Vlerësimin e kujt kërkon?
«Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tuaj dhe dashurinë që treguat për emrin e tij.»—HEBR. 6:10.
1. Cilën dëshirë të natyrshme kemi të gjithë, dhe çfarë përfshin ajo?
SI NDIHESH kur dikush që e njeh dhe e respekton të harron emrin ose, më keq akoma, as që të njeh fare? Kjo mund të jetë shumë shkurajuese. Pse? Sepse të gjithë kemi dëshirën e natyrshme që të tjerët të na pranojnë. Nuk dëshirojmë thjesht që të tjerët të dinë kush jemi; duam edhe të njohin ç’lloj personi jemi dhe të vlerësojnë gjërat që kemi bërë.—Num. 11:16; Jobi 31:6.
2, 3. Si mund të shtrembërohet dëshira që të na vlerësojnë? (Shih figurën hapëse.)
2 Por, ashtu si me shumë dëshira të tjera të natyrshme, dëshira që të na vlerësojnë mund të çekuilibrohet dhe të shtrembërohet nga papërsosmëritë tona. Ajo mund të kthehet në dëshirë të fortë për admirim ose vlerësim të ekzagjeruar nga të tjerët. Bota e Satanait ushqen një dëshirë për famë dhe prestigj që largon vëmendjen nga ai që meriton vërtet vlerësimin dhe adhurimin tonë: nga Ati ynë qiellor, Perëndia Jehova.—Zbul. 4:11.
3 Në kohën e Jezuit, disa krerë fetarë kishin pikëpamje të gabuar për vlerësimin. Jezui i paralajmëroi dishepujt e tij: Luka 20:46, 47) Në kontrast me këtë, Jezui lavdëroi një vejushë të varfër që bëri një kontribut të vogël i cili, siç duket, nuk ra në sy ose nuk u vlerësua nga të tjerët. (Luka 21:1-4) Nuk diskutohet se pikëpamja e Jezuit ishte krejt ndryshe nga pikëpamja e të tjerëve. Ky artikull do të na ndihmojë të mbajmë pikëpamjen e duhur, atë pikëpamje që pranon Perëndia Jehova.
«Ruhuni nga skribët, që dëshirojnë të vijnë vërdallë me petka të gjata, që u pëlqen t’i përshëndetin nëpër sheshe pazari. Ata duan vendet e para në sinagoga dhe kryet e vendit nëpër darka.» Pastaj, ai shtoi: «Ata do të marrin një gjykim më të ashpër.» (FORMA MË E LARTË E VLERËSIMIT
4. Cila është forma më e lartë e vlerësimit, dhe pse?
4 Atëherë, cila është forma më e lartë e vlerësimit që mund të përpiqemi të marrim? Nuk është ajo vëmendje që kërkojnë njerëzit në fushën akademike, në biznes dhe në industrinë e zbavitjes të kësaj bote. Përkundrazi, është ai lloj vlerësimi që Pavli na e përshkruan me këto fjalë: «Tani që keni arritur ta njihni Perëndinë, ose më mirë tani që keni arritur të njiheni nga Perëndia, si vallë ktheheni sërish te gjërat elementare të dobëta e të varfra dhe doni të bëheni prapë skllevër të tyre?!» (Gal. 4:9) Çfarë privilegji i mrekullueshëm është ‘të njihemi nga Perëndia’, nga Sovrani Suprem i universit! Ai është i gatshëm të ketë një marrëdhënie të ngushtë me ne. Siç u shpreh një studiues, «ai përqendron plot dashamirësi te ne vëmendjen e tij». Kur Jehovai na vlerëson si miq të tij, plotësojmë arsyen themelore të ekzistencës sonë.—Ekl. 12:13, 14.
5. Ç’duhet të bëjmë që Perëndia të na njohë?
5 Moisiu e provoi këtë bekim: Jehovai e njohu si mikun e tij. Kur iu përgjërua që ta lejonte t’i njihte më plotësisht udhët e tij, Jehovai iu përgjigj: «Do ta bëj edhe këtë që më the, sepse ti ke gjetur hir në sytë e mi dhe të njoh me emër.» (Dal. 33:12-17) Edhe ne mund të marrim bekime të mrekullueshme kur Jehovai të na njohë personalisht. Por ç’duhet të bëjmë që Jehovai të na njohë? Duhet të zhvillojmë dashuri për të dhe t’i kushtojmë jetën.—Lexo 1 Korintasve 8:3.
