Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

E kemi kujtuar Krijuesin tonë që nga rinia

E kemi kujtuar Krijuesin tonë që nga rinia

Jetëshkrim

E kemi kujtuar Krijuesin tonë që nga rinia

TREGUAR NGA DAVID Z. HIBSHMAN

«Nëse kam arritur në fund të jetës sime, shpresoj me gjithë zemër t’i kem qenë besnike Jehovait. I lutem që të kujdeset për Davidin tim. Të falënderoj Jehova për të dhe për martesën tonë. Kaq e mrekullueshme, kaq e lumtur!»

IMAGJINONI ndjenjat e mia kur gjeta këto fjalë të fundit në ditarin e gruas sime, pas varrimit të saj në mars të vitit 1992. Vetëm pesë muaj më parë, kishim festuar 60-vjetorin e Helenës në shërbimin e plotkohor.

E kam të qartë në mendje atë ditë, në vitin 1931, kur isha ulur afër Helenës në kongresin në Kolumbus, Ohajo, SHBA. Helena nuk i kishte mbushur ende të katërmbëdhjetat, por e vlerësonte rëndësinë e asaj ngjarjeje më shumë se unë. Entuziazmi i Helenës për shërbimin u bë i dukshëm pak kohë më pas, kur ajo dhe nëna e saj (e mbetur e ve) u bënë pioniere, siç quhen mes Dëshmitarëve të Jehovait ungjillëzuesit në kohë të plotë. Ato hoqën dorë nga shtëpia e tyre e rehatshme, për të predikuar në zonat fshatare të jugut të Shteteve të Bashkuara.

Trashëgimia ime e krishterë

Në vitin 1910, prindërit e mi, që në atë kohë kishin dy fëmijë të vegjël, u transferuan nga Pensilvania Lindore në Grouv Siti, në pjesën perëndimore të shtetit. Atje blenë një shtëpi të thjeshtë dhe u bënë anëtarë aktivë të Kishës së Reformuar. Pak kohë më pas, patën një vizitë nga Uilliam Evans, një Student i Biblës, siç quheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Babai, i cili në atë kohë ishte rreth të njëzetepesave dhe nëna, e cila ishte pesë vjet më e re, e dëgjuan me vëmendje këtë njeri të dashur nga Uellsi dhe e ftuan të qëndronte për të ngrënë. Shumë shpejt ata i përqafuan të vërtetat biblike që po mësonin.

Për të qenë më afër kongregacionit, babai e transferoi familjen rreth 40 kilometra më larg, në qytetin Sharon. Disa muaj më vonë, në vitin 1911 ose 1912, babai dhe mamaja u pagëzuan. Fjalimin e pagëzimit e mbajti Charles Taze Russell, presidenti i parë i Shoqatës Watch Tower. Unë linda më 4 dhjetor 1916, kur prindërit e mi kishin tashmë katër fëmijë. Në momentin e lindjes sime, u njoftua: «Një vëlla tjetër për ta dashur.» Nga kjo erdhi edhe emri im, David, që do të thotë «I dashur».

Kur isha vetëm katërjavësh, më morën me vete në kongresin që për mua ishte i pari. Ato ditë të hershme, babai me vëllezërit e mi më të mëdhenj ecnin në këmbë për disa kilometra, për të shkuar në mbledhjet e kongregacionit, kurse mamaja na merrte, mua dhe motrën, në tramvaj. Mbledhjet përbëheshin nga një sesion paradite dhe një sesion pasdite. Në shtëpi, biseda përqendrohej shpesh në artikuj të Kullës së Rojës dhe të revistës Epoka e artë, që ishte emri i mëparshëm i revistës Zgjohuni!

Nxjerr dobi nga shembuj të shkëlqyer

Kongregacionin e vizitonin shumë pelegrinë, siç quheshin atëherë oratorët udhëtues. Zakonisht ata kalonin një ose dy ditë me ne. Një orator që më ka mbetur në mendje ishte Uoltër J. Thorn, i cili e kishte kujtuar Krijuesin e tij të Madh në ‘ditët e rinisë së tij’. (Predikuesi 12:1) Kur isha djalë i vogël, shoqëroja babanë për t’u paraqitur njerëzve «Fotodramën e Krijimit», një prezantim katërpjesësh me figura dhe zë, që fliste për historinë e njerëzimit.

