Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

ARTIKULLI I STUDIMIT 8

A ‘ua gëzon zemrën’ të tjerëve kur jep këshilla?

A ‘ua gëzon zemrën’ të tjerëve kur jep këshilla?

«Vaji dhe temjani e gëzojnë zemrën, edhe miqësia e ëmbël që buron nga këshilla të sinqerta.»—PROV. 27:9.

KËNGA 102 «Ndihmoni të dobëtit»

PËRMBLEDHJE *

1-2. Çfarë mësoi një vëlla për rastet kur i duhet të japë këshilla?

 SHUMË vite më parë, dy pleq i bënë një vizitë një motre që mungonte nga ca kohë në mbledhje. Plaku që drejtonte bisedën diskutoi disa shkrime që lidheshin me ndjekjen e mbledhjeve. Ai mendoi se vizita vajti mirë, por ndërsa po largohej bashkë me plakun tjetër, motra u tha: «Ju vëllezër s’e keni fare idenë se çfarë po kaloj unë.» Ata i kishin dhënë këshilla pa e pyetur për problemet dhe rrethanat e saj. Si pasojë, motrës nuk i sollën dobi këshillat e tyre.

2 Kur hedh vështrimin pas, plaku që drejtoi bisedën thotë: «Në atë kohë mendova se motra nuk po tregonte respekt. Por, kur bluajta në mendje ç’kishte ndodhur, e kuptova se kisha menduar për shkrimet e duhura, por nuk kisha menduar si të tregoja interesin e duhur duke bërë pyetje të tilla, si: ‘Si ke qenë këto kohë?’ ‘Si mund të të ndihmoj unë?’» Plaku nxori një mësim me vlerë nga ajo përvojë dhe sot është një bari i dhembshur e i gjindshëm.

3. Cilët mund të japin këshilla në kongregacion?

 3 Si barinj, pleqtë kanë përgjegjësinë të japin këshilla kur është e nevojshme. Por, në disa raste, mund të jetë e nevojshme që edhe të tjerë në kongregacion të japin këshilla. Për shembull, dikush mund t’i japë një këshillë të bazuar në Bibël një miku a një mikeje në kongregacion. (Psal. 141:5; Prov. 25:12) Ose një motër e moshuar mund ‘t’i këshillojë të rejat’ për gjëra si ato që përmenden te Titit 2:3-5. E natyrisht, prindërve u duhet shpesh t’i këshillojnë dhe t’i korrigjojnë fëmijët e tyre. Prandaj, ndonëse ky artikull u drejtohet në veçanti pleqve, të gjithë mund të nxjerrim dobi duke shqyrtuar mënyra si të japim këshilla që janë praktike, që motivojnë dhe që «gëzojnë zemrën».—Prov. 27:9.

4. Çfarë do të shqyrtojmë në këtë artikull?

4 Në këtë artikull do të shqyrtojmë katër pyetje: (1) Cili është motivi i duhur për të dhënë këshilla? (2) A është vërtet e nevojshme këshilla? (3) Kush duhet ta japë këtë këshillë? (4) Si mund të japësh këshilla të efektshme?

CILI ËSHTË MOTIVI I DUHUR?

5. Pse kur një plak e jep këshillën me motivin e duhur, të tjerët e kanë më të lehtë ta pranojnë? (1 Korintasve 13:4, 7)

5 Pleqtë i duan vëllezërit dhe motrat. Në disa raste e tregojnë dashurinë duke këshilluar dikë që po merr një rrugë të gabuar. (Gal. 6:1) Mirëpo, para se ta këshillojë, një plak bën mirë të shqyrtojë disa aspekte të dashurisë për të cilat foli apostulli Pavël. «Dashuria është e duruar dhe plot mirësi. . . . Mban çdo gjë, beson çdo gjë, shpreson çdo gjë, i qëndron çdo gjëje.» (Lexo 1 Korintasve 13:4, 7.) Meditimi për këto vargje nga Bibla do ta ndihmojë plakun të shqyrtojë motivet pse do ta japë këshillën dhe të ketë qëndrimin e duhur kur flet me vëllanë. Nëse ai që merr këshillën e ndien se plaku interesohet sinqerisht për të, do ta ketë më të lehtë ta pranojë këshillën.—Rom. 12:10.

6. Çfarë shembulli të mirë la apostulli Pavël?