6, 7. Për ç’arsye mund ta humbim marrëdhënien tonë me Jehovain?
6 Megjithatë, duhet ta ruajmë marrëdhënien e çmuar që kemi me Atin tonë qiellor. Ashtu si të krishterët e Galatisë të cilëve u shkroi Pavli, edhe ne duhet të tregojmë kujdes që të mos bëhemi skllevër të ‘gjërave elementare të dobëta e të varfra’ të kësaj bote, e kjo përfshin të mos kërkojmë prestigj në botë. (Gal. 4:9) Ata të krishterë të shekullit të parë kishin përparuar deri në atë pikë sa Perëndia i njihte. Mirëpo Pavli tha se po ata vëllezër po ‘ktheheshin sërish’ te gjërat boshe. Me fjalë të tjera, Pavli u tha: «Pasi keni përparuar kaq shumë, pse të ktheheni vallë te gjërat e marra e të kota që latë pas?!»
7 A mund të na ndodhë edhe ne vetë diçka e ngjashme? Po, mundet. Kur njohëm Jehovain, mund të kemi hequr dorë, ashtu si Pavli, nga prestigji e suksesi në botën e Satanait. (Lexo Filipianëve 3:7, 8.) Ndoshta hoqëm dorë nga mundësi për të ndjekur arsimin e lartë, a mbase refuzuam një ngritje në detyrë ose mundësinë për të fituar më shumë pará në botën e biznesit. Talentet tona në muzikë ose aftësitë në sporte mund të na kishin sjellë famë e pasuri, por ne u kthyem shpinën të gjitha këtyre. (Hebr. 11:24-27) Sa e pamend do të ishte t’i shihnim tani këto vendime të mira si ‘shanse të humbura’! Një mënyrë e tillë të menduari mund të na shtyjë të rendim pas disa elementëve të kësaj bote që tashmë e kishim vendosur se ishin gjëra «të dobëta e të varfra». *
FORCO VENDOSMËRINË
8. Çfarë do të na e forcojë vendosmërinë që të kërkojmë vlerësimin e Jehovait?
8 Si mund ta forcojmë vendosmërinë që të kërkojmë vlerësimin e Jehovait dhe jo atë të botës? Duke mbajtur ndër mend dy fakte të rëndësishme. Së pari, Jehovai i kujton dhe i vlerëson gjithmonë ata që i shërbejnë besnikërisht. (Lexo Hebrenjve 6:10; 11:6) Ai e çmon thellë secilin nga shërbëtorët e vet, dhe e quan ‘të padrejtë’ t’i shpërfillë ata që janë besnikë ndaj tij. Jehovai gjithmonë «i njeh ata që i përkasin». (2 Tim. 2:19) Ai «e njeh udhën e të drejtëve» dhe di t’i çlirojë nga sprova.—Psal. 1:6; 2 Pjet. 2:9.
9. Jepni shembuj se si e ka shprehur Jehovai miratimin për popullin e tij.
9 Ndonjëherë Jehovai e ka shprehur miratimin për popullin e tij në mënyra të jashtëzakonshme. (2 Kron. 20:20, 29) Të marrim, për shembull, mënyrën si e shpëtoi Jehovai popullin e tij në Detin e Kuq kur po i ndiqte ushtria e fuqishme e faraonit. (Dal. 14:21-30; Psal. 106:9-11) Aq spektakolare ishte ajo ngjarje, sa njerëzit në atë anë të botës flitnin akoma për të 40 vjet më vonë. (Jos. 2:9-11) Sa shumë marrim zemër kur kujtojmë shfaqje të tilla të dashurisë e të fuqisë së Jehovait tani që kemi para sulmin e parathënë prej kohësh nga Gogu i Magogut! (Ezek. 38:8-12) Në atë kohë, do të jemi shumë të lumtur që kërkuam vlerësimin e Perëndisë tonë e jo atë të botës.
10. Çfarë tjetër duhet të mbajmë ndër mend për vlerësimin që na tregon Jehovai?
