Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Forconi martesën tuaj duke komunikuar mirë

Forconi martesën tuaj duke komunikuar mirë

«Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si mollët e arta në gdhendje argjendi.»PROV. 25:11.

1. Si i ka ndihmuar martesat komunikimi i mirë?

«PARAPËLQEJ të kaloj kohë me time shoqe më shumë se me këdo tjetër,—tha një vëlla nga Kanadaja.—Çdo lumturi në jetë dyfishohet dhe çdo dhembje përgjysmohet kur i ndaj me të.» Një bashkëshort nga Australia shkroi: «Gjatë 11 viteve së bashku, s’ka kaluar asnjë ditë pa folur me gruan. Nuk ndihemi aspak të pasigurt e nuk shqetësohemi nëse martesa jonë mund të lëkundet. Arsyeja kryesore për këtë është komunikimi i shpeshtë e domethënës.» Një motër në Kosta-Rikë tha: «Komunikimi i mirë jo vetëm na e ka pasuruar martesën, por edhe na ka afruar më shumë me Jehovain, na ka mbrojtur nga tundimet, na ka lidhur fort si çift dhe na e ka rritur dashurinë për njëri-tjetrin.»

2. Cilët faktorë mund të pengojnë komunikimin e mirë?

2 A gëzon komunikim të këndshëm me bashkëshortin apo e ke të vështirë të bësh një bisedë domethënëse? Kuptohet, mund të lindin situata të vështira, sepse martesa bashkon dy njerëz të papërsosur me personalitete të ndryshme, përfshirë veçori që pasqyrojnë kulturën dhe mënyrën si janë rritur. (Rom. 3:23) Për më tepër, një çift mund të ketë mënyra komunikimi të ndryshme. Jo më kot ekspertët e martesës Xhon M. Gotman dhe Nen Silver thonë: «Kërkohet guxim, vendosmëri, elasticitet që të ruash një marrëdhënie që i qëndron kohës.»

3. Çfarë i ka ndihmuar çiftet të forcojnë martesën?

3 Një martesë e suksesshme vjen falë një pune të palodhur. Por, kështu gëzohet lumturi e papërshkrueshme. Bashkëshortët që e duan njëri-tjetrin mund ta gëzojnë vërtet jetën bashkë. (Ekl. 9:9) Mendo për martesën e lumtur të Isakut me Rebekën. (Zan. 24:67) Edhe pasi kishin kaluar goxha kohë së bashku si burrë e  grua, nuk shfaqën asnjë gjurmë venitjeje të përzemërsisë për njëri-tjetrin. E njëjta gjë mund të thuhet për shumë çifte sot. Cili ka qenë sekreti i tyre? Kanë mësuar t’i përcjellin hapur mendimet e ndjenjat, por edhe me mirëdashje, duke zhvilluar e treguar gjykim të thellë, dashuri, respekt të madh e përulësi. Siç do ta shohim tani, kur këto cilësi themelore karakterizojnë martesën, komunikimi mbetet gjithmonë i hapur.

TREGONI GJYKIM TË THELLË

4, 5. Si mund ta ndihmojë një çift gjykimi i thellë që të kuptojnë më mirë njëri-tjetrin? Jepni shembuj.

4 «Kush tregon gjykim të thellë në një çështje, do të gjejë mirë», thuhet te Proverbat 16:20. Kjo është më se e vërtetë kur bëhet fjalë për martesën dhe jetën familjare. (Lexo Proverbat 24:3.) Fjala e Perëndisë është burimi më i mirë i gjykimit të thellë dhe i mençurisë. Zanafilla 2:18 thotë se Perëndia e bëri gruan si plotësim të burrit dhe jo kopje të tij. Roli i saj pasqyrohet në mënyrën si komunikon. Nuk diskutohet, njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri, por në përgjithësi, grave u pëlqen të flasin për ndjenjat, për të tjerët dhe për marrëdhëniet njerëzore. Vlerësojnë komunikimin e ngrohtë e intim, sepse kështu ndihen të sigurta se dikush i do. Në anën tjetër, burrat nuk janë edhe aq të prirur për të folur për ndjenjat; më tepër flasin për aktivitete, probleme e zgjidhje. Gjithashtu, burrave u pëlqen t’i respektojnë.

