Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

TEMA KRYESORE | CILA ËSHTË DHURATA MË E MIRË?

Në kërkim të dhuratës më të mirë

Në kërkim të dhuratës më të mirë

Të gjesh dhuratën ideale, nuk është punë aq e lehtë. Fundja, vlera e dhuratës do të përcaktohet nga marrësi. Dhe, ajo që është shumë e mirë për dikë, mund të mos jetë për një tjetër.

Për shembull, për një adoleshent, pajisja më e fundit elektronike, do të ishte dhuratë fantastike. Nga ana tjetër, një i rritur mund ta çmojë me gjithë zemër një dhuratë me vlerë shpirtërore, si një objekt të trashëguar brez pas brezi. Në disa kultura, dhurata më e parapëlqyer për të rinj e të moshuar janë paratë, pasi marrësi mund t’i përdorë si të ketë qejf.

Pavarësisht nga sfidat, shumë veta që mendojnë për të tjerët, nuk lodhen së kërkuari dhuratën më të përshtatshme për dikë që e kanë për zemër. Mbase jo gjithmonë do të gjesh një dhuratë si kjo, por nëse mban parasysh disa faktorë, ka më shumë të ngjarë t’ia dalësh mbanë. Le të shohim katër prej tyre që mund të të ndihmojnë ta kënaqësh marrësin.

Dëshirat e marrësit. Një burrë në Belfast, Irlanda e Veriut, tha se dhurata më e mirë që kishte marrë ndonjëherë ishte një biçikletë garash që ia kishin dhuruar kur ishte 10 ose 11 vjeç. Pse? Ai shpjegon: «Sepse e doja me gjithë shpirt.» Ky koment tregon se vlerësimi i dhuratës varet shumë nga dëshirat e marrësit. Ndaj mendo për personin që ke qejf t’i bësh një dhuratë. Përpiqu të dallosh çfarë ka vlerë për të, pasi shpesh kjo ndikon te dëshirat e tij. Për shembull, shpesh gjyshërit vlerësojnë kohën që kalojnë me familjen. Mbase kanë dëshirë t’i shohin fëmijët dhe nipërit e mbesat sa më shpesh të jetë e mundur. Ja pse dhurata më e çmuar për ta mund të jetë t’i merrni me vete kur shkoni me pushime.

Që të dallosh dëshirat e dikujt, duhet të jesh një dëgjues i mirë. Bibla na nxit ‘të jemi të shpejtë në të dëgjuar e të mos nxitohemi në të folur’. (Jakovi 1:19) Në bisedat e përditshme me miq a të afërm ji gjithë sy e veshë që të dallosh çfarë u pëlqen e çfarë jo. Kështu do të kesh mundësi t’u bësh një dhuratë që do t’i kënaqë.

Nevojat e marrësit. Marrësi mund ta vlerësojë pa masë edhe dhuratën me të vogël nëse ajo plotëson një nevojë specifike. Por, si ta kuptosh çfarë i duhet?

Duket se mënyra më e lehtë për ta zbuluar, është ta pyesësh se çfarë i duhet ose çfarë ka qejf. Megjithatë, kjo do t’ua hiqte disi kënaqësinë e dhënies atyre që kanë dëshirë të surprizojnë me dhuratën e duhur. Për më tepër, disa s’e kanë problem të flasin hapur për pëlqimet ose mospëlqimet, ama kur vjen puna te nevojat, shpesh janë goxha të rezervuar.

Ndaj ji vëzhgues dhe kushtoju vëmendje të veçantë rrethanave të individit. A është i ri, i moshuar, beqar, i martuar, i divorcuar, i ve, në punë a në pension? Më pas mendo për dhuratat që mund të plotësojnë ndonjë nevojë të tij.

