Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer në Meksikë

U paraqitën vullnetarisht për të shërbyer në Meksikë

SA INKURAJUESE është të shohim një numër gjithnjë e më të madh të rinjsh Dëshmitarë që po e thjeshtojnë jetën për të zgjeruar shërbimin e krishterë! (Mat. 6:22) Çfarë ndryshimesh po bëjnë? Çfarë pengesash hasin? Për ta zbuluar, le të njihemi me disa prej tyre që aktualisht po shërbejnë në Meksikë.

«DUHEJ TË NDRYSHONIM DIÇKA»

Dastini dhe Xhesa nga Shtetet e Bashkuara u martuan në janar 2007. Pak kohë më pas, arritën të realizonin një ëndërr që e kishin për zemër prej kohësh: të kishin një varkë me vela dhe të jetonin në të. E kishin ankoruar pranë Astorias, Oregon, SHBA, një qytezë piktoreske e rrethuar nga kodra me pyje dhe male të veshura me dëborë jo shumë larg Oqeanit Paqësor. Dastini thotë: «Ngado t’i hidhje sytë pamja të linte gojëhapur.» Çiftit i dukej se po bënte një jetë të thjeshtë dhe se po mbështetej te Jehovai. Ata mendonin: ‘Në fund të fundit, jetojmë në një varkë 7,9 metra të gjatë, punojmë në kohë të pjesshme, jemi në një kongregacion të gjuhës së huaj dhe me raste shërbejmë si pionierë ndihmës.’ Por, pas ca kohësh, kuptuan se po gënjenin veten. Dastini thotë: «Në vend që të ndihmonim në kongregacion, shumicën e kohës merreshim me riparimin e varkës.  E dinim se, nëse vërtet donim të vinim Jehovain në vend të parë në jetë, duhej të ndryshonim diçka.»

Xhesa shton: «Para se të martoheshim, jetoja në Meksikë, ku bëja pjesë në një kongregacion anglishtfolës. Më pëlqente të shërbeja atje dhe dëshiroja shumë të kthehesha përsëri.» Që të forconin dëshirën për të shërbyer jashtë shtetit, gjatë adhurimit familjar Dastini dhe Xhesa filluan të lexonin jetëshkrime për vëllezër e motra që ishin transferuar në vende ku kishte fusha gati për korrje. (Gjoni 4:35) Dastini shprehet: «Donim të provonim të njëjtën kënaqësi.» Kur morën vesh nga miqtë në Meksikë se një grup i sapoformuar kishte nevojë për ndihmë, Dastini dhe Xhesa e ndanë mendjen. Lanë punën, shitën varkën dhe u transferuan në Meksikë.

«GJËJA MË E MIRË QË NA KA NDODHUR NDONJËHERË»

Dastini dhe Xhesa u vendosën në qytezën e Tekomanit, përsëri pranë Paqësorit, por gati 4.400 kilometra në jug të Astorias. Dastini tregon: «Në vend të flladit të freskët dhe të panoramave të maleve, kishim vapën përvëluese dhe pemë limonësh sa të hante syri.» Në fillim nuk gjetën dot punë. Ngaqë s’kishin para, hanin oriz dhe fasule dy herë në ditë, javë pas jave. Xhesa thotë: «Por, tamam kur s’po e duronim më këtë, studentë të Biblës filluan të na jepnin mango, banane, papaja dhe, natyrisht, thasë plot me limonë.» Me kalimin e kohës, çifti gjeti punë në një shkollë gjuhësh online me qendër në Tajvan. Me paratë që fitojnë nga kjo punë, mund të sigurojnë më se miri nevojat e tyre të përditshme.

Ç’mendojnë Dastini dhe Xhesa për jetën e tyre të re? Ata thonë: «Ky transferim është gjëja më e mirë që na ka ndodhur ndonjëherë. Marrëdhënia jonë me Jehovain dhe me njëri-tjetrin është më e fortë se sa mund ta kishim imagjinuar. Çdo ditë bëjmë shumë gjëra bashkë: dalim në shërbim, flasim si t’i ndihmojmë studentët e Biblës, përgatitemi për mbledhjet. Gjithashtu, nuk kemi më ato lloj presionesh si në të kaluarën.» Më pas shtojnë: «Tani dimë atë që nuk e kishim kuptuar kurrë më parë—sa i vërtetë është premtimi që gjendet te Psalmi 34:8: ‘Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai!’»

ÇFARË I MOTIVON MIJËRA VULLNETARË?