5 Një motër në Britani komentoi: «Burri im do që ta zgjidhë problemin tak-fak, në vend që të më dëgjojë deri në fund. Kjo ma heq trurin, sepse e vetmja gjë që dua është vëmendja e tij e të më japë pak zemër.» Një bashkëshort shkroi: «Kur ishim të sapomartuar, prirja ime ishte të gjeja zgjidhje në çast për çdo problem të gruas. Mirëpo, shpejt kuptova se ajo që donte në të vërtetë ishte t’i vija veshin.» (Prov. 18:13; Jak. 1:19) Një burrë me gjykim të thellë i dallon ndjenjat e gruas dhe përpiqet ta trajtojë situatën në bazë të kësaj. Në të njëjtën kohë, e siguron se mendimet dhe ndjenjat e saj janë të rëndësishme për të. (1 Pjet. 3:7) Ndërsa gruaja përpiqet të kuptojë pikëpamjen e të shoqit. Kur një burrë e grua e kuptojnë njëri-tjetrin, e vlerësojnë dhe përmbushin rolin sipas Shkrimeve, lidhja e tyre është shumë e bukur. Për më tepër, ata mund të bashkëpunojnë që të marrin e të zbatojnë vendime të mençura e të drejtpeshuara.

6, 7. (a) Si i ndihmon çiftet të tregojnë gjykim të thellë parimi tek Eklisiastiu 3:7? (b) Si mund të tregojë aftësi dalluese një grua dhe për çfarë duhet të përpiqet një burrë?

6 Një çift me gjykim të thellë di edhe se ka «një kohë për të heshtur dhe një kohë për të folur». (Ekl. 3:1, 7) Një motër, e martuar prej dhjetë vjetësh, komentoi: «Tani e kuptoj se nganjëherë nuk është momenti të hap muhabet për ndonjë çështje. Nëse im shoq është i mbytur me punë a me përgjegjësi të tjera, lë të kalojë pak kohë para se të nis bisedën. Pastaj flasim më qetë.» Gratë me gjykim të thellë flasin edhe me hir, duke e ditur se një fjalë e zgjedhur mirë dhe «e thënë në kohën e duhur», është e këndshme dhe e mirëpritur.Lexo Proverbat 25:11.

Gjestet e vogla kanë ndikim të madh në martesë

7 Një burrë i krishterë bën pjesën e tij jo vetëm kur dëgjon atë që ka për të thënë gruaja, por edhe kur përpiqet t’i shprehë qartë ndjenjat e veta. Një plak kongregacioni, i martuar prej 27 vjetësh, tha: «Më duhet të përpiqem shumë që t’i shpreh gruas atë çfarë kam thellë në zemër.» Një vëlla i martuar prej 24 vjetësh vërejti: «I mbaja gjërat përbrenda duke menduar se, po të mos flitja për këtë problem, do të kalonte vetë. Por, kam arritur të kuptoj se nuk është shenjë dobësie të tregoj ndjenjat e mia. Kur e kam të vështirë të shprehem, lutem për fjalët dhe mënyrën e duhur për t’i shprehur. Pastaj, marr frymë thellë dhe filloj të flas.»  Po ashtu, ndihmojnë edhe rrethanat e përshtatshme, mbase kur çifti është vetëm dhe po lexojnë shkrimin e ditës ose Biblën së bashku.

8. Ç’i motivon më tepër çiftet e krishtere që të kenë sukses në martesë?

8 Lutja dhe dëshira e zjarrtë për të përmirësuar komunikimin janë të rëndësishme si për burrin, si për gruan. Është vërtet e vështirë kur mësohesh me njëfarë mënyre komunikimi. Por, kur të dy e duan Jehovain, kërkojnë frymën e tij dhe e shohin si të shenjtë lidhjen e tyre, kanë atë lloj motivimi që u mungon shumë të tjerëve. Një grua e martuar prej 26 vjetësh, shkroi: «Burri dhe unë e marrim seriozisht pikëpamjen e Jehovait për martesën, kështu as që e çojmë ndër mend të ndahemi. Kjo na shtyn të punojmë edhe më fort për zgjidhjen e problemeve duke i diskutuar së bashku.» Një besnikëri dhe një përkushtim hyjnor i tillë i pëlqen Perëndisë dhe sjell bekimet e tij të pasura.Psal. 127:1.

RRITUNI NË DASHURI

9, 10. Në ç’mënyra praktike mund ta forcojë çifti lidhjen e dashurisë?