10 Gjithashtu duhet të mbajmë ndër mend një fakt të dytë të rëndësishëm: Jehovai mund të na e tregojë vlerësimin e tij në mënyra që ndoshta nuk i presim kurrsesi. Për ata që bëjnë të mira vetëm e vetëm që t’i shohin njerëzit, Jezui tha se nuk do të marrin as edhe një shpërblim nga Jehovai. Pse? Sepse ata e marrin të plotë shpërblimin e tyre kur i lëvdojnë njerëzit. (Lexo Mateun 6:1-5.) Ama Jezui tha se Ati i tij i «sheh në fshehtësi» ata që nuk marrin vlerësimin e merituar për të mirat që u bëjnë të tjerëve. Syrit të tij nuk i shpëtojnë këto vepra, dhe ai e shpërblen gjithsecilin sipas tyre. Megjithatë, ndonjëherë Jehovai na shpërblen në mënyra të papritura. Le të shohim disa shembuj.
JEHOVAI I TREGON VLERËSIM TË PAPRITUR NJË VAJZE TË THJESHTË
11. Si e tregoi Jehovai vlerësimin për Marinë?
11 Kur erdhi koha që Biri i Perëndisë të lindte si njeri, Jehovai zgjodhi një virgjëreshë të thjeshtë, Marinë, që të ishte nëna e atij fëmije të veçantë. Maria jetonte në qytetin e parëndësishëm të Nazaretit, larg Jerusalemit dhe tempullit të tij madhështor. (Lexo Lukën 1:26-33.) Pse u zgjodh Maria për atë privilegj? Engjëlli Gabriel i tha se ‘kishte gjetur hir nga Perëndia’. Maria zbuloi sa e thellë ishte miqësia e saj me Jehovain kur foli më vonë me të afërmen e saj Elizabetën. (Luka 1:46-55) Po, Jehovai e kishte vëzhguar Marinë, dhe ia dha atë privilegj të papritur për shkak të besnikërisë së saj.
12, 13. Si u nderua Jezui kur lindi dhe kur e çuan në tempull 40 ditë më vonë?
12 Më pas, kur Maria lindi Jezuin, Jehovai nuk i tregoi nderim ndonjë zyrtari ose qeveritari të shquar të Jerusalemit dhe Betlehemit duke e njoftuar për atë që kishte ndodhur. Engjëjt iu shfaqën disa barinjve të thjeshtë që po ruanin dhentë në fushat jashtë Betlehemit. (Luka 2:8-14) Pastaj ata barinj shkuan të shihnin foshnjën e sapolindur. (Luka 2:15-17) Çfarë surprize e bukur do të ketë qenë për Marinë dhe Jozefin kur panë se Jezui u nderua në atë mënyrë! Sa i thellë është kontrasti mes mënyrës si vepron Jehovai dhe mënyrës si vepron Djalli! Kur Satanai dërgoi astrologët që të vizitonin Jezuin dhe prindërit e tij, tërë Jerusalemi u turbullua nga lajmi për lindjen e Jezuit. (Mat. 2:3) Lindja e Jezuit u njoftua në mënyrë tepër publike, e kjo çoi si pasojë në vrasjen e shumë fëmijëve të pafajshëm.—Mat. 2:16.
13 Dyzet ditë pas lindjes së Jezuit, kërkohej që Maria t’i paraqiste një flijim Jehovait në tempullin e Jerusalemit, afro 9 kilometra larg Betlehemit. (Luka 2:22-24) Ndërsa udhëtonte me Jozefin dhe Jezuin, Maria mbase vriste mendjen nëse prifti në detyrë do të bënte diçka speciale në shenjë vlerësimi për rolin e Jezuit në të ardhmen. Nderimi erdhi, por jo në atë mënyrë që ndoshta priste Maria. Jehovai përdori Simeonin, një njeri ‘të drejtë, plot nderim për Perëndinë’, dhe profeteshën Ana, një vejushë 84-vjeçare, për të deklaruar se ai fëmijë do të bëhej Mesia i premtuar, ose Krishti.—Luka 2:25-38.
