Bibla e ndihmoi t’i rezistonte tundimit
Bibla e ndihmoi t’i rezistonte tundimit
Sot, bota është plot tundime. T’u përmbahesh normave biblike nuk është e lehtë. Për shembull, mund të jetë shumë e vështirë t’i bindesh këshillës biblike: «Ikni nga kurvëria!»—1 Korintasve 6:18.
Një nga Dëshmitarët e Jehovait, të cilin po e quajmë Sebastian, punonte për një shoqëri skandinave në Poloni. Atij iu desh të luftonte me të gjitha forcat për të ruajtur integritetin e tij të krishterë.
Sebastiani njihej në punë si Dëshmitar i Jehovait. Meqë drejtuesit e tij e vlerësonin zellin dhe personalitetin e tij të shkëlqyer, i dhanë privilegje të ndryshme. Por, më pas doli që këto privilegje përfshinin edhe disa mbledhje pune ku përveç të tjerave kishte edhe argëtime të pamoralshme.
Shumë shpejt, Sebastianin filloi ta brente mëdyshja. «Shefi e di që unë jam Dëshmitar i Jehovait. Ja pse ai ka besim dhe mbështetet tek unë. Nëse unë refuzoj të marr pjesë në këto mbledhje, do të humbas punën që mezi e gjeta. Po sikur të shkoj vetëm për të parë?»
Por jo vetëm kaq. Ai zbuloi se ata donin që ai të «kujdesej» për klientët e huaj duke u gjetur «shoqëruese» për qëllime imorale e që këto të qëndronin me ta gjatë mbrëmjes. Çfarë duhej të bënte?
Sebastiani vendosi t’i kujtonte drejtorit pikëpamjen e tij për imoralitetin, e cila bazohet në Bibël. Pa vonuar, Sebastiani e kuptoi që nuk ishte një punë e përshtatshme për të dhe që herët a vonë do t’i duhej ta linte. Gjeti një punë tjetër me pagë më të ulët, por pa tundime të tilla. Tani e ka ndërgjegjen të qetë.
Po ju, çfarë do të bënit nëse dikush do t’ju shtynte të përfshiheshit në imoralitet ose të mbyllnit një sy para tij? A do të ishit të vendosur të tërhiqeshit menjëherë nga një situatë e tillë? Jozefi, në kohët biblike, e bëri një gjë të tillë, siç thuhet te Zanafilla 39:7-12.