9 Dashuria, «një lidhje e përsosur bashkimi», është cilësia më e rëndësishme në martesë. (Kolos. 3:14) Dashuria e vërtetë rritet teksa një çift besnik kalojnë jetën së bashku me gjithë gëzimet e sfidat e saj. Bëhen miq edhe më të ngushtë dhe e çmojnë shoqërinë e njëri-tjetrit. Martesa të tilla nuk forcohen vetëm nga disa veprime të mëdha, siç i paraqet media, por edhe nga veprime të vogla të herëpashershme, si një përqafim, një fjalë e ngrohtë, një gjest dashamirës, një buzëqeshje e çiltër ose një pyetje e sinqertë «Si kalove sot?» Gjeste të tilla të vogla kanë ndikim të madh në martesë. Një çift që gëzojnë një martesë të lumtur prej 19 vjetësh i telefonojnë ose i dërgojnë mesazhe njëri-tjetrit gjatë ditës, «thjesht për të pyetur si po shkon dita», thotë burri.

10 Gjithashtu, dashuria e nxit një çift të vazhdojnë të mësojnë gjëra të reja për njëri-tjetrin. (Filip. 2:4) Kjo e forcon dhe e rrit edhe më shumë dashurinë e tyre, pavarësisht nga të metat. Një martesë e suksesshme nuk ngec në vend, por pasurohet e forcohet dita-ditës. Kështu, nëse je i martuar, pyet veten: «Sa mirë e njoh bashkëshortin tim? A i kuptoj ndjenjat e mendimet e tij ose të saj? Sa shpesh mendoj për bashkëshortin, ndoshta duke u ndalur te cilësitë që më tërhoqën në fillim tek ai ose ajo?»

 KULTIVONI RESPEKT

11. Pse respekti është jetësor për një martesë të suksesshme? Ilustrojeni.

11 Edhe martesat më të lumtura nuk janë lidhje të përsosura, dhe dy bashkëshortë të dashur nuk i shohin gjithnjë gjërat njësoj. Abrahami dhe Sara nuk ishin gjithmonë dakord. (Zan. 21:9-11) Mirëpo, nuk i lejuan pikëpamjet e ndryshme të krijonin hendek mes tyre. Si? E trajtuan me dinjitet e respekt njëri-tjetrin. Për shembull, Abrahami i tha Sarës «të lutem». (Zan. 12:11, 13) Ndërsa Sara i bindej Abrahamit dhe e konsideronte si ‘zotërinë’ e saj. (Zan. 18:12) Kur një çifti i mungon respekti për njëri-tjetrin, zakonisht dallohet nga mënyra e të folurit dhe nga toni i zërit. (Prov. 12:18) Nëse nuk shkojnë në rrënjë të problemit, martesa e tyre mund të përfundojë keq.Lexo Jakovin 3:7-10, 17, 18.

12. Pse veçanërisht të sapomartuarit duhet të përpiqen shumë të komunikojnë me respekt?

12 Veçanërisht të sapomartuarit duhet të përpiqen shumë t’i flasin njëri-tjetrit me mirëdashje e respekt që të krijohet një atmosferë ku komunikimi të jetë i lirshëm e i sinqertë. Një burrë kujtoi: «Edhe pse vitet e para të martesës janë plot gëzime, ndonjëherë mund të ndihesh i pështjelluar. Ndërsa mësohesh me ndjenjat, zakonet e nevojat e gruas dhe ajo me të tuat, situata mund të ndërlikohet paksa. Megjithatë, do t’ia dilni mbanë po të tregoheni të arsyeshëm, të keni një sens humori dhe të zhvilloni cilësi ekuilibruese, si përulësia, durimi e mbështetja te Jehovai.» Sa e vërtetë është kjo!

SHFAQNI PËRULËSI TË VËRTETË

13. Pse përulësia është faktor jetësor për një martesë për së mbari e të lumtur?

13 Komunikimi i mirë në martesë është si një rrëke uji që rrjedh ëmbël e qetë përmes një kopshti. Që kjo rrëke të vazhdojë të rrjedhë, kërkohet një ‘mendje e përulur’. (1 Pjet. 3:8) «Përulësia është rruga më e shkurtër për të zgjidhur një mosmarrëveshje, sepse të shtyn të thuash ‘Më vjen keq!’», thotë një vëlla i martuar prej 11 vjetësh. Një plak kongregacioni, i martuar prej 20 vjetësh, komentoi: «Nganjëherë fjalët ‘Më vjen keq!’ janë më të rëndësishme se ‘Të dua!’» Ai shtoi: «Lutja është rruga më e  shkurtër dhe më e shpejtë drejt përulësisë. Kur ime shoqe dhe unë i afrohemi Jehovait së bashku, kujtojmë papërsosmëritë tona dhe dashamirësinë e pamerituar të Perëndisë. Ky përkujtues më ndihmon ta gjykoj situatën ashtu siç duhet.»