Ndonëse vëllai Evans me gruan e tij, Miriamin, nuk kishin fëmijë, ata u bënë prindërit dhe gjyshërit frymorë të familjes sonë. Uilliami i drejtohej gjithnjë babait me fjalën «bir», dhe ai bashkë me Miriamin i ngulitën familjes sonë frymën e ungjillëzimit. Në pjesën e parë të shekullit të 20-të, vëllai Evans kishte bërë udhëtime në Uells për të prezantuar të vërtetën biblike në zonën përreth Suanzisë. Atje njihej si predikuesi nga Amerika.

Në vitin 1928, vëllai Evans dha dorëheqjen nga puna e tij dhe filloi të predikonte në kodrat e Virxhinias Perëndimore. Dy vëllezërit e mi më të mëdhenj, Klarensi 21-vjeçar dhe Karli 19-vjeçar e shoqëruan. Që të katër ne djemtë kemi kaluar shumë vjet në shërbimin e plotkohor. Në fakt, në rininë tonë të gjithë shërbyem si mbikëqyrës udhëtues të Dëshmitarëve të Jehovait. Jo shumë kohë më parë, tezja më e vogël, Meri, e cila tani i ka kaluar të nëntëdhjetat, më shkroi: «Sa mirënjohës jemi të gjithë, që vëllai Evans kishte zell për shërbimin dhe vizitoi Grouv Sitin!» Teze Meri është një tjetër person që e ka kujtuar Krijuesin e saj që nga rinia.

Pjesëmarrja në kongrese

Në vitin 1922, vetëm babai dhe Klarensi patën mundësi të ndiqnin kongresin historik në Sedar Point, Ohajo. Por, në vitin 1924 kishim një automobil dhe shkuam si familje në kongresin në Kolumbus, Ohajo. Gjatë kongresit tetëditor, nga ne fëmijët pritej që të përdornim kursimet tona për të ngrënë. Pikëpamja e prindërve ishte që të gjithë anëtarët e familjes duhej të mësonin të mbanin veten e tyre. Kështu, rritnim pula dhe lepuj, mbanim koshere bletësh dhe të gjithë ne djemtë shpërndanim gazeta.

Kur erdhi koha për kongresin në Toronto, Kanada, në vitin 1927, kishim një vëlla gjashtë muajsh, Polin. Mua më caktuan që të qëndroja në shtëpi dhe me ndihmën e një tezeje të martuar të kujdesesha për Polin, kurse prindërit dhe fëmijët e tjerë shkuan në Toronto. Si shpërblim më dhanë dhjetë dollarë që i përdora për të blerë një kostum të ri për vete. Na mësonin gjithnjë të visheshim mirë për mbledhjet dhe të kujdeseshim për rrobat tona.

Në vitin 1931, në kohën e kongresit historik në Kolumbus, Ohajo, Klarensi dhe Karli ishin martuar dhe po shërbenin si pionierë, së bashku me gratë e tyre. Secili prej tyre jetonte në një shtëpi të lëvizshme të bërë vetë. Karli ishte martuar me Kler Hjustonin nga Ueling, Virxhinia Perëndimore dhe kjo është arsyeja se përse në kongresin në Kolumbus isha ulur afër Helenës, motrës së vogël të Klerit.

Shërbimi i plotkohor

Shkollën e mesme e mbarova në vitin 1932, kur isha 15 vjeç, dhe vitin që pasoi i çova një makinë të përdorur vëllait tim Klarensit, i cili po shërbente si pionier në Karolinën e Jugut. Bëra kërkesën për shërbimin si pionier dhe fillova të punoja së bashku me Klarensin dhe gruan e tij. Në atë kohë, ndërsa Helena po shërbente si pioniere në Hopkinsvil, Kentaki, i shkrova për herë të parë. Në letrën e saj, më pyeste: «A je pionier?»

Në letrën time, që Helena e mbajti për 60 vjet derisa vdiq, iu përgjigja: «Jam dhe shpresoj të jem gjithnjë.» Në atë letër, i tregova Helenës se në caktimin tim të predikimit po u shpërndaja broshurën Mbretëria, shpresa e botës, klerikëve dhe nëpunësve të gjykatës.

Në vitin 1933, babai më bëri një tendë me rrota, një dhomë-rimorkio 2,4 metra të gjatë dhe 2 metra të gjerë, me mure kanavace të shtrira përreth kolonave të holla dhe me dritare para e prapa. Kjo qe banesa ime e thjeshtë për katër vjetët vijues të shërbimit si pionier.

