Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NDIHMË PËR FAMILJEN | TË RINJTË PYESIN

Si ta përballoj vetminë

Si ta përballoj vetminë

VËSHTIRËSIA

«Kisha dy shoqe që i bënin gjërat bashkë, ndërsa mua më mënjanonin. Shpesh dëgjoja sa bukur ia kalonin. Një herë telefonova në shtëpinë e njërës shoqe kur ishte me shoqen tjetër. Telefonin e ngriti dikush tjetër, por arrita t’i dëgjoja teksa flitnin e qeshnin. Vetëm ngaqë i dëgjova të kënaqeshin, u ndjeva edhe e vetmuar seç isha.»—Meri. *

Je ndier ndonjëherë i mënjanuar a i vetmuar? Nëse po, Bibla jep këshilla që mund të të ndihmojnë. Së pari, të shqyrtojmë ca gjëra që duhet të dish për vetminë.

ÇFARË DUHET TË DISH?

Thuajse kushdo ndihet i vetmuar ndonjëherë. Këtu futen edhe tipat që duken të shoqërueshëm. Pse? Ngaqë shpesh ajo që përcakton nëse dikush ndihet i vetmuar nuk është sasia e miqve, por cilësia e miqësive. Dikush që duket i shoqërueshëm mund të jetë vazhdimisht mes njerëzve, ama nuk ka miq të vërtetë.

Vetmia mund të të rrezikojë shëndetin. Studiuesit që analizuan rezultatet e 148 anketave arritën në përfundimin se lidhjet shoqërore të dobëta janë tregues i vdekjes së parakohshme, si edhe rrezik «dy herë më i madh se dhjamosja» e «i barabartë me 15 cigare në ditë».

Vetmia mund të të bëjë të brishtë. Në fakt, nga vetmia mund të arrish deri aty sa të pranosh këdo si mik. Një i ri me emrin Alan thotë: «Kur ndihesh i vetmuar, vdes për vëmendje. Mbase fillon të mendosh se më mirë të kesh vëmendjen e cilitdo qoftë, sesa të mos kesh fare vëmendje. Dhe kjo mund të të sjellë telashe.»

Teknologjia nuk e shëron vetminë. Një e re me emrin Natali, pohon: «Mund t’u shkruash një mesazh ose email qindra vetave e prapë të ndihesh tmerrësisht e vetmuar.» Tejlëri, një adoleshent, ndihet po njësoj: «Mesazhet janë si një vakt i lehtë, ndërsa takimi ballë për ballë është si një vakt i plotë. Vaktet e lehta të shijojnë, mirëpo ke nevojë për një vakt të plotë që të ngopesh tamam.»

Ç’MUND TË BËSH?

Mendo më të mirën. Për shembull, mendo sikur ke hyrë në një sit dhe po sheh foto të miqve në një rast ku ti nuk ishe i ftuar. Duhet të zgjedhësh: ose të arrish në përfundimin se të kanë shpërfillur qëllimisht, ose të jesh pozitiv. Ti s’i di të gjithë faktorët që përfshihen, ndaj s’ke pse të mendosh më të keqen. Në vend të kësaj, përpiqu të mendosh për një arsye më të mirë për mënjanimin. Shpesh ndjenjat e vetmisë nuk varen nga rrethanat, por nga pikëpamja jote.—Parimi biblik: Proverbat 15:15.

Shmang pohimet përgjithësuese. Kur je i vetmuar, mbase mendon «kurrë nuk më ftojnë» ose «gjithmonë më shmangin». Por, këto pohime vetëm sa do të të mbyllin gjithnjë e më tepër në guaskën e vetmisë. Mendime të tilla mund të krijojnë një rreth vicioz: ndihesh i mënjanuar, e kështu vetizolohesh e provon vetminë, e cila të bën të ndihesh i mënjanuar.—Parimi biblik: Proverbat 18:1.

Ji gati të miqësohesh me ata që janë më të mëdhenj se ti. Bibla flet për jetën e Davidit, që ka të ngjarë të ketë qenë adoleshent kur takoi Jonatanin, i cili ishte 30 vjet më i madh. Pavarësisht nga diferenca në moshë, Davidi e Jonatani u bënë miq për kokë. (1 Samuelit 18:1) Mund të ndodhë po njësoj edhe me ty. Kiara, 21 vjeçe thotë: «Kohët e fundit kam çmuar vlerën e miqve më të mëdhenj se unë. Kam disa miq shumë të shtrenjtë që janë dekada më të mëdhenj, dhe sinqerisht e vlerësoj pjekurinë dhe qëndrueshmërinë e tyre.»—Parimi biblik: Jobi 12:12.

Çmo të mirat e vetmisë. Disa ndihen të vetmuar me t’u gjendur fillikat. Por s’ka pse të ndihesh i vetmuar sapo të gjendesh vetëm. Për shembull, Jezui ishte i shoqërueshëm, mirëpo e vlerësonte edhe vetminë. (Mateu 14:23; Marku 1:35) Sa mirë sikur të veprosh edhe ti kështu! Mos e shih si disavantazh vetminë, përkundrazi, kohën e qetë shfrytëzoje që të mendosh me kujdes e plot mirënjohje për bekimet që gëzon. Kjo mund të të bëjë mik edhe më të pëlqyer për të tjerët.Proverbat 13:20.

^ par. 4 Disa emra në këtë artikull janë ndryshuar.