Mbani një komunikim të mirë në martesë

14. Si mund të ndikojë krenaria në martesë?

14 Ndërsa krenaria s’është aspak pajtuese. Ajo e mbyt komunikimin pasi heq dëshirën e guximin për të kërkuar të falur. Në vend që të thotë me përulësi «Më vjen keq! Të lutem, më fal!», njeriu krenar nxjerr justifikime. Në vend që të pranojë me guxim ndonjë dobësi, ai u mëshon të metave të tjetrit. Kur preket, në vend që të kërkojë paqe, fyhet, mbase duke ia kthyer tjetrit harbutërisht ose duke mbajtur heshtje të hidhur. (Ekl. 7:9) Po, krenaria mund të jetë vdekjeprurëse për martesën. Është mirë të kujtojmë se «Perëndia u kundërvihet fodullëve, por u jep dashamirësi të pamerituar të përulurve».Jak. 4:6.

15. Shpjego se si zbatimi i parimit të Efesianëve 4:26, 27 mund ta ndihmojë një çift kur lindin mosmarrëveshje.

15 Sigurisht, do të tregoheshim naivë po të mendonim se krenaria s’do të nxjerrë kokë kurrë. Duhet ta dallojmë menjëherë e të veprojmë pa humbur kohë. Pavli u tha të bashkëkrishterëve: «Perëndimi i diellit të mos ju gjejë të acaruar, as mos i lini vend Djallit.» (Efes. 4:26, 27) Shpërfillja e Fjalës së Perëndisë mund të sjellë ankthe të panevojshme. Një motër tha me keqardhje: «Ka pasur raste kur unë dhe im shoq nuk e kemi zbatuar Efesianëve 4:26, 27. Si pasojë kam kaluar net pa gjumë, ndër më të vështirat në jetën time.» Sa mirë do të ishte të flitni pa vonesë duke pasur si synim të pajtoheni. Pa dyshim, bashkëshortët mund të kenë nevojë t’i japin pak kohë njëri-tjetrit për të qetësuar nervat. Po ashtu, është e përshtatshme t’i luteni Jehovait për ndihmë që të jeni në gjendje të mendoni siç duhet. Kjo përfshin frymën e përulësisë që do t’ju ndihmojë të përqendroheni te problemi e jo te vetja, që të mos e acaroni më tepër situatën.Lexo Kolosianëve 3:12, 13.

16. Si mund ta ndihmojë përulësia një çift t’i shohin siç duhet pikat e forta të secilit?

16 Përulësia dhe modestia e ndihmojnë një të martuar të përqendrohet te pikat e forta të bashkëshortit a bashkëshortes. Le ta ilustrojmë: një grua mund të ketë dhunti të veçanta që i përdor për dobinë e familjes. Nëse i shoqi është i përulur e modest, nuk do të ndihet i kërcënuar, por do ta nxitë gruan t’i përdorë dhuntitë e saj, duke treguar kështu se e vlerëson dhe e ka për zemër. (Prov. 31:10, 28; Efes. 5:28, 29) Nga ana tjetër, një grua e përulur e modeste nuk i valëvit si flamur dhuntitë e saj dhe as e ul të shoqin. Në fund të fundit, të dy janë «një mish i vetëm», dhe kur lëndohet njëri, lëndohet edhe tjetri.Mat. 19:4, 5.

17. Çfarë mund t’i ndihmojë martesat sot që të jenë të lumtura e t’i sjellin lavdi Perëndisë?

17 Pa dyshim, doni që martesa juaj të jetë si ajo e Abrahamit dhe Sarës ose si martesa e Isakut dhe Rebekës, pra, vërtet e lumtur, jetëgjatë dhe që i sjell lavdi Jehovait. Nëse po, përqafojeni pikëpamjen e Perëndisë për martesën. Drejtojuni Fjalës së tij për gjykim të thellë dhe mençuri. Kultivoni dashuri të vërtetë, ‘flakën e Jah’, duke menduar për cilësitë e vyera të bashkëshortit. (Këng. 8:6) Punoni fort për të zhvilluar përulësinë. Trajtojeni bashkëshortin me respekt. Po t’i bëni këto, martesa do t’ju sjellë gëzim juve dhe Atit tuaj qiellor. (Prov. 27:11) Kështu, mund të ndiheni ashtu siç u ndie një burrë i martuar prej 27 vjetësh, që shkroi: «S’e imagjinoj dot jetën pa gruan time. Martesa jonë vazhdon të forcohet dita-ditës. Kjo falë dashurisë për Jehovain dhe komunikimit të rregullt me njëri-tjetrin.»