Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Prindër, stërvitini fëmijët që t’i shërbejnë Jehovait

Prindër, stërvitini fëmijët që t’i shërbejnë Jehovait

«Lëre njeriun e Perëndisë së vërtetë . . . të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë me fëmijën që do të lindë.»GJYK. 13:8.

KËNGËT: 88, 120

1. Si reagoi Manoahu kur mori vesh se do të bëhej baba?

GRUAJA s’mund t’i kishte çuar të shoqit lajm më befasues. Fundja, çifti ishte i sigurt se ajo nuk lindte dot fëmijë. Megjithatë, gruas i ishte shfaqur engjëlli i Jehovait, dhe ajo që dukej e pamundur, do të bëhej realitet: Manoahu dhe e shoqja do të bëheshin me djalë. Pa dyshim, Manoahu ishte i lumtur, por njëherazi e kuptonte çfarë përgjegjësie të madhe do të merrte mbi supe. Mes një kombi të kredhur në ligësi, si do t’ia dilnin ai dhe e shoqja ta rritnin djalin që t’i shërbente Perëndisë? Manoahu «nisi t’i përgjërohej Jehovait» me këto fjalë: «Të lutem, lëre njeriun e Perëndisë së vërtetë [engjëllin] që dërgove, të na vijë përsëri e të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë me fëmijën që do të lindë.»Gjyk. 13:1-8.

2. Çfarë përfshin t’i stërvitësh fëmijët? (Shih edhe kutinë « Cilët janë për ty studentët më të rëndësishëm të Biblës?»)

2 Nëse je prind, s’do mend që bashkohesh me përgjërimin e zjarrtë të Manoahut. Edhe ti ke përgjegjësinë e rëndësishme që t’i ndihmosh fëmijët ta njohin e ta duan Jehovain. (Prov. 1:8) Për të arritur këtë, prindërit e krishterë marrin masa që të kenë një program Adhurimi Familjar domethënës, që e ndihmon familjen të përparojë frymësisht. Sigurisht, për të ngulitur të vërtetat biblike në mendjen e fëmijës, nuk mjafton thjesht të drejtosh çdo javë një studim familjar. (Lexo Ligjin e përtërirë 6:6-9.) Si mund t’ia dalësh që t’ia rrënjosësh të vërtetën në mendje dhe në zemër? Në këtë artikull dhe në tjetrin do të shqyrtojmë si mund ta ndjekin prindërit shembullin e Jezuit. Edhe pse ai nuk ishte baba, prindërit mund të nxjerrin dobi nga mënyra si mësonte, sepse i mësoi dhe i stërviti dishepujt me dashuri, përulësi dhe gjykim të thellë. Le t’i shqyrtojmë një nga një këto cilësi.

DUAJE ME GJITHË ZEMËR FËMIJËN

3. Si e shprehte Jezui dashurinë për dishepujt?

3 Jezui nuk kishte turp t’ua thoshte dishepujve të tij se i donte. (Lexo Gjonin 15:9.) Gjithashtu, u tregonte dashuri duke u shoqëruar shpesh dhe rregullisht me ta. (Mar. 6:31, 32; Gjoni 2:2; 21:12, 13) Dishepujt nuk e kishin Jezuin thjesht mësues, por mik, prandaj nuk dyshonin nëse ai i donte vërtet. Si mund ta imitosh mënyrën si mësonte Jezui?

4. Si mund t’i sigurosh fëmijët se i do? (Shih figurën hapëse.)

4 Thuaju fëmijëve se i do dhe tregojua shpesh sa të rëndësishëm janë për ty. (Prov. 4:3; Titit 2:4) Samueli, që jeton në Australi, thotë: «Kur isha i vogël, babi më lexonte çdo mbrëmje nga Libri im i tregimeve biblike. U përgjigjej pyetjeve që kisha, më përqafonte e më puthte para se të flija. Sa u çudita kur mora vesh më vonë se babi ishte rritur në një familje ku përqafimet dhe puthjet ishin të rralla! Prapëseprapë, ai u përpoq fort të ma shprehte dashurinë. Si rrjedhojë, u lidha ngushtë me të dhe ndihesha i kënaqur e i sigurt.» Ndihmoji fëmijët e tu të ndihen kështu duke u thënë shpesh «të kam xhan». Tregojua se i ke në zemër. Bisedo me ta, ha me ta, luaj me ta.

