Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Profeci që janë plotësuar

Profeci që janë plotësuar

Pak më parë përmendëm legjendën e Kresit. I keqinformuar nga orakulli i Delfit, ai u mund nga mbreti i Persisë. Nga ana tjetër, Bibla ka një profeci mbresëlënëse ku përmendet mbreti i Persisë, e cila u përmbush në detajet më të vogla.

Rreth 200 vjet para​—shumë kohë para lindjes së mbretit—​profeti hebre Isaia përmendi me emër Kirin dhe përshkroi si do ta pushtonte qytetin e fuqishëm të Babilonisë.

Isaia 44:24, 27, 28: «Kështu thotë Jehovai . . . Unë jam Ai që u thotë ujërave të thella: ‘Avullohuni dhe të gjithë lumenjtë e tu do t’i thaj’, Ai që thotë për Kirin: ‘Ai është bariu im dhe do të kryejë plotësisht gjithçka që më pëlqen’, madje edhe atë që thashë për Jerusalemin: ‘Do të rindërtohet’, dhe për tempullin: ‘Do të hidhen themelet e tua.’»

Sipas historianit grek, Herodotit, ushtria e Kirit devijoi ujërat e lumit Eufrat i cili kalonte përmes qytetit të Babilonisë. Falë strategjisë së Kirit, trupat ushtarake hynë në qytet përgjatë shtratit të lumit. Pasi pushtoi qytetin, Kiri çliroi judenjtë që kishin qenë robër në Babiloni dhe i lejoi të ktheheshin e të rindërtonin Jerusalemin e shkatërruar prej 70 vjetësh.

Isaia 45:1: «Kështu i thotë Jehovai të mirosurit të tij, Kirit, të cilin e kapi nga dora e djathtë, për të nënshtruar para tij kombe, që të zgjidhë ijët e mbretërve; për të hapur para tij dyert dykanatëshe, që as portat të mos mbyllen.»

Persët u futën në qytet nga dyert e stërmëdha dykanatëshe të murit të qytetit, të cilat ishin lënë hapur nga pakujdesia. Sikur babilonasit ta dinin planin e Kirit, do t’i kishin mbyllur të gjitha portat që lidheshin me lumin. Por, në të vërtetë, qyteti kishte ngelur pa mbrojtje.

Kjo profeci mbresëlënëse s’është veçse një nga dhjetëra profecitë biblike që janë plotësuar pikë për pikë. * Ndryshe nga parashikimet njerëzore, për të cilat shpesh meritën e marrin perënditë e rreme, profecitë e Biblës burojnë nga Ai që shpalli: ‘Unë them përfundimin qysh në fillim dhe që prej shumë kohësh gjërat që ende nuk kanë ndodhur.’​—Isaia 46:10.

Një pohim të tillë mund ta bëjë vetëm Perëndia i vërtetë, i cili quhet Jehova. Sipas disa studiuesve, ky emër do të thotë «Ai shkakton të bëhet». Kjo tregon se ai ka aftësinë të njohë e të drejtojë ngjarjet e së ardhmes në përputhje me vullnetin e tij. Na siguron edhe se Perëndia do të plotësojë se s’bën gjithë sa ka premtuar.

PROFECI QË PO PËRMBUSHEN SOT

A ke dëshirë të dish se çfarë thonë profecitë e Biblës për ditët tona? Rreth 2.000 vjet më parë Bibla paratha se ‘në ditët e fundit do të kishte kohë kritike, të vështira për t’u përballuar’. Ditët e fundit të kujt? As të tokës dhe as të njeriut, por të konflikteve, të shtypjes dhe të vuajtjeve që kanë pllakosur njerëzimin për mijëra vjet. Le të shqyrtojmë vetëm disa nga profecitë që identifikojnë «ditët e fundit».

2 Timoteut 3:1-5: «Në ditët e fundit . . . njerëzit do të jenë të dashuruar me veten, të dashuruar pas parave, mendjemëdhenj, fodullë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pabesë, pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë, tradhtarë, kokëkrisur, të krekosur, kënaqësidashës në vend se perëndidashës, që duket sikur kanë një formë të përkushtimit hyjnor, por në jetën e tyre nuk ndikohen nga fuqia e tij.»

A nuk je dakord edhe ti se po e shohim gjithnjë e më shumë një sjellje të tillë? A e ke vënë re se jemi të rrethuar nga njerëz që janë të dashuruar me veten, pas parave dhe janë të nxitur nga krenaria? A nuk ke parë se njerëzit po bëhen më kërkues dhe më pak të gatshëm të gjejnë gjuhën e përbashkët? S’ka dyshim se edhe ti e dallon sa është përhapur mosbindja ndaj prindërve dhe se njerëzit në përgjithësi duan më shumë kënaqësitë se Perëndinë. Dita-ditës gjërat po bëhen edhe më keq.

Mateu 24:6, 7: «Do të dëgjoni ushtima luftërash dhe lajme luftërash. . . . Do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie.»

Sipas disa përllogaritjeve, që nga 1914-a mbi 100 milionë njerëz kanë vdekur nga luftërat dhe konfliktet e armatosura. Kjo shifër tejkalon popullsinë e shumë vendeve. Imagjino lotët, pikëllimin dhe vuajtjet pas këtij numri kolosal. A kanë zënë mend kombet që t’u japin fund luftërave?

Mateu 24:7: «Do të ketë mungesë ushqimi.»

Në Programin Botëror për Ushqimin thuhej: «Në botë prodhohet mjaftueshëm ushqim për të gjithë, e prapëseprapë, 815 milionë veta​—një në nëntë—​çdo natë flenë me barkun bosh. Akoma më keq, një në tre veta vuan nga ndonjë formë kequshqyerjeje.» Është llogaritur se, çdo vit rreth tre milionë fëmijë humbin jetën nga uria.

Luka 21:11: «Do të ketë tërmete të mëdha.»

Çdo vit bien rreth 50.000 tërmete aq të fuqishme, sa mund të ndihen nga njerëzit. Rreth 100 prej tyre u shkaktojnë dëme të mëdha ndërtesave dhe thuajse çdo vit bie një tërmet shumë i fortë. Sipas një llogaritjeje, nga viti 1975 deri në vitin 2000 kanë humbur jetën 471.000 njerëz për shkak të tërmeteve.

Mateu 24:14: «Ky lajm i mirë për mbretërinë do të predikohet në gjithë tokën e banuar si dëshmi për të gjitha kombet, dhe atëherë do të vijë fundi.»

Dëshmitarët e Jehovait, që tani janë më tepër se tetë milionë, po predikojnë e po japin dëshmi për lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në rreth 240 vende anembanë globit. Ata e predikojnë këtë lajm të mirë si në qytete të mëdha, edhe në fshatra të largëta, si në xhungla, edhe në male. Profecia thotë se kur kjo vepër të kryhet në atë masë që i pëlqen Perëndisë, atëherë «do të vijë fundi». Çfarë nënkupton kjo? Fundin e qeverisjes njerëzore dhe agimin e qeverisjes së Mbretërisë së Perëndisë. Cilat premtime do të plotësohen kur të qeverisë Mbretëria e Perëndisë? Lexo më tej që të marrësh përgjigjen.