14. Cilat bekime mori Maria nga Jehovai?
14 Ç’të themi për Marinë? A vazhdoi t’i tregonte vlerësimin e duhur Jehovai ngaqë rriti e u kujdes me besnikëri për Birin e tij? Po. Perëndia u sigurua që disa nga gjërat që bëri e tha ajo të dokumentoheshin në Bibël. Me sa duket, gjatë tri viteve e gjysmë të shërbimit të Jezuit, Maria nuk kishte mundësi të udhëtonte me të. Ndoshta ngaqë ishte vejushë, asaj i duhej të qëndronte në Nazaret. Por, ndonëse nuk arriti të gëzonte shumë privilegje, ajo pati mundësi të ishte me Jezuin në kohën kur ai vdiq. (Gjoni 19:26) Më vonë, Maria ishte në Jerusalem bashkë me dishepujt për disa ditë deri në festën e Ditës së Pesëdhjetë kur u derdh fryma e shenjtë. (Vep. 1:13, 14) Ka shumë të ngjarë që ajo u miros bashkë me të pranishmit e tjerë. Nëse ka ndodhur kështu, kjo do të thotë se iu dha mundësia të jetë në qiell me Jezuin për gjithë përjetësinë. Çfarë shpërblimi i mrekullueshëm për shërbimin e saj besnik!
SI E TREGOI JEHOVAI VLERËSIMIN PËR BIRIN E TIJ
15. Si e shprehu Jehovai miratimin për Birin e tij kur ishte në tokë?
15 Jezui nuk ishte i etur për nderime nga udhëheqësit fetarë ose politikë të kohës së tij. Por, sa shumë duhet të ketë marrë zemër kur Jehovai shprehu në tri raste vlerësimin për të duke folur drejtpërdrejt nga qielli! Fill pas pagëzimit të Jezuit në lumin Jordan, Jehovai tha: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.» (Mat. 3:17) Me sa duket, Gjon Pagëzori ishte i vetmi që i dëgjoi ato fjalë bashkë me Jezuin. Më pas, afro një vit para vdekjes së Jezuit, tre nga apostujt e tij dëgjuan Jehovain të thoshte për Jezuin: «Ky është Biri im, i dashuri, të cilin unë e kam miratuar. Dëgjojeni.» (Mat. 17:5) Së fundi, vetëm pak ditë para vdekjes së Jezuit, Jehovai i foli prapë nga qielli Birit të tij.—Gjoni 12:28.
16, 17. Si e nderoi Jehovai Jezuin në një mënyrë të papritur?
16 Edhe pse e dinte se do të kishte një vdekje të turpshme duke u damkosur në mënyrë të rreme si blasfemues, Jezui u lut të bëhej vullneti i Jehovait e jo i tiji. (Mat. 26:39, 42) «Ai duroi një shtyllë torture, e përbuzi turpin», se nuk kërkonte vlerësim nga bota, por vetëm nga Ati i tij. (Hebr. 12:2) Si e tregoi Jehovai vlerësimin për Birin e tij?
17 Kur ishte në tokë, Jezui shprehu dëshirën të kthehej në lavdinë që kishte pasur dikur në qiell me Atin e tij. (Gjoni 17:5) Asgjë nuk tregon se Jezui shpresonte më shumë se aq. Ai nuk priste ndonjë «ngritje në përgjegjësi» në qiell. Por çfarë bëri Jehovai? Ai e nderoi Jezuin në një mënyrë të papritur duke e ringjallur në «një pozitë më të lartë» e duke i dhënë diçka që nuk e kishte marrë askush tjetër deri atëherë—jetën e pavdekshme në qiell! * (Filip. 2:9; 1 Tim. 6:16) Çfarë vlerësimi i mahnitshëm për shërbimin besnik të Jezuit!
18. Ç’do të na ndihmojë të mos kërkojmë miratim nga kjo botë?
18 Çfarë do të na ndihmojë të mos kërkojmë miratim nga kjo botë? Të mos harrojmë kurrë se Jehovai i vlerëson gjithmonë shërbëtorët e tij besnikë dhe se shpesh i shpërblen në mënyra të papritura. Ku i dihet çfarë bekimesh të papritura na presin në të ardhmen? Por tani, teksa përballojmë vështirësitë dhe sprovat e kësaj bote të ligë, le të kujtojmë gjithnjë se kjo botë, dhe çfarëdo vlerësimi e lavdie që ofron ajo, po kalon. (1 Gjon. 2:17) Ati ynë i dashur, Jehovai, ‘nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën tonë dhe dashurinë që tregojmë për emrin e tij’. (Hebr. 6:10) Po, ai do të na e shprehë miratimin e tij—e ndoshta në mënyra që sot as i imagjinojmë dot!