A e dini?
A ishte ofendues ilustrimi i Jezuit për «këlyshët e qenve»?
Një herë, kur Jezui ndodhej në provincën romake të Sirisë, jashtë kufijve të Izraelit, iu afrua një grua greke për t’i kërkuar ndihmë. Në përgjigjen e tij, Jezui përfshiu një ilustrim që nënkuptonte se po i krahasonte jojudenjtë me ‘këlyshët e qenve’. Në Ligjin e Moisiut, qentë konsideroheshin kafshë të papastra. (Levitiku 11:27) Por, a donte ta ofendonte Jezui këtë grua greke dhe jojudenjtë e tjerë?
Aspak. Siç u shpjegoi dishepujve, Jezui donte të thoshte se për momentin gjëja parësore ishte të ndihmonte judenjtë. Këtë e ilustroi duke i thënë gruas greke: «Nuk është e drejtë të marrësh bukën e fëmijëve e t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.» (Mateu 15:21-26; Marku 7:26) Në përgjithësi, grekët dhe romakët i donin shumë qentë, i mbanin në shtëpi dhe i linin të luanin me fëmijët. Kështu që shprehja ‘këlyshët e qenve’ mund t’u sillte ndër mend një skenë të ngrohtë e të këndshme. Ajo grua e kuptoi se ku e kishte fjalën Jezui dhe i tha: «Po, Zotëri. Por edhe këlyshët e qenve hanë nga thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.» Jezui e lavdëroi për besimin dhe ia shëroi të bijën.—Mateu 15:27, 28.
A ishte e mençur këshilla e Pavlit për ta shtyrë lundrimin?
Anija me të cilën Pavli po shkonte në Itali çante me vështirësi përmes erërave që i kishte kundër. Gjatë një ndalese, apostulli këshilloi që pjesa e tjetër e udhëtimit të shtyhej për më vonë. (Veprat 27:9-12) A ishte me vend kjo këshillë?
Marinarët në lashtësi e dinin mirë sa e rrezikshme ishte të lundroje në detin Mesdhe gjatë dimrit. Nga mesi i nëntorit deri në mes të marsit lundrimi konsiderohej tejet i rrezikshëm. Megjithatë, Pavli foli për një udhëtim që do të bëhej në shtator ose në tetor. Në librin e tij, Epitome of Military Science, Vegeti, një shkrimtar romak i shekullit të katërt të e.s., shpjegoi për lundrimin në detin Mesdhe: «Disa muaj janë shumë të favorshëm, të tjerë të pasigurt kurse muajt që mbeten, të pamundur.» Vegeti thoshte se lundrimi ishte i sigurt nga 27 maji deri më 14 shtator. Kurse nga 15 shtatori deri më 11 nëntor dhe nga 11 marsi deri më 26 maj ishte e pasigurt ose e rrezikshme të lundroje. S’ka dyshim se Pavli e dinte mirë këtë meqë ishte udhëtar me shumë përvojë. Ka të ngjarë që edhe timonieri me pronarin e anijes t’i dinin këto gjëra, por nuk ia vunë veshin këshillës së Pavlit. Ai udhëtim përfundoi me shkatërrimin e anijes.—Veprat 27:13-44.