6 Apostulli Pavël la një shembull të mirë si plak. Për shembull, ai nuk ngurroi t’i këshillonte vëllezërit në Selanik kur kishin nevojë për këshilla. Gjithsesi, në letrat që u shkroi, së pari i lavdëroi për veprën besnike, për mundin e dashur dhe për qëndrueshmërinë që tregonin. Gjithashtu mendoi për rrethanat e tyre, e me dashuri u tha që e dinte se jeta e tyre nuk ishte e lehtë dhe se po qëndronin besnikë përballë përndjekjeve. (1 Sel. 1:3; 2 Sel. 1:4) U tha edhe se ishin shembull për të tjerët. (1 Sel. 1:8, 9) Patjetër që atyre vëllezërve u gufoi zemra nga lavdërimet e ngrohta të Pavlit! S’ka pikë dyshimi që Pavli i donte me gjithë shpirt vëllezërit. Ja pse këshillat që u dha selanikasve në të dyja letrat, ishin të efektshme.—1 Sel. 4:1, 3-5, 11; 2 Sel. 3:11, 12.

7. Pse dikush mund të reagojë keq ndaj një këshille?

7 Çfarë mund të ndodhë nëse nuk i japim këshillat në mënyrën e duhur? Një plak me përvojë thotë: «Disa reagojnë keq kur marrin një këshillë, jo ngaqë këshilla është e gabuar, por ngaqë nuk u dha me dashuri.» Çfarë mund të mësojmë nga kjo? Është shumë më e lehtë të pranohet një këshillë kur motivi prapa saj është dashuria, jo acarimi.

A ËSHTË VËRTET E NEVOJSHME KËSHILLA?

8. Cilat pyetje duhet t’i bëjë vetes një plak kur vendos nëse duhet ta këshillojë dikë?

8 Pleqtë nuk duhet të nguten të japin këshilla. Një plak duhet të pyesë më parë veten: «A është vërtet e nevojshme të them diçka? A jam i sigurt se ky vëlla po bën diçka të gabuar? A është shkelur ndonjë urdhërim i Biblës? Apo thjesht unë i mendoj gjërat ndryshe?» Me mençuri, pleqtë ‘nuk nxitohen në fjalë’. (Prov. 29:20) Në rast se plaku nuk është i sigurt në është e nevojshme ta këshillojë dikë, mund të rrahë mendimet me një plak tjetër për të kuptuar nëse vëllai po shkel ndonjë parim të Biblës dhe duhet këshilluar.—2 Tim. 3:16, 17.

9. Si na ndihmojnë fjalët e Pavlit kur vendosim nëse është nevojshme ta këshillojmë dikë për veshjen dhe paraqitjen? (1 Timoteut 2:9, 10)

9 Të marrim një shembull. Ta zëmë se një plak është i merakosur për veshjen dhe paraqitjen e një bashkëbesimtari. Plaku mund të pyesë veten: «A ka ndonjë bazë nga Shkrimet për të thënë diçka?» Ngaqë nuk dëshiron të gjykojë sipas opinionit personal, mund të pyesë një plak tjetër ose një lajmëtar të pjekur se çfarë mendon. Së bashku mund të shqyrtojnë këshillat e Pavlit për veshjen dhe paraqitjen. (Lexo 1 Timoteut 2:9, 10.) Pavli dha disa parime të përgjithshme. Ai theksoi se veshja e një të krishteri duhet të jetë e përshtatshme e duhet të tregojë modesti dhe maturi. Megjithatë, Pavli nuk bëri një listë se çfarë lejohet e çfarë ndalohet. Ai e kuptonte se vëllezërit dhe motrat kanë të drejtën të shprehin shijen personale, për sa kohë që kjo është në harmoni me parimet e Biblës. Prandaj, kur vendosin nëse është e nevojshme të jepet një këshillë, pleqtë duhet të shqyrtojnë nëse zgjedhjet që bën një bashkëbesimtar tregojnë modesti dhe gjykim të mirë.

10. Çfarë duhet të mbajmë parasysh në lidhje me zgjedhjet personale?

10 Është e rëndësishme të mbajmë parasysh se dy Dëshmitarë të pjekur mund të bëjnë zgjedhje të ndryshme, e që të dyja të jenë të përshtatshme. Nuk duhet t’u imponojmë bashkëbesimtarëve standardet tona se çfarë është e drejtë dhe çfarë është e gabuar.—Rom. 14:10.

KUSH DUHET TA JAPË KËTË KËSHILLË?

