Nuk hoqi dorë nga bindjet e saj
Kur Song Hi ishte 11 vjeçe, e ëma vuri re se shpina e së bijës kishte marrë një harkim jonormal. U diagnostikua me skoliozë, që është një harkim anësor i shtyllës kurrizore në formë C-je ose S-je. Gjendja e saj u keqësua kaq shumë sa ishte e nevojshme të operohej. Por Song Hi nuk donte të bënte transfuzion gjaku. Ajo dha një intervistë për revistën Zgjohuni!
Pasi u diagnostikove me këtë sëmundje, a të ndihmuan dot mjekët?
Për tri vjet isha nën kujdesin e dy mjekëve, por shtylla ime kurrizore vazhdonte të harkohej. Në fakt u harkua kaq shumë sa filloi të më shtypte zemrën e mushkëritë dhe mezi merrja frymë. Prandaj operacioni ishte i pashmangshëm.
A pranove të operoheshe?
Po. Por më thanë që do të ishte i vështirë. Në atë kohë, këndi i harkimit kishte shkuar 116 gradë, që është goxha keq. Megjithatë në rastin tim kishte edhe një problem tjetër. Për shkak të bindjeve fetare të bazuara në Bibël, nuk doja të bëja transfuzion gjaku. *
A gjete ndonjë kirurg që pranoi ta bënte operacionin pa gjak?
Shkova me mamin te një specialist në vendin ku jetoj, në Florida, SHBA. Por, kur i thashë se nuk doja të merrja gjak, m’u përgjigj se asnjë kirurg nuk do ta bënte një operacion aq të vështirë pa gjak. Për më tepër, ai tha se pa operacion nuk do të shkoja as 20 vjeçe. Në atë kohë isha vetëm 14.
A ia the arsyen pse nuk pranoje gjak?
Sigurisht. I shpjegova se bindjet e mia bazoheshin në Bibël dhe se Perëndia e konsideron të shenjtë gjakun, qoftë të njerëzve, qoftë të kafshëve. * Për një izraelit edhe ngrënia e gjakut dënohej me vdekje. * Pastaj i lexova vargjet te Veprat 15:19, 20, ku të krishterëve u jepet urdhri: ‘Rrini larg nga gjaku.’ Kjo do të thotë se ai nuk duhet futur në trup, as nga goja, as nga venat.
Si e priti kirurgu?
Prapë këmbëngulte se do t’i duhej të më bënte transfuzion. Dhe e çuditshmja ishte se, po të pranoja transfuzionin, spitali do të ma bënte operacionin falas.
Goxha ofertë! Çfarë bëtë ti dhe mamaja?
Megjithëse askush nuk pranonte ta bënte operacionin pa gjak, nuk hoqa dorë kurrsesi nga bindjet e mia. Pastaj gjërat u ndërlikuan edhe më shumë. Ligjërisht isha akoma minorene. Prandaj, ngaqë shëndeti im kishte arritur në pikë kritike, çështja përfundoi në gjykatë. Por mirë që prokuroria e Floridës na la 30 ditë kohë të gjenim një kirurg që do të respektonte bindjet e mia.
A gjetët ndonjë?
Po. Komiteti i Lidhjes me Spitalet i Dëshmitarëve të Jehovait më ndihmoi me dashamirësi duke komunikuar me një specialist për skoliozën në Nju-Jork. Ai kishte mendim pozitiv për operacionet pa gjak dhe pranoi të më vizitonte. Kështu gjetëm një kirurg brenda afatit të caktuar nga gjykata. *
Si shkoi operacioni?
Më mirë s’bëhej! Që të më drejtonte shtyllën kurrizore, kirurgu, dr. Robert M. Bërnshtajni, më futi në kurriz shufra elastike. Operacioni u bë në dy faza me një diferencë kohore prej dy javësh.
Pse në dy faza?
Nëse në ndërhyrjen e parë do të humbitja sasi të madhe gjaku, trupi do të kishte dy javë kohë të shtonte rruazat e kuqe para ndërhyrjes së dytë. Faktikisht, në të dyja ndërhyrjet humba shumë pak gjak falë planifikimit të mirë, zotësisë dhe kujdesit deri në detaje të skuadrës që më operoi. Për më tepër e mora veten shpejt, pa ndërlikimet që do të më sillte një transfuzion gjaku. *
A u kënaq me rezultatin kirurgu?
Mjeku duhet të marrë parasysh gjithçka në lidhje me pacientin
Ishte më se i kënaqur! Ai tha: «Detyra e mjekut nuk është vetëm të bëjë operacione.» Sipas tij, mjeku duhet të marrë parasysh gjithçka në lidhje me pacientin, edhe bindjet e parimet e tij. Këtë pikëpamje nuk e mbështetin vetëm Dëshmitarët e Jehovait, por edhe shumë të tjerë.
^ par. 7 Mamaja e Song Hisë është Dëshmitare e Jehovait. Song Hi ka të njëjtat bindje fetare si e ëma dhe u pagëzua në vitin 2012 në moshën 16-vjeçare.
^ par. 17 Komitetet e Lidhjes me Spitalet i ndihmojnë pacientët Dëshmitarë të gjejnë mjekë që u japin kujdesin e duhur mjekësor pa përdorur transfuzion gjaku.
^ par. 21 Në një artikull për rreziqet e transfuzioneve të gjakut, një komision në Australi thotë: «Transfuzioni i gjakut është transplantim i një indi të gjallë. Pas çdo transplantimi, trupi i njeriut priret natyrshëm të reagojë ndaj diçkaje të huaj. Rreziku i ndërlikimeve është jashtë mase i madh.»