Më tepër se 2.900 vëllezër e motra, beqarë e të martuar, shumë në të njëzetat e në të tridhjetat, janë transferuar të shërbejnë në rajone të Meksikës ku ende ka mjaft nevojë për lajmëtarë të  Mbretërisë. Pse tërë këta Dëshmitarë ndërmorën këtë shërbim plot sfida? Kur iu bë kjo pyetje disave prej tyre, dhanë tri arsye kryesore. Cilat janë?

Letisja dhe Ermiloja

Që të tregojnë dashuri për Jehovain dhe për të të tjerët. Letisja u pagëzua në moshën 18-vjeçare. Ajo thotë: «Kur iu kushtova Jehovait, kuptova se kjo do të thoshte t’i shërbeja me gjithë zemër e shpirt. Prandaj, për ta treguar dashurinë time nga zemra për Jehovain, doja të përdorja më shumë kohë dhe energji në shërbim të tij.» (Mar. 12:30) Ermiloja, që tani është i martuar me Letisjan, ishte në fillim të të njëzetave kur u transferua për të shërbyer atje ku kishte më tepër nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Ai thotë: «Kuptova se mënyra më e mirë për të treguar dashurinë për të tjerët ishte duke i ndihmuar të plotësonin nevojën e tyre frymore.» (Mar. 12:31) Kështu, la qytetin e begatë të Montereit, ku punonte në një bankë dhe bënte një jetë të rehatshme, e u transferua në një qytezë.

Esli

Që të provojnë gëzim të vërtetë dhe që zgjat. Shpejt pas pagëzimit, Letisja shoqëroi një pioniere me përvojë në një qytezë të izoluar ku predikuan për një muaj. Letisja kujton: «Isha e mahnitur. Provova gëzim të madh ngaqë pashë se sa mirë reagonin njerëzit ndaj mesazhit për Mbretërinë. Në fund të muajit thashë me vete: ‘Pikërisht këtë dua të bëj me jetën time.’» Po kështu, edhe Esli, një motër e pamartuar që tani është në fillim të të njëzetave, u tërhoq në këtë lloj shërbimi nga gëzimi që vërejti te të tjerët. Kur ishte në shkollën e mesme, takoi disa Dëshmitarë të zellshëm që shërbenin atje ku kishte më tepër nevojë. Ajo thotë: «Kur shihja fytyrat plot gëzim të vëllezërve e të motrave, më lindi dëshira të bëja edhe unë po atë lloj jete.» Mjaft motra kanë reaguar si Esli. Në fakt, në Meksikë më se 680 motra beqare shërbejnë atje ku ka më tepër nevojë. Ç’shembull të shkëlqyer lënë për të rinjtë e për të rriturit!

Që të bëjnë një jetë të kënaqshme dhe me një qëllim. Sapo mbaroi shkollën e mesme, Eslit i ofruan një bursë në një universitet. Moshatarët e nxitën ta pranonte dhe të bënte një «jetë normale»: të diplomohej, të bënte karrierë, të blinte një makinë dhe të udhëtonte. Por, ajo nuk ua vuri veshin. Esli thotë: «Disa miq të mi të krishterë u dhanë pas këtyre gjërave dhe vura re se për ta nuk kishin më përparësi synimet frymore. Po ashtu, pashë se përfunduan të mërzitur nga problemet që hasën ndërsa zhyteshin gjithnjë e më shumë në gjërat e kësaj bote. Doja ta përdorja rininë për t’i shërbyer Jehovait plotësisht.»

Rakela dhe Filipi

 Esli bëri disa kurse shtesë që e ndihmuan të gjente punë për ta mbajtur veten financiarisht ndërsa shërbente si pioniere dhe pastaj u transferua në një zonë ku ka një nevojë urgjente për lajmëtarë të Mbretërisë. Madje, mori përsipër sfidën që të mësonte gjuhët indigjene të fiseve Otomi dhe Tlapáneko. Tani, kur mendon për tre vitet që ka predikuar në rajone të thella, ajo thotë: «Shërbimi atje ku ka më tepër nevojë më ka sjellë kënaqësi dhe i ka dhënë kuptim të vërtetë jetës sime. Ç’është më kryesorja, marrëdhënia ime me Jehovain është bërë më e ngushtë.» Filipi dhe Rakela, një çift në fillim të të 30-ave nga Shtetet e Bashkuara, janë dakord: «Bota po ndryshon kaq shpejt saqë për shumë jeta duket e pasigurt. Por, shërbimi atje ku gjejmë ende shumë që e dëgjojnë mesazhin e Biblës, i jep mjaft kuptim jetës. Na kënaq tej mase.»