11-12. Nëse është e nevojshme të jepet një këshillë, cilat pyetje duhet t’i bëjë vetes një plak, dhe pse?

11 Nëse duket qartë se është e nevojshme të jepet një këshillë, pyetja tjetër është: kush duhet ta japë këshillën? Para se të këshillojë një motër të martuar ose një të mitur, një plak do të flasë me kryefamiljarin, i cili mund të preferojë të merret vetë me atë çështje. * Ose kryefamiljari mund të kërkojë të jetë i pranishëm kur plaku të japë këshillën. Gjithashtu, siç u përmend në  paragrafin 3, në disa raste mund të jetë më mirë që një motër të re ta këshillojë një motër e moshuar.

12 Një plak duhet të peshojë mirë edhe diçka tjetër. Ai mund të pyesë veten: «A jam personi më i përshtatshëm për ta dhënë këtë këshillë, apo do të pritej më mirë po ta jepte dikush tjetër?» Për shembull, dikush që lufton me ndjenjat e pavlefshmërisë mund ta pranojë më lehtë një këshillë nëse vjen nga një plak që ka bërë të njëjtën luftë. Plaku që ka përjetuar ndjenja të ngjashme ka shumë mundësi të ketë më tepër empati dhe t’i thotë gjërat në një mënyrë që ia bën më të lehtë vëllait a motrës. Sidoqoftë, të gjithë pleqtë kanë përgjegjësinë t’i inkurajojnë dhe t’i motivojnë vëllezërit e motrat për të bërë një ndryshim që e kërkojnë Shkrimet. Pra, kur është e nevojshme të jepet një këshillë, ajo që ka më shumë rëndësi është të jepet këshilla, edhe nëse plaku nuk ka kaluar të njëjtat gjëra në jetë.

SI MUND TË JAPËSH KËSHILLA TË EFEKTSHME?

Pse duhet të jenë ‘të shpejtë për të dëgjuar’ pleqtë? (Shih paragrafët 13-14)

13-14. Pse është e rëndësishme që një plak të jetë i gatshëm të dëgjojë?

13 Ji i gatshëm të dëgjosh. Kur ka ndër mend të japë një këshillë, një plak duhet të pyesë veten: «Çfarë di për rrethanat e këtij vëllai? Çfarë po kalon? Mos po përballon ndonjë problem që nuk e di? Për çfarë ka më shumë nevojë në këto momente?»

14 Parimi i Jakovit 1:19 pa dyshim që vlen për ata që japin këshilla. Jakovi shkroi: «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë për të dëgjuar, të mos nxitohet për të folur e të mos zemërohet shpejt.» Një plak mund të mendojë se i di të gjitha faktet, por a i di vërtet? Proverbat 18:13 na kujton: «Kush përgjigjet për një çështje para se ta dëgjojë, është i marrë dhe turpëron veten.» Më e mira është ta mësojmë drejtpërdrejt nga vëllai a motra si i ka rrethanat. Prandaj duhet të dëgjojmë para se të flasim. Të kujtojmë mësimin që nxori plaku i përmendur në fillim të artikullit. Ai e kuptoi se, në vend që ta niste vizitën me materialin e përgatitur, duhej t’i kishte bërë motrës pyetje të tilla, si: «Si ke qenë këto kohë?» «Si mund të të ndihmoj unë?» Nëse pleqtë lënë kohë të interesohen për rrethanat e vëllezërve e motrave, ka më shumë gjasa t’i ndihmojnë dhe t’u japin zemër.

15. Si mund ta zbatojnë pleqtë parimin e Proverbave 27:23?

15 Njihi më mirë delet. Siç u përmend në fillim të artikullit, për të dhënë këshilla të efektshme nuk mjafton thjesht të lexojmë ca shkrime ose të japim nja dy sugjerime. Vëllezërit dhe motrat duhet ta ndiejnë se interesohemi nga zemra për ta, se i kuptojmë dhe se duam t’i ndihmojmë. (Lexo Proverbat 27:23.) Pleqtë duhet të bëjnë çmos të zhvillojnë miqësi të ngrohta me vëllezërit e motrat.

Çfarë mund t’ua bëjë më të lehtë pleqve të japin këshilla? (Shih paragrafin 16)

16. Çfarë do t’i ndihmojë pleqtë të japin këshilla të efektshme?

