BIBLA TË NDRYSHON JETËN
Më jep veç një vit paqe e lumturi
-
LINDUR: 1971
-
VENDI I LINDJES: FRANCË
-
TË DHËNA: U PËRFSHI NË KRIME TË DHUNSHME, IMORALITET DHE DROGË
E KALUARA IME:
Familja ime jetonte në Telankor, një fshat në verilindje të Francës. Babai ishte francez, kurse mamaja italiane. Kur isha tetë vjeç, u transferuam në periferi të Romës, Itali, në një zonë të varfër të klasës punëtore. Atje, jeta familjare u bë e vështirë. Prindërit kishin debate të zjarrta për shkak të problemeve financiare.
Kur isha 15 vjeç, mamaja më nxiste të dilja nga shtëpia e të zija shokë. Kështu, nisa të largohesha nga shtëpia për periudha gjithnjë e më të gjata. S’kaloi shumë dhe rashë në shoqëri të keqe. Një ditë m’u afrua një burrë që dukej miqësor. Ai më ofroi drogë dhe e pranova, sepse doja të dukesha i rritur. Në pak kohë, u futa në botën e drogës e të imoralitetit. Në shumë raste abuzuan me mua seksualisht. Jeta më dukej pa pikë vlere; s’e vrisja mendjen nëse isha i gjallë a i vdekur. Isha i vetmuar sa më s’ka. Në moshën 16-vjeçare u orvata të vrisja veten; piva një shishe me uiski dhe u hodha në një liqen. Përfundova në koma për tri ditë.
Nisa ta vlerësoja jetën, por ndërkohë u bëra i dhunshëm dhe mashtrues. U ofroja të tjerëve seks e drogë në shtëpinë e tyre dhe më pas u vidhja çdo gjë me vlerë. Organizatat e mëdha kriminale më përdornin për të trafikuar drogë në mbarë Italinë. Shpesh, kisha probleme me policinë. Ndonëse besoja se kisha ardhur në ekzistencë për një arsye të vlefshme, jeta më dukej e pakuptimtë dhe jashtë kontrollit. Iu luta Zotit; i kërkova të më jepte veç një vit paqe e lumturi.
SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:
Kur isha 24 vjeç, vendosa të jetoja në Angli. Ngaqë isha pleksur me trafikantët e drogës, jeta ime ishte në rrezik. Para se të largohesha, i bëra një vizitë mamasë dhe u habita kur pashë një burrë që quhej Anunciato Lugará, tek fliste me të për Biblën. * Duke ditur të kaluarën e tij kriminale, më hyri frika dhe e pyeta pse kishte ardhur. Më tregoi sa shumë kishte ndryshuar që të bëhej Dëshmitar i Jehovait dhe më kërkoi t’i premtoja se do të flisja me Dëshmitarët kur të shkoja në Angli. I thashë se do të flisja. Gjithsesi, sapo arrita atje, iu ktheva prapë jetës së mëparshme.
Një ditë, takova një Dëshmitar që po ofronte revistat Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! në një rrugë plot njerëz në Londër. M’u kujtua premtimi që i kisha bërë Anunciatos, prandaj i kërkova Dëshmitarit nëse dikush mund të studionte Biblën me mua.
Mësimet e Biblës më mahnitën vërtet. Për shembull, më preku shkrimi i 1 Gjonit 1:9, i cili thotë për Perëndinë: «Nëse i rrëfejmë mëkatet tona, ai është i besueshëm dhe i drejtë, e kështu do të na i falë mëkatet dhe do të na pastrojë.» Ky varg ndikoi jashtë mase tek unë, sepse ndihesha shumë i papastër për shkak të jetës që bëja. Fillova menjëherë të ndiqja mbledhjet që mbaheshin në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait. Dëshmitarët më pritën me ngrohtësi. Kur pashë sa miqësi të ngushtë kishin me njëri-tjetrin—diçka që e kisha dëshiruar me zjarr—doja të bëhesha pjesë e kongregacionit të tyre që ishte si një familje.
Megjithëse drogën dhe jetën imorale i braktisa pa shumë mund, e kisha tejet të vështirë ta përmirësoja personalitetin. Kuptova se duhej të tregoja respekt dhe konsideratë për të tjerët. Në fakt, po luftoj ende me disa tipare të këqija. Por me ndihmën e Jehovait, kam bërë përparim. Brenda gjashtë muajsh që kur kisha filluar të studioja Biblën, u pagëzova si Dëshmitar i Jehovait. Kjo ndodhi në vitin 1997.
DOBITË:
Pasi u pagëzova, u martova me një vajzë që quhej Barbara. Edhe ajo ishte bërë Dëshmitare e Jehovait në atë kohë. Kur një shok i vjetër pa sa shumë kisha ndryshuar, filloi të studionte Biblën. Me kalimin e kohës, u bë Dëshmitar bashkë me të motrën. Më pas, motra e gjyshes sime, që ishte mbi 80 vjeçe, nisi të studionte dhe u pagëzua para se të vdiste.
Tani shërbej si plak kongregacioni, dhe bashkë me gruan predikojmë 70 orë në muaj, duke ndihmuar italishtfolësit në Londër të mësojnë për Biblën. Ndonjëherë ndihem shumë keq për jetën që bëja më përpara, por Barbara më mbështet tej mase. Më në fund kam jetën e lumtur familjare që kisha dëshiruar gjithmonë. Kam edhe Atin e dashur, mungesën e të cilit e ndieja gjithnjë. I kërkova Zotit një vit paqe e lumturi, por ai më ka dhënë shumë më tepër!
Më në fund kam jetën e lumtur familjare që kisha dëshiruar gjithmonë. Kam edhe Atin e dashur, mungesën e të cilit e ndieja gjithnjë
^ par. 10 Shih artikullin «Bibla të ndryshon jetën—Nuk shkoja gjëkundi pa armë», treguar nga Anunciato Lugará, në Kullën e Rojës, 1 korrik 2014, faqet 8, 9.