Jezui—Çfarë thonë njerëzit për të?
Jezui—Çfarë thonë njerëzit për të?
«Jezui i Nazaretit . . . është pa frikë figura më e rëndësishme e historisë.»—H. Xh. Uellsi, historian anglez.
«Krishti është . . . unik dhe qëndron shumë më lart se çdo figurë e shquar historike.»—Filip Shafi, teolog dhe historian me origjinë zvicerane.
KUSH mund të quhet njeriu më i madh që ka jetuar ndonjëherë? Si mund ta përcaktojmë madhështinë e një njeriu? Duke parë aftësitë ushtarake, fuqinë apo inteligjencën? Apo mos ndoshta duke parë shembullin që la, si edhe ndikimin që kanë fjalët dhe veprat e tij te të tjerët?
Shih ç’kanë thënë e ç’thonë shkencëtarë, studiues, shkrimtarë, udhëheqës politikë e të tjerë për këtë burrë nga Nazareti—Jezu Krishtin.
«Të mohosh se Jezui i Nazaretit është figura më e fuqishme e historisë, jo vetëm i dy mijë viteve të fundit, por edhe i të gjitha kohëve, duhet të shtrembërosh faktet.»—Rejnolds Praisi, shkrimtar amerikan dhe studiues i Biblës.
«Një njeri krejtësisht i pafajshëm dha veten si sakrificë në dobi të të tjerëve, përfshirë edhe atë të armiqve të vet, dhe u bë shpërblesë për botën. Ishte një gjest i përkryer.»—Mohandas K. Gandi, udhëheqës politik e shpirtëror i Indisë.
«Kur isha i vogël, më mësuan si Biblën, ashtu edhe Talmudin. Megjithëse vetë jam hebre, më ka mahnitur figura e shkëlqyer e nazareasit.»—Albert Ajnshtajni, shkencëtar, lindur në Gjermani.
«Qoftë si Bir i Perëndisë, qoftë si bir njeriu, për mua Jezu Krishti është personaliteti më i shquar i të gjitha kohëve, i tërë historisë. Çdo gjë që ai ka thënë e ka bërë është e dobishme edhe për ne sot, e këtë s’ka arritur ta bëjë njeri tjetër, i gjallë a i vdekur qoftë.»—Sholem Ashi, eseist me origjinë polake. Citimi është marrë nga Christian Herald, si edhe kursivi.
«Për tridhjetë e pesë vjet kam qenë një nihilist në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk besoja asgjë. Pesë vjet më parë u bëra besimtar. Arrita të besoja në doktrinën e Jezu Krishtit dhe papritur e gjithë jeta ime ndryshoi.»—Konti Leon Tolstoi, novelist dhe filozof rus.
«[Jezui] ka pasur më shumë ndikim se çdo njeri tjetër mbi tokë, dhe ky ndikim vazhdon të rritet.»—Keneth Skot Latureti, shkrimtar dhe historian amerikan.
«A mund të themi se historia e jetës së Jezuit është trillim? Në fakt, miku im, nuk ngjason fare me një trill. Përkundrazi. As vetë historia e Sokratit, për të cilën askush nuk guxon të dyshojë, nuk është dokumentuar aq mirë sa historia e Jezu Krishtit.»—Zhan-Zhak Rusoi, filozof francez.
Qartë pra, s’ka model më të mirë për ne, sesa ai i Jezu Krishtit. Pavli, një njeri i arsimuar i shekullit të parë, të cilin Jezui e zgjodhi si dishepull dhe që t’u jepte dëshmi kombeve për të, na nxit ta «mbajmë shikimin të ngulur» te Jezui. (Hebrenjve 12:2; Veprat 9:3) Atëherë, çfarë mund të mësojmë nga Jezui për mënyrën si të jetojmë? Si mund të nxjerrësh dobi nga jeta e tij?