16 Pleqtë nuk duan të japin aspak përshtypjen se u intereson thjesht të bëjnë detyrën dhe se flasin me vëllezërit vetëm kur duhet trajtuar ndonjë problem. Në vend të kësaj, pleqtë bisedojnë rregullisht me vëllezërit e motrat dhe tregojnë se merakosen nga zemra për ta ndërsa kalojnë probleme. «Nëse vepron kështu, do të bëhesh mik me ta,—thotë një plak me përvojë.—Pastaj, kur të lindë nevoja të japësh këshilla, do ta kesh shumë më të lehtë të këshillosh.» E ai që merr këshillën, do ta ketë shumë më të lehtë ta pranojë.

Pse duhet të tregojë durim dhe dashuri një plak kur jep këshilla? (Shih paragrafin 17)

17. Veçanërisht në cilat raste duhet të tregojë durim dhe dashuri një plak?

17 Trego durim dhe dashuri. Nevojitet durim dhe dashuri sidomos kur dikush nuk i pranon në fillim këshillat e bazuara në Bibël. Një plak duhet të bëjë kujdes të mos acarohet nëse këshilla e tij nuk pranohet ose nuk zbatohet menjëherë. Jezui plotësoi këtë profeci: «Ai nuk do ta dërrmojë kallamin e thyer dhe nuk do ta shuajë fitilin që ende nxjerr tym.» (Mat. 12:20) Prandaj, në lutjet personale, plaku mund t’i kërkojë Jehovait ta bekojë atë që ka nevojë për këshilla, ta ndihmojë të kuptojë arsyet pse po jepet ajo këshillë dhe ta zbatojë. Vëllait që merr këshillën mund t’i duhet kohë për ta bluar në mendje atë që u tha. Nëse plaku tregohet i duruar dhe i dashur, vëllai që po përpiqet të ndihmojë nuk do të pengohet nga mënyra si jepet këshilla, por do të përqendrohet tek ajo që po thuhet. S’do mend, këshillat duhet të bazohen gjithmonë te Fjala e Perëndisë.

18. (a) Çfarë duhet të mbajmë parasysh kur japim këshilla? (b) Siç tregon figura e kutisë, çfarë po shqyrtojnë prindërit?

18 Mëso nga gabimet e tua. Për sa kohë të jemi të papërsosur, nuk do t’i zbatojmë dot në mënyrë të përkryer sugjerimet e këtij artikulli. (Jak. 3:2) Do të bëjmë gabime, por kur të ndodhë kjo, të përpiqemi të mësojmë prej tyre. Nëse vëllezërit dhe motrat e ndiejnë se i duam, ka shumë mundësi ta kenë më të lehtë të na falin kur i fyejmë me diçka që themi a që bëjmë.—Shih edhe kutinë « Dy fjalë për prindërit».

ÇFARË KEMI MËSUAR?

19. Si mund t’ua gëzojmë zemrën vëllezërve dhe motrave?

19 Siç e kemi parë, nuk është e lehtë të japim këshilla të efektshme. Jemi të papërsosur, e po ashtu janë edhe ata që këshillojmë. Mbaj parasysh parimet që kemi shqyrtuar në këtë artikull. Sigurohu që këshillën ta japësh me motivin e duhur. Sigurohu edhe nëse është vërtet e nevojshme të jepet një këshillë dhe nëse je personi i duhur për ta dhënë atë këshillë. Para se të japësh këshilla, bëj pyetje dhe dëgjo me vëmendje, që të kuptosh se çfarë po kalon tjetri. Përpiqu t’i shohësh gjërat nga këndvështrimi i tij. Trego dashuri e takt dhe zhvillo miqësi të ngrohta me vëllezërit e motrat. Mos harro synimin: duam që këshillat të jenë jo vetëm të efektshme, por edhe ‘të gëzojnë zemrën’.—Prov. 27:9.

KËNGA 103 Pleq, jeni dhuratë nga Jehovai

^ par. 5 Të japësh këshilla nuk është gjithnjë e lehtë. Megjithatë, kur lind nevoja të këshillojmë dikë, si mund ta japim këshillën në një mënyrë që tjetri të nxjerrë dobi dhe të inkurajohet? Ky artikull do të ndihmojë në veçanti pleqtë që t’i bëjnë thirrje zemrës së atyre që këshillojnë.

^ par. 11 Shih artikullin «Kupto dhe respekto parimin e kryesisë në kongregacion» në Kullën e Rojës të shkurtit 2021.