Kriza globale e shëndetit mendor
«Gjithmonë ndiej njëfarë ankthi, edhe kur nuk kam arsye.»
«Kur ndihem shkëlqyer, filloj të shqetësohem. Instinktivisht e di se pas një faze ‘euforie’, më pret një zhytje në ‘dëshpërim’.»
«Përpiqem t’i marr ditët një e nga një, por ka raste kur më sulmojnë njëherësh hallet e disa ditëve.»
A e gjen veten te këto shprehje të individëve që luftojnë me çrregullimet e shëndetit mendor? A po kalon ti ose një njeriu yt i dashur një vështirësi të ngjashme?
Ji i sigurt se nuk je vetëm. Shumë njerëz preken nga problemet e shëndetit mendor, qofshin të tyret ose të një personi të dashur.
S’ka dyshim që po jetojmë në «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar», të cilat shkaktojnë shumë lloj vuajtjesh. (2 Timoteut 3:1) Sipas një studimi të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), është llogaritur se 1 në 8 persona lufton me çrregullime të shëndetit mendor. Gjithashtu, si pasojë e pandemisë COVID-19, në 2020-n njerëzit që vuanin nga ankthi ishin rreth 26 për qind më shumë se në 2019-n, dhe ata që vuanin nga depresioni i rëndë ishin rreth 28 për qind më shumë.
Sidoqoftë, shëndetin tonë mendor nuk e përcaktojnë statistikat. Atë e përcakton mënyra si ti dhe njerëzit e tu të dashur ndiheni dhe e jetoni jetën.
Çfarë është shëndeti mendor?
Shëndeti i mirë mendor është një gjendje mirëqenieje ku ndihesh mirë dhe çdo gjë brenda teje funksionon siç duhet. Arrin t’u bësh ballë streseve të përditshme, të jesh produktiv në punë dhe i kënaqur me jetën.
Çrregullimi mendor . . .
-
NUK ËSHTË pasojë e dobësisë së karakterit.
-
ËSHTË një gjendje klinike që shkakton vuajtje të konsiderueshme dhe çrregullim në mënyrën e të menduarit, kontrollimit të emocioneve dhe të të sjellurit.
-
Shpesh mund t’ia bëjë të vështirë dikujt të socializohet me të tjerët dhe të menazhojë përgjegjësitë e jetës së përditshme.
-
Mund të prekë njerëz të çdo moshe, kulture, race, etnie, feje, arsimimi ose niveli ekonomik.
Kërko ndihmë për problemet e shëndetit mendor
Nëse ti ose një personi yt i dashur vëren ndryshime domethënëse e të dallueshme në personalitet, në zakonet e gjumit dhe të të ngrënit, si dhe përjeton shumë ankth e dëshpërim, ndoshta ke nevojë për një ndihmë të specializuar që të përcaktohet dhe të trajtohet shkaku i problemit.
Njeriu më i mençur që ka jetuar ndonjëherë, Jezu Krishti, tha: «Të shëndetshmit nuk kanë nevojë për mjek, kurse të sëmurët, po.» (Mateu 9:12) Ata që kanë probleme me shëndetin dhe marrin trajtimin e medikamentet e duhura mjekësore, arrijnë t’i mbajnë ndjeshëm nën kontroll simptomat dhe të bëjnë një jetë produktive e të kënaqshme. Prandaj është e mençur të mos e vonojnë mjekimin, nëse simptomat janë serioze dhe vazhdojnë për një kohë të gjatë. a
Ndonëse Bibla nuk është një udhëzues mjekësor, përmbajtja e saj mund t’i sjellë dobi shëndetit tonë mendor. Me përzemërsi të ftojmë të shqyrtosh artikujt vijues që trajtojnë si na ndihmon Bibla të përballojmë problemet e shëndetit mendor.
a Kulla e Rojës nuk rekomandon ndonjë trajtim të veçantë. Çdo njeri duhet t’i vlerësojë me kujdes alternativat që ka, para se të marrë vetë një vendim.