SI T’I PËRBALLOSH SFIDAT?

Veronika

Natyrisht, shërbimi atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë ka sfidat e veta. Një sfidë është si të mbash veten nga ana financiare. Për ta bërë këtë, duhet të jesh i gatshëm të përshtatesh me rrethanat e vendit. Veronika, një pioniere me përvojë, shpjegon: «Në një vend ku shërbeva, përgatitja dhe shitja ushqim të shpejtë me çmim të ulët. Në një vend tjetër, shitja rroba dhe me raste u prisja flokët të tjerëve. Tani pastroj një shtëpi dhe u bëj një kurs prindërve të rinj ku u mësoj si të komunikojnë me fëmijët.»

Përshtatja me një kulturë tjetër dhe me zakone të tjera mund të jetë akoma më e vështirë kur jeton mes një popullsie indigjene në një rajon të izoluar. Kështu ndodhi me Filipin dhe Rakelën kur shërbyen në fushën e gjuhës nahuatle. Filipi thotë: «Ndryshimet kulturore ishin të stërmëdha.» Çfarë i ndihmoi të përshtateshin? «U përqendruam te gjërat pozitive që vërenim te popullsia nahuatle: lidhjet e ngushta në familje, sinqeriteti që tregonin ndaj njëri-tjetrit dhe shfaqja e bujarisë.» Rakela shton: «Mësuam shumë duke jetuar atje dhe duke shërbyer përkrah vëllezërve e motrave në atë komunitet indigjen.»

SI TË PËRGATITESH?

Si mund të përgatitesh nëse dëshiron të shërbesh në rajone të thella ku ka më shumë nevojë? Vëllezërit dhe motrat me përvojë në këtë lloj shërbimi thonë: para se të transferohesh, fillo të thjeshtosh jetën e të mësosh të kënaqesh me aq sa ke. (Filip. 4:11, 12) Ç’gjë tjetër mund të bësh? Letisja tregon: «Shmangia ato lloj punësh që kërkonin të qëndroja për një kohë të gjatë në një vend. Doja të kisha mundësi të transferohesha në çast: kurdo dhe kudo që të ishte e nevojshme.» Ermiloja thotë: «Mësova të gatuaja, të laja dhe të hekurosja.» Veronika tregon: «Kur jetoja në shtëpi me prindërit dhe vëllezërit e motrat, ndihmoja me pastrimin dhe mësova të përgatitja vakte ushqyese me kosto të ulët. Po ashtu, mësova të kurseja.»

Amilja dhe Levi

Levi dhe Amilja nga Shtetet e Bashkuara, të martuar prej tetë vjetësh, tregojnë se si lutjet specifike i ndihmuan të përgatiteshin për të shërbyer në Meksikë. Levi thotë: «Llogaritëm sa para do të na duheshin që të shërbenim jashtë shtetit për një vit dhe më pas iu lutëm Jehovait të na ndihmonte të fitonim fiks atë shumë.» Brenda disa muajve arritën t’i kursenin ato para për të cilat ishin lutur dhe u transferuan pa vonesë. Levi thotë: «Jehovai i kishte plotësuar kërkesat tona specifike, tani e kishim radhën ne.» Amilja shton: «Menduam të qëndronim vetëm një vit, por kemi ndenjur këtu për shtatë vjet dhe s’kemi ndër mend të largohemi. Duke jetuar këtu mund të përjetojmë drejtpërdrejt ndihmën e Jehovait. Çdo ditë shohim prova të mirësisë së tij.»

Adami dhe Xheniferi

Lutja luajti rol jetësor edhe për Adamin dhe Xheniferin, një çift nga Shtetet e Bashkuara që shërbejnë në fushën anglishtfolëse në Meksikë. Ata sugjerojnë: «Mos prit rrethanat e përsosura. Lutu për dëshirën që ke të shërbesh jashtë shtetit dhe vepro në përputhje me lutjet. Thjeshtoje jetën, shkruaji zyrës së degës në vendin ku dëshiron të shërbesh dhe, pasi të llogaritësh koston, transferohu.» * Nëse vepron kështu, të pret një jetë emocionuese dhe e pasur frymësisht.

^ par. 21 Për më shumë informacione, shih artikullin «A ‘mund të kaloni në Maqedoni’?»Shërbimi ynë i Mbretërisë, gusht 2011.