Në mars të vitit 1934, Klarensi dhe Karli, gratë e tyre, Helena me mamanë e saj, kunata e Klarensit dhe unë (tetë veta), u drejtuam për në perëndim që të merrnim pjesë në kongresin në Los Anxhelos, Kaliforni. Disa udhëtuan dhe fjetën në dhomën-rimorkio që kisha unë. Vetë fjeta në makinë, kurse të tjerët që mbetën morën dhoma me qira. Meqë patëm probleme me makinën, mbërritëm në Los Anxhelos ditën e dytë të kongresit gjashtëditor. Atje​—më 26 mars​—unë dhe Helena patëm mundësi më në fund të simbolizonim dedikimin tonë ndaj Jehovait me pagëzimin në ujë.

Në kongres, Joseph F. Rutherford, që atëherë ishte presidenti i Shoqatës Watch Tower, u takua personalisht me të gjithë ne pionierët. Ai na inkurajoi duke na thënë se ishim luftëtarë të guximshëm për të vërtetën biblike. Në atë rast, u morën masa që pionierëve t’u jepej ndihmë monetare, në mënyrë që të mund të vazhdonin shërbimin e tyre.

Një arsimim për jetën

Duke u kthyer nga kongresi në Los Anxhelos, që të gjithë e ndamë mesazhin e Mbretërisë me njerëz në krahina të tëra të Karolinës së Jugut, Virxhinias, Virxhinias Perëndimore dhe të Kentakit. Vite më vonë, Helena shkroi për atë periudhë: «Nuk kishim ndonjë kongregacion ku mund të mbështeteshim, nuk kishim miq që të na ndihmonin, sepse ishim vërtet të huaj në një vend të huaj. Por, unë e dija se po merrja një arsimim. Po bëhesha e pasur.»

Ajo pyeti: «Si e kalon kohën një vajzë e re kur është larg nga miqtë dhe nga vendi i saj? Epo, nuk ishte edhe aq keq. Nuk mbaj mend ndonjë rast kur të jem mërzitur. Lexoja shumë. Nuk mbetëm kurrë prapa me leximin e literaturës biblike dhe me studimin. I rrija afër mamasë, duke mësuar se si t’i përdorja mirë paratë që kishim, të bëja pazarin, të ndërroja gomat e çara të makinës, të gatuaja, të qepja dhe të predikoja. Nuk ndiej asnjë keqardhje, dhe do ta përsëritja me kënaqësi atë jetë.»

Helena dhe mamaja e saj ishin të kënaqura që jetonin në një rulotë të vogël ato vite, edhe pse mamaja e saj kishte një shtëpi të këndshme. Pas kongresit në Kolumbus, Ohajo, në vitin 1937, shëndeti i nënës së Helenës u keqësua dhe ajo u shtrua në spital. Vdiq në caktimin e saj në Filipi, Virxhinia Perëndimore, në nëntor të vitit 1937.

Martesa dhe vazhdimi i shërbimit

Më 10 qershor 1938, unë dhe Helena u martuam me një ceremoni të thjeshtë në shtëpinë ku kishte lindur ajo, në Elm Grouv, afër Ueling, Virxhinia Perëndimore. Vëllai i dashur Evans, i cili i kishte dhënë familjes sime të vërtetën disa vjet para se të lindja unë, bëri fjalimin e martesës. Pas dasmës, unë dhe Helena planifikuam t’i ktheheshim veprës së pionierit në Kentakin Lindor, por për habinë tonë të madhe, na ftuan në veprën udhëtuese. Kjo vepër përfshinte vizita në grupet e Dëshmitarëve të Jehovait në Kentakin Perëndimor dhe në disa pjesë të shtetit Tenesi, për t’i ndihmuar në shërbim. Gjithsej, në të gjitha vendet që vizituam, kishte vetëm nja 75 lajmëtarë të Mbretërisë.

Në atë kohë, nacionalizmi kishte shtrembëruar mendimet e shumë personave dhe unë prisja që të më burgosnin pas pak kohe, për shkak të asnjanësisë sime të krishterë. (Isaia 2:4) Megjithatë, falë dokumentimit të predikimit tim, komisioni i rekrutimit më dha një klasifikim që më lejonte të vazhdoja në shërbimin e plotkohor.

Kur filluam shërbimin udhëtues, pothuajse të gjithë e vinin re faktin që ishim të rinj në moshë. Në Hopkinsvil, Kentaki, një motër e krishterë e përshëndeti Helenën me një përqafim të fortë dhe e pyeti: «Më mban mend?» Në vitin 1933, Helena i kishte dhënë asaj dëshmi në dyqanin e fshatit, ku ishte pronar burri i saj. Ajo ishte mësuese në shkollën e së Dielës, por pasi lexoi librin që i la Helena, doli para klasës së saj dhe kërkoi falje që u kishte mësuar mësime jobiblike. Pasi hoqi dorë nga kisha, ajo filloi të shpallte të vërtetat biblike në vendin e saj. Unë dhe Helena shërbyem në Kentakin Perëndimor për tre vjet dhe ajo motër së bashku me burrin, na hapën shtëpinë e tyre.