5, 6. (a) Si vepron Jezui me ata që i do? (b) Shpjegoni pse, kur i disiplinon siç duhet, fëmijët ndihen të mbrojtur dhe të sigurt se i do.

5 Jezui tha: «Të gjithë ata që i kam për zemër, unë i qortoj dhe i disiplinoj.» * (Zbul. 3:19) Edhe pse dishepujt e Jezuit haheshin sa e sa herë se kush ishte më i madhi, ai nuk u vuri vizën. Por nga ana tjetër, s’i mbyllte sytë kur nuk reagonin ndaj këshillës së tij. Me dashuri dhe me butësi, Jezui i qortonte në kohën e në vendin e duhur.Mar. 9:33-37.

6 Trego dashuri për fëmijët e tu duke i disiplinuar. Ndonjëherë mjafton t’u shpjegosh pse diçka është e drejtë ose e gabuar. Mirëpo ka raste kur fëmija nuk e zbaton atë që i thua. (Prov. 22:15) Kur ndodh kështu, imito Jezuin. Në kohën e në vendin e duhur, disiplinoje fëmijën me dashuri dhe butësi duke e drejtuar, duke e stërvitur dhe duke e ndrequr me durim. Elena, një motër në Afrikën e Jugut, thotë: «Kur më disiplinonin, prindërit nuk luanin nga e tyrja. Nëse më paralajmëronin për pasojat që do të kisha po të sillesha keq, bënin gjithnjë siç kishin thënë. Megjithatë, asnjëherë nuk më disiplinonin kur ishin me nerva ose pa më shpjeguar arsyen. Prandaj ndihesha e mbrojtur. E dija ku ishin kufijtë e mi dhe e kuptoja qartë ç’kërkohej nga unë.»

SHFAQ PËRULËSI

7, 8. (a) Si tregoi përulësi Jezui kur lutej? (b) Si mund të mësojnë fëmijët nga lutjet e tua të mbështeten te Perëndia?

7 Imagjino si duhet të jenë ndier dishepujt e Jezuit kur morën vesh se ai kishte thënë në një prej lutjeve të fundit si njeri: «Abba, o Atë, gjithçka është e mundur për ty. Hiqe këtë kupë nga unë. Megjithatë, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti.» * (Mar. 14:36) Pa dyshim që dishepujt nxorën këtë mësim nga përgjërimi i Jezuit: përderisa Biri i përsosur i Perëndisë u lut me përulësi për ndihmën e Tij, ata duhej të vepronin njësoj.

8 Çfarë mësojnë fëmijët nga lutjet e tua? Kuptohet, ti nuk i lutesh Jehovait thjesht për të mësuar fëmijët. Prapëseprapë, kur lutesh me përulësi në sy të tyre, fëmijët mësojnë të mbështeten te Jehovai. Ana, që jeton në Brazil, thotë: «Kur lindnin probleme, si për shembull kur sëmureshin gjyshërit, prindërit i kërkonin Jehovait t’u jepte forcë për të përballuar situatën dhe mençuri për të marrë vendime të mira. Madje edhe kur ishin nën presion të tmerrshëm, i linin problemet në dorë të Jehovait. Falë kësaj mësova të mbështetesha te Jehovai.» Kur lutesh me fëmijët, mos u lut vetëm për ta. Kërkoji Jehovait të të ndihmojë edhe ty—ndoshta që të flasësh me punëdhënësin për të marrë leje për kongresin, të të japë guxim t’i dëshmosh një komshiu ose të të ndihmojë në aspekte të tjera. Mbështetu përulësisht te Perëndia, dhe fëmijët do të mësojnë të bëjnë njësoj.

