PIKËPAMJA E BIBLËS
Evolucioni
Disa thonë se jeta ka evoluar. Të tjerë mendojnë se Zoti krijoi shkëndijën e parë të jetës dhe pastaj la që procesi i evolucionit të bënte punën e vet. Po Bibla, çfarë thotë?
A e përjashton historia e krijimit në Bibël mundësinë që universi të ketë filluar me Big-Bengun?
Bibla thotë vetëm: «Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» (Zanafilla 1:1) Ajo nuk shpjegon me hollësi në ç’mënyrë Perëndia krijoi gjithçka. Prandaj, edhe sikur universi të ketë ardhur si pasojë e një shpërthimi kozmik, kjo nuk e hedh poshtë atë që thotë Bibla. Përkundrazi, Zanafilla 1:1 i jep përgjigje pyetjes kush e shkaktoi Big-Bengun?
Natyrisht, mjaft shkencëtarë besojnë se Big-Bengu ishte një ngjarje spontane dhe e padrejtuar nga dikush, falë së cilës grimcat e materies u organizuan vetë në yje e planetë gjatë një periudhe kohore. Bibla nuk e përkrah këtë pikëpamje, por thotë se formimi i universit ishte vepër e dorës së Zotit, pavarësisht nëse ai ka përdorur njëfarë shpërthimi kozmik apo ndonjë metodë tjetër krijimi.
«Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.»
—Zanafilla 1:1.
A lë vend Bibla për idenë se gjallesat mund të ndryshojnë me kohë?
Po. Bibla thotë se Zoti i krijoi gjallesat «sipas llojit të vet». (Zanafilla 1:11, 12, 21, 24, 25) A ndodhin variacione brenda një lloji? Po. Megjithatë, a vërteton përshtatja që është vënë re brenda llojit se me kalimin e kohës mund të evoluojnë lloje të reja? Jo.
Të shohim një shembull: në vitet 70 studiuesit vëzhguan trishtilat e ishujve Galapagos. Ata vunë re se trishtilat me sqepa pak më të mëdhenj mbijetuan më lehtë nga ndryshimet e klimës. Disa nxorën përfundimin se kjo vërtetonte teorinë e evolucionit. Por, a ishte vërtet kështu apo ishte thjesht përshtatje? Vite më vonë, trishtilat me sqepa më të vegjël mbizotëronin sërish në numër. Nga ky eksperiment, Xhefri Shvarci, profesor i antropologjisë, nxori përfundimin se, ndonëse përshtatja mund t’i ndihmojë llojet të mbijetojnë gjatë ndryshimit të kushteve, «ajo nuk krijon asgjë të re».
A pajtohet Bibla me teorinë e evolucionit?
Bibla thotë se ‘Perëndia krijoi gjithçka’. (Zbulesa 4:11) Ai nuk ‘pushoi’ derisa e çoi deri në fund krijimin e tij. (Zanafilla 2:2) Ajo që nënkuptohet qartë është: Zoti nuk krijoi një organizëm të thjeshtë e pastaj pushoi, domethënë ndenji duarkryq, ndërkohë që ai organizëm evoluonte gjatë miliona vjetëve në lloje të ndryshme peshqish, majmunësh dhe njerëzish. * Kjo ide, e quajtur makroevolucion, hedh poshtë rolin e një Krijuesi, për të cilin Bibla thotë se «bëri qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në ta».
«Ti je i denjë, o Jehova, Perëndia ynë, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti krijove gjithçka.»
—Zbulesa 4:11.
Për të mësuar më shumë: Bibla thotë për Perëndinë se «cilësitë e tij të padukshme, madje edhe fuqia e tij e përjetshme dhe Hyjnia e tij, shihen qartë që nga krijimi i botës, pasi dallohen nga gjërat e bëra». (Romakëve 1:20) Kur mësojmë për Perëndinë, jeta jonë merr vërtet kuptim sepse ai ka një qëllim të dashur për të gjithë ata që e kërkojnë sinqerisht. (Eklisiastiu 12:13; Hebrenjve 11:6) Për më shumë informacion, vizito www.mr1310.com ose kontakto Dëshmitarët e Jehovait. Shih te MËSIME BIBLIKE > PËRGJIGJE PËR PYETJE BIBLIKE.
^ par. 12 Ndryshe nga ajo që pohojnë kreacionistët, Bibla nuk e përkrah idenë se Zoti e krijoi tokën në gjashtë ditë 24-orëshe. Për më shumë informacion, shih faqet 24-27 të broshurës A u krijua jeta?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Mund ta shkarkosh falas në www.mr1310.com.