Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | PSE TË JESH I NDERSHËM?

Si ndikon te ti pandershmëria?

Si ndikon te ti pandershmëria?

«Pak pandershmëri të nxjerr gjithmonë nga situatat e vështira.»​—Samanta, Afrika e Jugut.

A je dakord me këtë? Ashtu si Samanta, të gjithëve na ka rastisur të përballemi me situata të vështira. Mënyra si reagojmë ndaj situatave që na tundojnë të jemi të pandershëm, mund të zbulojë cilat parime kemi vërtet për zemër. Për shembull, nëse gjëja më e rëndësishme për ne është të mos bëjmë figurë të keqe, ka mundësi që ta konsiderojmë pandershmërinë thjesht si një mjet tjetër për të mbaruar punë. Megjithatë, kur e vërteta del në dritë, pandershmëria sjell shpesh pasoja negative. Shqyrto aspektet e mëposhtme.

PANDERSHMËRIA SHKATËRRON BESIMIN

Marrëdhëniet njerëzore kanë si themel besimin. Kur dy veta i besojnë njëri-tjetrit, ndihen të qetë e të sigurt. Por besimi nuk vjen sa hap e mbyll sytë. Njerëzit e ndërtojnë besimin duke kaluar kohë së bashku, duke komunikuar me ndershmëri me njëri-tjetrin dhe duke vepruar me altruizëm. Megjithatë, mjafton vetëm një veprim i pandershëm që themelet e besimit të rrafshohen. Dhe, kur besimi shkatërrohet, mund të jetë shumë e vështirë të rifitohet.

A të ka mashtruar ndonjëherë dikush që e konsideroje mik të ngushtë? Nëse po, si je ndier? Ka mundësi i lënduar, madje i tradhtuar. Kjo është më se e kuptueshme. S’ka pikë dyshimi se pandershmëria mund të shkatërrojë themelet e marrëdhënieve të vyera.

PANDERSHMËRIA ËSHTË NGJITËSE

Një studim nga Robert Inesi, një profesor ekonomie në Universitetin e Kalifornisë, nxori në pah se «pandershmëria është vërtet ngjitëse». Kështu, ajo mund të krahasohet me një virus​—sa më shumë të kesh të bësh me dikë që është mashtrues, aq më tepër rrezikon «të infektohesh» nga pandershmëria.

Si mund ta shmangësh grackën e pandershmërisë? Bibla mund të të ndihmojë. Të lutemi, shqyrto disa parime biblike.