Do të fitosh gjykim të thellë për nevojat e atij që do t’i bësh një dhuratë nëse flet me të tjerë që janë gjendur në rrethana të ngjashme. Mund të të tregojnë për nevoja të veçanta që nuk i dinë të gjithë. Kështu, dhurata jote mund të plotësojë një nevojë që të tjerëve s’do t’u kishte shkuar mendja.

Koha e duhur. Bibla thotë: «Një fjalë në kohën e duhur, oh, sa e mirë është!» (Proverbat 15:23) Ky shkrim tregon sa rëndësi ka koha kur themi diçka. Kjo vlen edhe për veprimet tona. Ashtu si fjalët e thëna në kohën e duhur mund t’i sjellin shumë kënaqësi dëgjuesit, edhe një dhuratë që jepet në kohën e duhur apo në një rast të përshtatshëm mund t’ia shtojë lumturinë marrësit.

Një mik do të martohet. Një i ri diplomohet së shpejti. Një çift i martuar pret një fëmijë. Këto janë vetëm disa raste kur zakonisht jepen dhurata. Disa e kanë më praktike t’i shënojnë rastet speciale të vitit të ardhshëm. Kështu mund të planifikojnë të gjejnë dhuratën që i përshtatet më së miri secilit rast. *

Sigurisht, s’ka pse të japësh dhurata vetëm në raste të veçanta. Mund ta provosh në çdo kohë gëzimin që sjell dhënia. Megjithatë duhet treguar njëfarë kujdesi. Për shembull, nëse një burrë i jep dhuratë një gruaje kur s’ka ndonjë arsye, ajo mund të mendojë se ai dëshiron ta njohë më shumë. Ndaj, nëse ky nuk është qëllimi i vërtetë dhe i përshtatshëm, dhurata mund të krijojë keqkuptime ose probleme. Kjo nxjerr në pah rëndësinë e një faktori tjetër​—motivet e dhënësit.

Motivet e dhënësit. Siç e tregon shembulli më sipër, bëjmë mirë të shqyrtojmë nëse marrësi do t’i keqinterpretonte motivet e dhënësit. Nga ana tjetër, dhënësi do të bënte mirë të analizonte motivet e veta. Edhe pse shumicës së njerëzve u pëlqen të mendojnë se japin me motive të pastra, mjaft veta bëjnë dhurata në periudha të caktuara të vitit ngaqë ndihen nën presion. Ndërsa të tjerë japin me shpresën që t’i mbajnë me hatër ose të marrin diçka në këmbim.

Ç’mund të bësh që të sigurohesh se ke motivin e duhur? Bibla thotë: «Bëjini të gjitha punët tuaja me dashuri.» (1 Korintasve 16:14) Nëse jep i nxitur nga dashuria dhe meraku i sinqertë për marrësin, ka të ngjarë që dhuratat e tua të priten me gëzim dhe të provosh lumturinë e madhe që sjell bujaria e vërtetë. Kur jep nga zemra, kënaq Atin tonë qiellor. Apostulli Pavël i lavdëroi të krishterët në Korintin e lashtë kur ndihmuan bujarisht e me gëzim të bashkëkrishterët në Jude. Ai u tha: «Perëndia do një dhënës të gëzuar.»​—2 Korintasve 9:7.

Po t’u kushtosh vëmendje këtyre faktorëve, do të bësh dhurata që u sjellin lumturi të tjerëve. Këta faktorë dhe të tjerë kanë ndikuar në masën që ka marrë Zoti për njerëzimin, që t’u japë dhuratën më të shkëlqyer. Të ftojmë që të mësosh se çfarë është kjo dhuratë e jashtëzakonshme duke lexuar artikullin tjetër.

^ par. 13 Shumë njerëz japin dhurata edhe për ditëlindje ose për festa fetare. Megjithatë, këto raste shpesh përfshijnë praktika që bien në kundërshtim me mësimet e Biblës. Shih në këtë revistë artikullin «Lexuesit pyesin​—A janë Krishtlindjet për të krishterët?»