9. (a) Si i mësoi Jezui dishepujt t’u shërbenin përulësisht të tjerëve? (b) Ç’do të mësojnë fëmijët e tu nëse je i gatshëm t’u shërbesh të tjerëve?

9 Me fjalët dhe shembullin e vet Jezui i stërviti dishepujt që t’u shërbenin të tjerëve përulësisht. (Lexo Lukën 22:27.) Ai i mësoi apostujt të ishin vetëmohues kur i shërbenin Jehovait dhe kur kishin të bënin me bashkëbesimtarët. Ti mund t’u mësosh fëmijëve të njëjtën gjë me vetëmohimin dhe përulësinë që tregon. Debi, që ka dy fëmijë, thotë: «Kurrë nuk isha xheloze që im shoq kalonte kohë me të tjerët si plak kongregacioni. E dija se sa herë që familja jonë të kishte nevojë për vëmendjen e tij, nuk do të na mungonte.» (1 Tim. 3:4, 5) Burri i saj, Pranasi, shton: «Me kohë, fëmijët kishin shumë qejf të jepnin një dorë në asamble dhe në projekte teokratike. Ecën mbarë, zunë miq të mirë dhe ndiheshin pjesë e një familjeje të madhe.» Sot tërë familja i shërben Jehovait në kohë të plotë. Ka shumë mundësi që fëmijët të mësojnë si t’u shërbejnë të tjerëve nga mënyra si shfaq ti përulësi dhe vetëmohim.

TREGO GJYKIM TË THELLË

10. Si tregoi gjykim të thellë Jezui kur një turmë vajti ta takonte?

10 Jezui tregonte gjykim të thellë kur shihte përtej gjërave që dukeshin dhe kur dallonte pse vepronte në njëfarë mënyre dikush. Në një rast, disa nga dëgjuesit e tij në Galile dukej sikur kishin dëshirë të zjarrtë ta ndiqnin. (Gjoni 6:22-24) Por Jezui, që mund të lexonte zemrat, dalloi se atyre u interesonte më tepër ushqimi sesa të dëgjonin mësimet e tij. (Gjoni 2:25) Ai e kuptoi ku qëndronte problemi, i ndreqi me durim dhe u shpjegoi si të përmirësoheshin.Lexo Gjonin 6:25-27.

A i duket interesant dhe i kënaqshëm predikimi fëmijës tënd? (Shih paragrafin 11.)

11. (a) Jepni një shembull se si gjykimi i thellë mund ta ndihmojë prindin të dallojë nëse fëmija e ka qejf shërbimin. (b) Si mund ta bësh shërbimin interesant dhe të kënaqshëm për fëmijën?

11 Ti nuk mund të lexosh zemrat, ama mund të tregosh gjykim të thellë dhe të kuptosh si ndihet fëmija për shërbimin. Shumë prindër bëjnë pushime të shkurtra gjatë shërbimit, që fëmijët të çlodhen dhe të hanë a të pinë diçka. Sidoqoftë, mund të shohësh përtej asaj që duket dhe të pyesësh veten: «Çfarë ka qejf fëmija im, shërbimin apo vetëm pushimet?» Nëse dallon se shërbimi mund të bëhet më interesant ose më i kënaqshëm për fëmijën, ndihmoje të vërë synime. Përdor fantazinë që ta ndihmosh të përfshihet plotësisht si shoku yt i shërbimit.

12. (a) Si tregoi gjykim të thellë Jezui kur i paralajmëroi dishepujt për ndyrësinë morale? (b) Pse paralajmërimi i Jezuit ishte në kohën e duhur?