Ato ditë mbanim asamble të vogla lokale dhe në njërën prej këtyre shërbeu A. H. Macmillan. Kur Helena ishte fëmijë, ai kishte ndenjur në shtëpinë e prindërve të saj, kështu që gjatë asamblesë vendosi të rrinte në shtëpinë tonë të lëvizshme 5 metra të gjatë, ku kishim një krevat më tepër. Edhe ai e kishte kujtuar Krijuesin e tij të Madh që nga ditët e rinisë, pasi ia kishte dedikuar jetën Jehovait në vitin 1900, kur ishte 23 vjeç.

Në nëntor të vitit 1941, vepra e vëllezërve udhëtues u pezullua përkohësisht dhe mua më caktuan si pionier në Hazard, Kentaki. Përsëri punuam së bashku me vëllanë tim Karl dhe gruan e tij, Klerin. Këtu, Xhozef Hjuston, nipi i Helenës, u bashkua me ne dhe filloi shërbimin si pionier. Ai vazhdoi në shërbimin e plotkohor për afro 50 vjet, deri në vitin 1992 kur vdiq papritur nga një infarkt, ndërsa po shërbente me besnikëri në Qendrën Botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju Jork.

Në vitin 1943 na caktuan në Rokvill, Kënektikat. Kjo ishte, si të thuash, një botë tjetër për Helenën dhe për mua, sepse ishim mësuar të predikonim në jug. Në Rokvill, Helena drejtonte rregullisht çdo javë më shumë se 20 studime biblike në shtëpi. Me kalimin e kohës morëm me qira një dhomë të thjeshtë për ta përdorur si Sallë Mbretërie, dhe u organizua bërthama e një kongregacioni të vogël.

Ndërsa shërbenim në Rokvill, na ftuan të merrnim pjesë në klasën e pestë të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit në Lansingun Jugor, Nju Jork. Lumturisht, zbuluam se do të kishim shokë kursi Obri dhe Berta Bivensin, miqtë tanë nga koha kur shërbenim si pionierë në Kentaki.

Shkolla dhe caktimi ynë i ri

Edhe pse ishim ende të rinj në moshë, pjesa më e madhe e shokëve të klasës ishin akoma më të rinj se ne. Tamam, ata po e kujtonin Krijuesin e tyre të Madh në rininë e tyre. Diplomimi u bë në korrik të vitit 1945, pikërisht ndërsa Lufta II Botërore po i afrohej fundit. Ndërsa prisnim për caktimet misionare, punuam me kongregacionin Flatbush në Bruklin, Nju Jork. Më në fund, më 21 tetor 1946, së bashku me gjashtë shokë të tjerë të klasës, duke përfshirë edhe çiftin Bivens, nisëm fluturimin për në shtëpinë tonë të re në Guatemala Siti, Guatemalë. Në atë kohë, në gjithë atë vend të Amerikës Qendrore kishte më pak se 50 Dëshmitarë të Jehovait.

Në prill të vitit 1949, disa nga ne misionarët u transferuan në Kuetzaltenango, qyteti i dytë në vend për nga madhësia dhe rëndësia. Qyteti ndodhet 2.300 metra mbi nivelin e detit dhe ajri i malit është i freskët e i pastër. Aktivitetin që zhvilluam aty, Helena e përmblodhi kështu: «Ishte privilegji ynë të shërbenim në shumë qytete e fshatra. Ngriheshim rreth orës katër të mëngjesit dhe merrnim një autobus (i cili shpesh kishte grila kanavace në vend të dritareve), për në një qytet të largët. Atje predikonim gati tetë orë, para se të ktheheshim në shtëpi në mbrëmje.» Sot, në shumë nga këto vende ka kongregacione, duke përfshirë edhe gjashtë në Kuetzaltenango.

Pas pak kohe kishte nevojë për misionarë në Puerto Barrios në Bregun e Karaibeve, qyteti i tretë më i madh në Guatemalë. Shokët tanë të dashur, çifti Bivens, me të cilët kishim shërbyer për pesë vjet në Guatemalë, ishin mes atyre që u transferuan në këtë caktim të ri. Ndarja ishte e dhimbshme dhe shkaktoi një boshllëk në jetën tonë. Meqë në shtëpinë misionare kishim mbetur vetëm unë dhe Helena, u transferuam në një apartament të vogël. Në vitin 1955, unë dhe Helena pranuam një caktim të ri në një qytet më tropikal, në Mazatenango. Vëllai im më i vogël, Poli dhe gruaja e tij, Dolores, të cilët ishin diplomuar në Galaad në vitin 1953, kishin shërbyer aty pak para se të mbërrinim ne.

