Pyetje nga lexuesit
Kush është ‘gruaja’ e përmendur tek Isaia 60:1 dhe si ‘ngrihet’ e ‘shkëlqen’ ajo?
Isaia 60:1 thotë: «Ngrihu, o grua, e shkëlqe, sepse drita jote ka ardhur. Lavdia e Jehovait shndrit mbi ty.» Konteksti tregon se ‘gruaja’ ishte Sioni, ose Jerusalemi, kryeqyteti i Judës në atë kohë. a (Isa. 60:14; 62:1, 2) Ai qytet paraqiste mbarë kombin e Izraelit. Nga fjalët e Isaisë lindin dy pyetje: së pari, kur dhe si ‘u ngrit’ e ‘shkëlqeu’ Jerusalemi? Së dyti, a kanë një përmbushje më të madhe fjalët e Isaisë?
Kur dhe si ‘u ngrit’ e ‘shkëlqeu’ Jerusalemi? Gjatë mërgimit të judenjve në Babiloni për 70 vjet, Jerusalemi dhe tempulli i tij ishin katandisur në rrënoja. Por pasi Babiloninë e pushtuan medët dhe persët, izraelitët anekënd Perandorisë Babilonase ishin të lirë të ktheheshin në vendin e tyre e të rivendosnin adhurimin e vërtetë. (Ezd. 1:1-4) Kështu, në vitin 537 p.e.s. u kthye një mbetje besnike nga të 12 fiset. (Isa. 60:4) Ata filluan të bënin flijime për Jehovain, të kremtonin festat dhe të rindërtonin tempullin. (Ezd. 3:1-4, 7-11; 6:16-22) Lavdia e Jehovait shndriti sërish mbi Jerusalemin—pra mbi popullin e Perëndisë të kthyer në atdhe. E duke reflektuar dritën e Tij, ata u bënë burim drite për kombet që ishin në errësirë ngaqë nuk e njihnin Jehovain.
Gjithsesi, profecitë e Isaisë për rivendosjen u përmbushën vetëm pjesërisht te Jerusalemi i lashtë. Shumica e izraelitëve nuk vazhduan t’i bindeshin Perëndisë. (Neh. 13:27; Mal. 1:6-8; 2:13, 14; Mat. 15:7-9) Madje më vonë hodhën poshtë Mesinë, Jezu Krishtin. (Mat. 27:1, 2) Në vitin 70 të e.s. Jerusalemi dhe tempulli i tij u shkatërruan për herë të dytë.
Jehovai e kishte parathënë atë fund tragjik. (Dan. 9:24-27) Pra, ai nuk kishte si qëllim që Jerusalemi tokësor të plotësonte çdo aspekt të profecive për rivendosjen të dokumentuara në kapitullin 60 të Isaisë.
A kanë një përmbushje më të madhe fjalët e Isaisë? Po, por në lidhje me një grua tjetër simbolike—‘Jerusalemin lart’. Apostulli Pavël shkroi për të: «Është nëna jonë.» (Gal. 4:26) Jerusalemi lart është pjesa qiellore e organizatës së Perëndisë e përbërë nga krijesa besnike në qiell. Fëmijët e saj janë Jezui dhe 144.000 të krishterët e mirosur, që kanë shpresë qiellore ashtu si Pavli. Të mirosurit formojnë një ‘komb të shenjtë’—«Izraelin e Perëndisë».—1 Pjet. 2:9; Gal. 6:16.
Si ‘u ngrit’ dhe ‘shkëlqeu’ Jerusalemi lart? Nëpërmjet fëmijëve të saj, të mirosurve në tokë. Të vërejmë ngjashmërinë mes eksperiencave të tyre dhe asaj që ishte profetizuar në kapitullin 60 të Isaisë.
Të krishterët e mirosur duhej ‘të ngriheshin’ sepse ishin zhytur në errësirë që pas përhapjes së egjrave, ose apostazisë së parathënë, në shekullin e dytë të e.s. (Mat. 13:37-43) Kështu ishin bërë robër të Babilonisë së Madhe, perandorisë botërore të fesë së rreme. Të mirosurit mbetën nën robërinë e saj deri «në përfundim të sistemit», një periudhë që filloi në vitin 1914. (Mat. 13:) Pak më pas, në 1919-n, u çliruan dhe menjëherë nisën të shkëlqenin duke u dhënë me mish e me shpirt pas veprës së predikimit. 39, 40 b Në rrjedhën e viteve, te drita e tyre kanë shkuar njerëz nga të gjitha kombet, duke përfshirë edhe mbetjen e Izraelit të Perëndisë—«mbretërit» e përmendur tek Isaia 60:3.—Zbul. 5:9, 10.
Në të ardhmen, të krishterët e mirosur do ta pasqyrojnë akoma më madhërisht dritën e Jehovait. Si? Kur përfundojnë jetën e tyre në tokë, ata bëhen pjesë e ‘Jerusalemit të Ri’, ose e nuses së Krishtit, që përbëhet nga 144.000 mbretër e priftërinj.—Zbul. 14:1; 21:1, 2, 24; 22:3-5.
Jerusalemi i Ri do të luajë një rol vendimtar në plotësimin e Isaisë 60:1. (Krahaso Isainë 60:1, 3, 5, 11, 19, 20 me Zbulesën 21:2, 9-11, 22-26.) Ashtu si Jerusalemi tokësor që ishte selia e qeverisë në Izraelin e lashtë, edhe Jerusalemi i Ri bashkë me Krishtin do të jetë qeveria e sistemit të ri. Në ç’kuptim ‘zbret nga qielli, nga Perëndia’, Jerusalemi i Ri? Në kuptimin që e drejton vëmendjen te njerëzimi në tokë. Njerëz nga të gjitha kombet që e nderojnë thellësisht Perëndinë, «do të ecin me anë të dritës së qytetit». Ata do të çlirohen një herë e mirë nga mëkati dhe vdekja. (Zbul. 21:3, 4, 24) Rezultati do të jetë ‘rivendosja [e plotë] e të gjitha gjërave’, ashtu siç parathanë Isaia dhe profetë të tjerë. (Vep. 3:21) Kjo rivendosje madhështore filloi kur Krishti u bë Mbret dhe do të mbarojë në fund të Mbretërimit të tij Mijëvjeçar.
a Tek Isaia 60:1, Përkthimi Bota e Re përdor fjalën «grua», dhe jo «Sion» ose «Jerusalem», sepse foljet hebraike të përkthyera «ngrihu» dhe «shkëlqe» janë në gjininë femërore, e po ashtu është përemri «ty». Fjala «grua» e ndihmon lexuesin shqipfolës të kuptojë se këto fjalë i drejtohen një gruaje simbolike.
b Rivendosja e adhurimit të vërtetë që ndodhi në vitin 1919 përshkruhet edhe tek Ezekieli 37:1-14 dhe Zbulesa 11:7-12. Ezekieli paratha kthimin në jetë të të gjithë të krishterëve të mirosur pas një periudhe goxha të gjatë robërie. Profecia e Zbulesës flet për kthimin në jetë të një grupi të vogël të mirosurish, që kanë marrë drejtimin pas një periudhe të shkurtër joaktiviteti për shkak të burgosjes së padrejtë. Më 1919 ata u emëruan si «skllavi besnik dhe i mençur».—Mat. 24:45; shih librin Jehovai rivendos adhurimin e pastër!, f. 118.