12 Jezui tregoi gjykim të thellë edhe duke nxjerrë në pah hapat e gabuar që çojnë në mëkat. Për shembull, dishepujt e dinin mirë se imoraliteti seksual është i gabuar. Por ai i paralajmëroi për hapat që çojnë në imoralitet kur tha: «Kushdo që vazhdon ta shikojë një grua aq sa ta dëshirojë, tashmë ka kryer kurorëshkelje me të në zemrën e vet. Nëse syri yt i djathtë po të bëhet pengesë, hiqe dhe flake tej.» (Mat. 5:27-29) Ato fjalë ishin tamam në momentin e duhur për të krishterët që jetonin nën sundimin romak. Një historian shkroi se në teatrot romake «syri e veshi bashkë shihnin dhe dëgjonin gjëra të turpshme, dhe skenat më të fëlliqura ishin më të duartrokiturat». Çfarë dashurie dhe gjykimi të thellë tregoi Jezui kur i paralajmëroi dishepujt për gjërat që do t’ua bënin të vështirë të mbeteshin të pastër moralisht!

13, 14. Si mund t’i mbrosh fëmijët nga zbavitjet e papastra?

13 Gjykimi i thellë mund të të ndihmojë t’i mbrosh fëmijët që të mos dëmtohen frymësisht. Sot fëmijët mund të ekspozohen ndaj pornografisë dhe materialeve të tjera imorale në moshë më të njomë se kurrë më parë. Natyrisht, prindërit e krishterë ua thonë fëmijëve se është gabim të zbavitesh me gjëra të papastra. Por, gjykimi i thellë do të të ndihmojë të kuptosh edhe si mund t’i lindë kureshtja fëmijës për pornografinë. Pyet veten: «Ç’gjë mund ta joshë fëmijën të shohë pornografi? A e kupton ai pse është kaq e rrezikshme? A ndihet rehat të vijë tek unë për ndihmë nëse tundohet ndonjëherë të shohë pornografi?» Që kur fëmijët janë të vegjël, mund t’u thuash: «Nëse ndesh papritur një sit imoral dhe të vjen ta shohësh, të lutem hajde fol me mua. Mos ki turp. Dua të të ndihmoj.»

14 Gjykimi i thellë do të të ndihmojë edhe ty që t’i zgjedhësh zbavitjet me maturi. Pranasi, i cituar më sipër, thotë: «Muzika, filmat ose librat që miratojmë ne si prindër përcaktojnë ç’rrugë do të ndjekë familja. Mund të flasësh sa të duash e për çfarë të duash, por fëmijët do të vëzhgojnë si vepron dhe do të të imitojnë.» Nëse fëmijët vërejnë se zgjedh me kujdes zbavitje të pastra, ka shumë të ngjarë të veprojnë si ti.Rom. 2:21-24.

PERËNDIA I VËRTETË DO TË TË DËGJOJË

15, 16. (a) Pse mund të jesh i sigurt se Perëndia do të të ndihmojë t’i stërvitësh fëmijët? (b) Për çfarë do të flasim në artikullin tjetër?

15 Ç’ndodhi kur Manoahu kërkoi ndihmë për të rritur të birin? «Perëndia i vërtetë e dëgjoi zërin e Manoahut.» (Gjyk. 13:9) Prindër, Jehovai do t’ju dëgjojë edhe ju. Ai do t’u përgjigjet lutjeve tuaja dhe do t’ju ndihmojë t’i stërvitni fëmijët. Mund t’ia dilni ta bëni këtë duke treguar dashuri, përulësi dhe gjykim të thellë.

16 Ashtu siç i ndihmon prindërit që t’ia dalin mbanë t’i stërvitin fëmijët kur janë të vegjël, Jehovai mund t’i ndihmojë t’i stërvitin edhe kur bëhen adoleshentë. Në artikullin tjetër do të shqyrtojmë si mund ta imitojnë prindërit dashurinë, përulësinë dhe gjykimin e thellë të Jezuit ndërsa i stërvitin adoleshentët që t’i shërbejnë Jehovait.

^ par. 5 Sipas Biblës, disiplina përfshin të drejtosh, të stërvitësh, të ndreqësh me dashuri dhe nganjëherë të ndëshkosh—por kurrë me nerva.

^ par. 7 Një enciklopedi thotë: «Në gjuhën e përditshme të kohës së Jezuit, fëmijët e përdornin fjalën ‘abbāʼ kryesisht si shprehje ngrohtësie dhe respekti për babanë.»—The International Standard Bible Encyclopedia.