A ju kujtohet?
A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Çfarë gjëje tregon se Jezui kishte vëllezër dhe motra?
Bibla e thotë këtë te Mateu 13:55, 56 dhe te Marku 6:3. Fjala greke (adelphos) që gjendet në këto vargje përdoret për të përcaktuar «ndonjë lloj lidhjeje fizike ose ligjore [dhe] nënkupton vetëm fjalën vëlla nga një ose të dy prindërit». (Revista The Catholic Biblical Quarterly, janar 1992)—15/12, faqja 3.
• Si është parë qartë se lufta ka marrë pamje tjetër dhe cilat kanë qenë shpesh faktorët kryesorë?
Vitet e fundit luftërat që kanë pllakosur njerëzimin kanë qenë kryesisht luftëra civile, pra luftëra mes grupeve ndërluftuese me qytetarë të të njëjtit shtet. Faktorët që kanë ndikuar tek ato kanë qenë urrejtja etnike e fisnore, dallimet fetare, padrejtësitë dhe trazirat politike. Një faktor tjetër ka qenë lakmia për pushtet dhe për para.—1/1, faqet 3, 4.
• Si e dimë se Jezui nuk kishte si qëllim që të krishterët t’i përsëritnin përmendësh fjalët e lutjes model?
Jezui e dha këtë shembull të lutjes në Predikimin në Mal. Rreth 18 muaj më vonë ai përsëriti thelbin e udhëzimeve që kishte dhënë më parë për lutjen. (Mateu 6:9-13; Luka 11:1-4) Është për t’u vënë re se ai nuk e përsëriti lutjen fjalë për fjalë, duke treguar kështu se nuk po thoshte një lutje rituale e cila duhej recituar përmendësh.—1/2, faqja 8.
• Pas Përmbytjes, ku e gjeti pëllumbi gjethen e ullirit që solli në arkë?
Nuk e dimë kripësinë ose temperaturën që kishin ujërat e Përmbytjes. Por është fakt i njohur se pemët e ullirit mbijnë përsëri edhe pasi priten. Prandaj disa mund të kenë mbijetuar nga ujërat e Përmbytjes dhe më pas kanë nxjerrë gjethe.—15/2, faqja 31.
• Gjatë luftës civile nigeriane, në bllokadën e Biafrës, si morën ushqim frymor Dëshmitarët e Jehovait në atë zonë?
Një nëpunës u caktua në një detyrë në Evropë dhe një nëpunës tjetër u caktua në aeroportin e Biafrës. Që të dy ishin Dëshmitarë. Ata pranuan detyrën e rrezikshme për të futur ushqim frymor në Biafër, duke u sjellë dobi kështu shumë vëllezërve derisa lufta mbaroi në vitin 1970.—1/3 faqja 27.
• Çfarë u arrit me anë të Paqes së Vestfalisë dhe si u përfshi feja në të?
Reforma e ndau Perandorinë e Shenjtë Romake në tri besime: në besimin katolik, luteran dhe kalvinist. Në fillim të shekullit të 17-të u formuan Bashkimi Protestant dhe Lidhja Katolike. Më pas, shpërtheu një konflikt fetar në Bohemi dhe ai u shndërrua në një betejë për epërsi politike mbi vendet e tjera. Sundimtarë katolikë dhe protestantë luftuan me njëri-tjetrin për epërsi politike dhe fitime tregtare. Së fundi, u mbajtën bisedimet e paqes në provincën gjermane të Vestfalisë. Pas pothuajse pesë vjetësh, në vitin 1648 u nënshkrua Traktati i Vestfalisë, duke i dhënë fund Luftës Tridhjetëvjeçare dhe duke shënuar lindjen e Evropës moderne si një kontinent me shtete sovrane.—15/3, faqet 20-23.
• Cili është kuptimi i numrit 666, pra i damkës ose emrit të ‘bishës’?
Ky numër përmendet te Zbulesa 13:16-18. Bisha nënkupton sundimin njerëzor dhe fakti që ajo ka «një numër njerëzor» tregon se qeveritë pasqyrojnë gjendjen njerëzore mëkatare. Numri 666 tregon se bisha është krejtësisht e mangët në sytë e Perëndisë. Ata që kanë këtë damkë e nderojnë si idhull shtetin ose shpresojnë tek ai për shpëtim.—1/4, faqet 4-7.