Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | KUR TË VDES NJË NJERI I DASHUR

Si ta përballosh pikëllimin

Si ta përballosh pikëllimin

Për këtë temë ka këshilla me bollëk, por nuk janë të gjitha të dobishme. Për shembull, mund të vëresh se disa këshillojnë të mos qash ose të mos i shfaqësh ndjenjat. Të tjerë mund të të nxitin të bësh të kundërtën dhe t’i zbrazësh të gjitha ndjenjat. Bibla tregon një pikëpamje më të ekuilibruar, të cilën studimet e sotme e mbështetin.

Në disa kultura kush qan, nuk është burrë. Por, a duhet të kesh turp të derdhësh lot, madje edhe në sy të të tjerëve? Ekspertë të shëndetit mendor pohojnë se të qash është pjesë normale e pikëllimit. Përveç kësaj, me kalimin e kohës pikëllimi mund të të ndihmojë të vazhdosh përpara, pavarësisht sa e madhe mund të ketë qenë humbja. Por, po ta mbash përbrenda pikëllimin, më shumë do ta dëmtosh veten, sesa do ta ndihmosh. Bibla nuk e mbështet aspak idenë se është e gabuar të qash nga pikëllimi ose se nuk je burrë po të derdhësh lot. Për shembull, mendo për Jezuin. Kur i vdiq miku i shtrenjtë, Lazari, ai qau para të gjithëve, edhe pse kishte fuqinë të ringjallte të vdekurit.​—Gjoni 11:33-35.

Shpesh, pjesë e pikëllimit janë edhe periudhat kur je i zemëruar, sidomos në rastet e një vdekjeje të papritur. Ka shumë arsye pse mund të jesh i zemëruar, si për shembull kur një njeri i respektuar thotë fjalë të pamenduara e të pabaza. Majku, një burrë nga Afrika e Jugut, shpjegon: «Isha vetëm 14 vjeç kur më vdiq babai. Në varrim, prifti anglikan tha se Zotit i duhen njerëzit e mirë, prandaj i merr përpara kohe. * Kjo më zemëroi sepse kishim tmerrësisht nevojë për babanë. Edhe pse kanë kaluar 63 vjet, ende më lëndojnë këto fjalë.»

Ç’mund të thuhet për ndjenjat e fajit? Sidomos në rastin e një vdekjeje të papritur, dikush që i ka vdekur një njeri i dashur mund të mendojë vazhdimisht: «Nuk do të kishte ndodhur po të kisha bërë këtë ose atë.» Ose mbase ke debatuar me të ndjerin kur e takove për herë të fundit. Kjo mund të t’i shtojë ndjenjat e fajit.

Nëse të mundojnë ndjenja të tilla faji dhe zemërimi, është e rëndësishme të mos i mbash përbrenda. Përkundrazi, fol me një mik që të dëgjon vërtet dhe të siguron se këto ndjenja të paarsyeshme janë të zakonshme për shumë njerëz të pikëlluar. Bibla na kujton: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»​—Proverbat 17:17.

Miku më i mirë që mund të ketë një njeri i pikëlluar është Krijuesi ynë, Jehovai. Zbrazja zemrën me anë të lutjes, sepse ‘ai interesohet për ty’. (1 Pjetrit 5:7) Për më tepër, ai premton se të gjithë atyre që veprojnë kështu do t’ua qetësojë mendimet dhe ndjenjat me anë të ‘paqes së Perëndisë, që kapërcen çdo mendim’. (Filipianëve 4:6, 7) Gjithashtu, lejoje Zotin të të ndihmojë të shërohesh nëpërmjet Fjalës së tij ngushëlluese, Biblës. Bëj një listë me shkrime që të japin zemër. (Shih  kutinë shoqëruese.) Madje, disa prej tyre mund t’i mësosh përmendsh. Mendime të tilla do të të ndihmojnë jashtë mase natën kur je vetëm dhe nuk arrin të flesh.​—Isaia 57:15.

Kohët e fundit, një 40-vjeçari që do ta quajmë Xhek, i vdiq gruaja nga kanceri. Xheku thotë se herë pas here ndien një vetmi të thellë, por e ndihmon lutja. Ai shpjegon: «Kur i lutem Jehovait, nuk ndihem kurrë vetëm. Shpesh zgjohem natën dhe nuk më zë më gjumi. Kur lexoj e meditoj për mendimet ngushëlluese nga Shkrimet dhe i zbraz ndjenjat me anë të lutjes, ndiej qetësi dhe më pushton paqja. Kështu, mendja dhe zemra qetësohen e më zë gjumi.»

Një vajze me emrin Vanesa i vdiq mamaja nga një sëmundje. Edhe ajo e ka provuar fuqinë e lutjes. Vanesa thotë: «Në momentet më të vështira, thjesht thosha emrin e Perëndisë dhe shpërtheja në lot. Jehovai m’i dëgjonte lutjet dhe gjithnjë më jepte forcën që më duhej.»

Disa këshilltarë u sugjerojnë atyre që po luftojnë me ndjenjat e pikëllimit, të ndihmojnë të tjerët ose të merren me ndonjë punë vullnetare në komunitet. Kështu do të provojnë gëzim dhe mund të ndihen më pak të pikëlluar. (Veprat 20:35) Shumë të krishterë, të cilëve u ka vdekur një njeri i dashur, janë ngushëlluar goxha duke ndihmuar të tjerët.​—2 Korintasve 1:3, 4.

^ par. 5 Bibla nuk e mëson këtë. Ajo tregon tri shkaqe të vdekjes.​—Eklisiastiu 9:11; Gjoni 8:44; Romakëve 5:12.