose me kartë krediti, mbajini llogaritë me shkrim në secilin zarf.