Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

NJË VËSHTRIM RRETH BOTËS

Në vëmendje të publikut—Lindja e Mesme

Në vëmendje të publikut—Lindja e Mesme

Lindja e Mesme, dikur vatra e shumë prej qytetërimeve të hershme, është burim i pasur thesaresh arkeologjike.

Verëbërësit kananitë

Më 2013 në territorin e Izraelit të sotëm arkeologët zbuluan një qilar vere gjigant të ndërtuar nga kananitët, që daton rreth 3.700 vjet më parë. Qilari përmbante 40 qypa të mëdhenj që mund të mbanin një sasi të barabartë me 3.000 shishe vere të ditëve tona. Një arkeolog që analizoi mbetjet në këta qypa, vuri re se kananitët ishin verëbërës të kujdesshëm. Ai tha: «Receta e kësaj vere ndiqej me hollësi për secilin qyp.»

A E DINI? Në Bibël përmendet prodhimi ‘i verës më të mirë’ në Izraelin e lashtë dhe ruajtja e saj në qypa të mëdhenj.Kënga e Solomonit 7:9; Jeremia 13:12.

Rritje e vrullshme e popullsisë

Sipas gazetës Guardian, në vitin 2012 në Egjipt lindën 560.000 foshnja më shumë se në vitin 2010. Maged Osmani, punonjës i kompanisë kërkimore Basera në Egjipt, tha: «Ky është numri më i lartë i foshnjave të lindura në të gjithë historinë e Egjiptit.» Sipas disa ekspertëve, nëse rritja vazhdon me këtë ritëm, vendi do të përjetojë mungesa edhe më të mëdha uji, energjie dhe ushqimi.

A E DINI? Bibla tregon se qëllimi i Perëndisë për njerëzit është që ‘të mbushin tokën’ deri në një masë të arsyeshme dhe të gjithë të kenë gjërat e nevojshme për të jetuar.Zanafilla 1:28; Psalmi 72:16.

Zbulohet një grumbull monedhash

Afër një autostrade në Izrael u zbuluan mbi 100 monedha bronzi me mbishkrimin «Viti katër». Ky është viti i katërt i revoltës judaike kundër romakëve (69-70 e.s.) që çoi në shkatërrimin e Jerusalemit. Pablo Betseri, drejtues i gërmimeve arkeologjike, thotë: «Me sa duket dikush kishte merak se mos po vinte fundi—mbase e shihte se ushtria romake po afrohej. Ndaj e fshehu pasurinë me shpresën se do ta merrte prapë më vonë.»

A E DINI? Në vitin 33 të e.s. Jezui paratha rrethimin e Jerusalemit nga Roma. Ai i nxiti të krishterët të iknin në male që të ishin të sigurt.Luka 21:20-24.