Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Nëse Kingzli ia doli, edhe unë mund t’ia dal»

«Nëse Kingzli ia doli, edhe unë mund t’ia dal»

ME NJË prekje të lehtë në shpatull, Kingzli filloi leximin e Biblës, caktimin e parë në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Ai shqiptoi me kujdes çdo fjalë, pa lënë asnjë rrokje. Por, prit pak. Pse nuk shihte Biblën?

Kingzli nga Sri-Lanka ishte i verbër. Dhe jo vetëm kaq. Ai nuk dëgjonte mirë dhe kishte nevojë për karrocë invalidi që të lëvizte. Si mësoi për Jehovain e si u kualifikua për të marrë pjesë në Shkollën e Shërbimit Teokratik? Po ju tregoj si ndodhi.

Kur e takova në fillim Kingzlin, mbeta pa fjalë nga etja e tij për të vërtetën biblike. Tashmë kishte studiuar Biblën me disa Dëshmitarë dhe libri i tij në gjuhën braile Njohuria që të çon në jetën e përhershme ishte copë-copë. * Megjithëse e pranoi ftesën për të rifilluar studimin, kishim dy vështirësi.

E para ishte se Kingzli jetonte bashkë me të tjerë në një shtëpi për të moshuarit dhe për ata me probleme fizike. Për shkak të zhurmës përreth e ngaqë Kingzli mezi dëgjonte, më duhej ta ngrija shumë zërin. Ç’është e vërteta, çdo javë studimin e dëgjonte gjithë dynjaja.

E dyta ishte se Kingzli arrinte të lexonte e të kuptonte vetëm pak nga gjërat e reja që mësonte. Kingzli përgatitej gjithë merak që të nxirrte sa më shumë dobi nga studimi. Qysh më përpara e lexonte dhe e rilexonte materialin, kërkonte shkrimet në Biblën e tij në gjuhën braile dhe më pas formulonte në mendje përgjigjet e pyetjeve. Kjo metodë pati shumë rezultat. Gjatë studimit, ai ulej këmbëkryq në një qilim dhe i binte dyshemesë gjithë entuziazëm teksa shpjegonte me sa i hante zëri atë që kishte mësuar. S’kaloi shumë dhe studimin e bënim dy herë në javë, dhe zgjaste dy orë.

MERR PJESË DHE PËRFSHIHET NË MBLEDHJE

Kingzli dhe Poli

Kingzli donte shumë të ndiqte mbledhjet në Sallën e Mbretërisë, por nuk ishte e lehtë. Kishte nevojë për ndihmë që të hipte e të zbriste nga karroca e invalidit dhe nga makina, si edhe që të hynte e të dilte nga Salla. Megjithatë shumë në kongregacion e ndihmonin me radhë, duke e parë këtë si privilegj. Gjatë mbledhjeve, Kingzli mbante një boks të vogël pranë veshit, dëgjonte me vëmendje e madje komentonte.

Pasi studioi për ca kohë, vendosi të regjistrohej në Shkollën e Shërbimit Teokratik. Dy javë para caktimit të parë të leximit të Biblës, e pyeta nëse kishte bërë prova. Ai tha plot siguri: «Po vëlla, kam bërë rreth 30 prova.» E lavdërova për këtë dhe e pyeta nëse mund ta dëgjoja pak. Ai hapi Biblën, vuri gishtat në tekstin braile dhe filloi leximin. Vura re se nuk i lëvizte gishtat përgjatë rreshtave, siç bënte zakonisht. E kishte mësuar përmendsh!

Me lot në faqe, nuk po u besoja dot syve. E pyeta si arrinte ta kujtonte aq mirë tekstin vetëm pas 30 provash. Ai tha: «Jo, jo, kam bërë rreth 30 prova në ditë.» Për më shumë se një muaj, Kingzli ishte ulur në qilimin e vet duke lexuar e stërlexuar tekstin derisa e kishte mësuar përmendsh.

Më në fund erdhi dita e caktimit. Kur mbaroi, kongregacioni shpërtheu në duartrokitje dhe mjaft veta derdhën lot, të prekur nga vendosmëria e këtij studenti të ri. Një lajmëtare, e cila s’bënte më fjalime ngaqë e bllokonin emocionet e forta, kërkoi të merrte pjesë sërish në shkollë. Pse? Ajo tha: «Nëse Kingzli ia doli, edhe unë mund t’ia dal.»

Pasi kishte studiuar Biblën për tre vjet, më 6 shtator 2008 Kingzli e simbolizoi kushtimin ndaj Jehovait duke u pagëzuar në ujë. Ai vdiq si Dëshmitar besnik më 13 maj 2014. Ishte i sigurt se në Parajsën tokësore do të vazhdojë shërbimin besnik me fuqi të plotë e shëndet të përsosur. (Isa. 35:5, 6)—Treguar nga Pol MekManusi.

^ par. 4 Botuar në vitin 1995; tani nuk shtypet më.