Në vitin 1958 në Guatemalë kishte mbi 700 Dëshmitarë, 20 kongregacione dhe tre qarqe. Së bashku me Helenën morëm pjesë përsëri në veprën udhëtuese, duke vizituar grupe të vogla Dëshmitarësh dhe disa kongregacione, duke përfshirë kongregacionin në Kuetzaltenango. Pastaj, në gusht të vitit 1959, na ftuan të ktheheshim në Guatemala Siti, ku jetuam në Zyrën e Degës. Mua më caktuan të punoja në Degë, kurse Helena vazhdoi në shërbimin misionar edhe për 16 vjet të tjera. Pastaj, edhe ajo filloi të punonte në Zyrën e Degës.

Bekime të mëtejshme

Vite më parë dukej sikur unë isha gjithnjë më i riu nga ata që i shërbenin Jehovait. Tani jam shpesh më i moshuari, siç ndodhi kur ndoqa shkollën e Degës në Paterson, Nju Jork, në vitin 1996. Pikërisht siç mora unë shumë ndihmë nga të moshuarit kur isha i ri, ka qenë privilegji im që dekadat e fundit të ndihmoj shumë të rinj që dëshirojnë ta kujtojnë Krijuesin e tyre në rininë e tyre.

Jehovai vazhdon të derdhë bekime mbi popullin e tij këtu në Guatemalë. Në vitin 1999, në Guatemala Siti kishte mbi 60 kongregacione. Pastaj, në veri, jug, lindje dhe perëndim, ka akoma më shumë kongregacione dhe mijëra lajmëtarë të lajmit të mirë të Mbretërisë së Perëndisë. Ata më pak se 50 lajmëtarë të Mbretërisë që gjetëm kur erdhëm këtu, rreth 53 vjet më parë, janë rritur në më shumë se 19.000.

Shumë arsye për të qenë mirënjohës

Të gjithë do të kenë probleme gjatë jetës, por ne mund ta hedhim gjithnjë ‘barrën tonë mbi Zotin’. (Psalmi 55:22) Shpesh, ai na mbështet me anë të shokëve të dashur që na përkrahin. Për shembull, disa vjet para se të vdiste, Helena më dhuroi një pllakë të vogël me kornizë, ku ishin gdhendur fjalët e Hebrenjve 6:10: «Perëndia nuk është i padrejtë që të jetë i pavëmendshëm ndaj mundimit tënd dhe ndaj dashurisë që ke treguar ndaj Atij, sepse i ke bërë shërbime popullit të Tij dhe po i bën akoma.»​—Weymouth.

Shënimi i saj thoshte pjesërisht: «I shtrenjti im, ka kaq pak gjëra që mund të të jap, përveç GJITHË DASHURISË SIME . . . Ky shkrim është shumë i përshtatshëm për ty dhe të lutem që ta vësh në tavolinën tënde të shkrimit, jo sepse ta dhashë unë, por sepse zbatohet për ty, për vitet e shumta të shërbimit.» Akoma sot e kësaj dite, pllaka gjendet në tavolinën e shkrimit të zyrës sime në Degën e Guatemalës.

I kam shërbyer Jehovait nga rinia dhe tani që jam në vitet e pleqërisë e falënderoj Jehovain për shëndetin e mirë i cili më lejon të kryej detyrat që më janë caktuar. Kur bëj leximin e rregullt të Biblës, më dalin shpesh përpara syve disa shkrime që mendoj se Helena ime e dashur do t’i kishte nënvizuar në Biblën e saj. Kjo më ndodhi, kur lexova përsëri Psalmin 48:14 që thotë: «Ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë, ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.»

Kënaqem që mund të ndaj me të tjerët vizionin e ditës së ringjalljes, kur njerëz të të gjitha ish-kombeve do të mirëpresin të dashurit e tyre nga vdekja në një botë të re. Çfarë perspektive! Sa shumë lot gëzimi do të derdhim atëherë, ndërsa sjellim ndër mend se Jehovai është vërtet Perëndia «që ngushëllon të pikëlluarit»!​—2. Korintasve 7:6.

[Figura në faqen 25]

Sipas akrepave të orës, nga sipër majtas: mamaja, babai, hallë Eva dhe vëllezërit Karl e Klarens, viti 1910

[Figurat në faqen 26]

Me Helenën në vitin 1947 dhe në vitin 1992