A ËSHTË PROJEKTUAR?
Ingranazhi i karkalecit të bimëve
PREJ kohësh është menduar se ingranazhet janë shpikje e mendjemprehtësisë njerëzore. Por faktet flasin ndryshe. Ingranazhet e ndërfutura janë zbuluar edhe te karkaleci i bimëve (Issus coleoptratus) kur është në fazat e para të zhvillimit. Ai gjendet në kopshtet anembanë Evropës. *
Falë ingranazheve ai mund të arrijë një shpejtësi prej 3,9 metrash në sekondë vetëm në dy të mijtat e sekondës, duke ushtruar një forcë gati sa 200-fishi i forcës së rëndesës. Ai largohet sa hap e mbyll sytë. Për këtë duhet që dy këmbët e pasme të tij të ushtrojnë pikërisht të njëjtën forcë dhe fiks në të njëjtën kohë. Cili është sekreti i kësaj përpikërie?
Shqyrto faktet: Rrëzë dy këmbëve të pasme të këtij karkaleci shkencëtarët kanë zbuluar dy ingranazhe që ndërfuten me njëri-tjetrin. Kur kërcen, këto ingranazhe bëjnë të mundur që të dyja këmbët të sinkronizohen në mënyrë të përsosur. Përndryshe kërcimi i tij do të ishte veçse një rrotullim i pakontrolluar.
Kur gjallesat e tjera më të mëdha kërcejnë, i sinkronizojnë këmbët falë sistemit nervor. Kurse për karkalecin e parritur të bimëve, impulset nervore do të ishin tepër të ngadalta. Prandaj përdor ingranazhet e ndërfutura. Autori dhe studiuesi Gregori Satën thotë: «Zakonisht në mendjen tonë ingranazhet i lidhim me makineritë e bëra nga njeriu.» Sipas tij kjo ndodh sepse «s’kemi vrojtuar sa duhet [gjetkë]».
Si mendon? A erdhi me evolucion ingranazhi i karkalecit të bimëve? Apo është projektuar?
^ par. 3 Ingranazhet bien herën e fundit që karkaleci ndërron lëkurë, kur rritet.