Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ËSHTË PROJEKTUAR?

Lëkura përthithëse e hardhucës gjembaçe

Lëkura përthithëse e hardhucës gjembaçe

HARDHUCA gjembaçe e Australisë (Moloch horridus) përthith ujin nga mjegulla, nga lagështia e ajrit dhe nga rëra e njomë. Pastaj e çon këtë ujë në gojë për ta pirë. Si e bën këtë? Sekreti mund të qëndrojë te lëkura e saj çudibërëse.

Hullitë në sipërfaqen e lëkurës lidhen me një rrjet kanalesh brenda lëkurës që uji të shkojë në pjesët anësore të gojës së hardhucës

Shqyrto faktet: Lëkura e kësaj hardhuce është e mbuluar me luspa. Disa shkencëtarë mendojnë se vesa ose bulëzat e ujit të grumbulluara në luspa rrjedhin në sipërfaqen e ashpër të lëkurës dhe futen në kanalet gjysmë të hapura, ose hullitë, që ndodhen midis luspave. Këto kanale janë të ndërlidhura dhe e çojnë ujin në pjesët anësore të gojës së hardhucës.

Por si e tërheq ujin lart kjo hardhucë, nga këmbët, përmes trupit e deri në gojë, duke sfiduar kështu forcën e gravitetit? Dhe si ka mundësi që ajo e përthith lagështirën duke fërkuar barkun në sipërfaqet e lagura?

Siç duket, studiuesit e kanë zbuluar sekretin e kësaj hardhuce. Kanalet në sipërfaqe të lëkurës lidhen me anë të gypthave me një rrjet tjetër kanalesh poshtë, domethënë brenda lëkurës së saj. Falë strukturës së këtyre kanaleve, ndodh dukuria e kapilaritetit, gjatë së cilës uji tërhiqet në hapësira të ngushta, madje duke mposhtur forcën e gravitetit. Pra, lëkura e hardhucës vepron si sfungjeri.

Xhaninë Binjesi, presidente e Institutit të Biomimetikës, thotë se kjo teknologji e përthithjes së lagështirës mund t’i ndihmojë inxhinierët të projektojnë një sistem për të freskuar më mirë godinat dhe për të siguruar ujë të pijshëm duke mbledhur lagështinë e ajrit.

Si mendon? A erdhi me evolucion lëkura përthithëse e hardhucës gjembaçe? Apo është projektuar?