Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Figurat letrare në Bibël​—A i kuptoni?

Figurat letrare në Bibël​—A i kuptoni?

Figurat letrare në Bibël​—A i kuptoni?

NJË figurë mund të vlejë më shumë se mijëra fjalë, por disa herë vetëm një ose dy fjalë mund të krijojnë një figurë a imazh. Figurat letrare ose shprehjet që krijojnë një imazh në mendjen e lexuesit, gjenden me bollëk nëpër faqet e Biblës. * Për shembull, sipas një llogaritjeje, vetëm në një fjalim që mbajti—Predikimi në Mal—Jezui përdori më tepër se 50 figura letrare.

Pse duhet t’ju interesojnë këto figura letrare? Së pari, nëse i kuptoni ato, kjo do t’jua bëjë leximin e Biblës më të gjallë e më të ngrohtë dhe do t’jua rritë çmueshmërinë për Fjalën e Perëndisë. Përveç kësaj, nëse i kuptoni saktë figurat letrare, do të kuptoni më mirë mesazhin e Biblës. Në fakt, në qoftë se nuk arrijmë të kuptojmë një figurë letrare në Bibël, kjo jo vetëm mund të na krijojë pështjellim, por edhe mund të na çojë në përfundime të gabuara.

Të kuptojmë figurat letrare

Një figurë letrare krahason një koncept me një tjetër. Koncepti bazë quhet subjekti, kurse koncepti me të cilin krahasohet quhet imazhi. Krahasimi mes dy koncepteve është pika e ngjashmërisë. Si rrjedhim, çelësi për të kuptuar domethënien e vërtetë të një figure letrare gjendet në identifikimin dhe kuptimin e secilit prej këtyre tri elementeve.

Ndonjëherë mund të jetë disi e lehtë të identifikojmë subjektin dhe imazhin. Por, ndoshta ka disa mundësi për sa i përket pikës së ngjashmërisë. Çfarë do t’ju ndihmojë të kuptoni saktë ngjashmërinë? Shpesh përgjigjja gjendet te konteksti, domethënë materiali përreth. *

Për shembull, Jezui i tha kongregacionit në Sardë: «Sigurisht, nëse nuk zgjohesh, do të vij si hajdut.» Jezui po e krahasonte ardhjen e tij (subjekti) me ardhjen e një hajduti (imazhi). Por, cila ishte pika e ngjashmërisë? Për këtë na ndihmon konteksti. Jezui vazhdoi të thoshte: «S’do ta marrësh vesh se në ç’orë do të vij mbi ty.» (Zbulesa 3:3) Pra, krahasimi nuk thekson qëllimin e ardhjes. Ai nuk donte të thoshte se do të vinte për të vjedhur diçka. Përkundrazi, pika e krahasimit nënkupton se ardhja e tij do të ishte e papritur dhe e panjoftuar.

Megjithatë, disa herë, një figurë letrare që del në një pjesë të Biblës, mund t’ju ndihmojë të kuptoni një figurë letrare të ngjashme që del në një pjesë tjetër. Për shembull, apostulli Pavël përdori të njëjtën figurë letrare që përdori Jezui, kur shkroi: «Ju e dini fort mirë se dita e Jehovait vjen tamam si një hajdut natën.» (1 Selanikasve 5:2) Konteksti i fjalëve të Pavlit nuk tregon qartë pikën e ngjashmërisë. Megjithatë, krahasimi i kësaj figure letrare me atë që përdori Jezui te Zbulesa 3:3, mund t’ju ndihmojë të kuptoni pikën e ngjashmërisë. Ç’përkujtues i fuqishëm është kjo figurë letrare për të gjithë të krishterët e vërtetë, të cilët duhet të qëndrojnë syçelë pasi kohët janë urgjente!

Figura letrare që na mësojnë për Perëndinë

Asnjë njeri nuk mund të kuptojë të gjitha aspektet e personalitetit dhe të aftësive të të Plotfuqishmit. Në kohët e lashta, mbreti David shkroi se ‘madhështia e Jehovait është e pahetueshme’. (Psalmi 145:3) Pasi shqyrtoi disa nga veprat krijuese të Perëndisë, Jobi tha i entuziazmuar: «E pra, këto s’janë veç thekët e udhëve të tij. Ne dëgjojmë veç pëshpërimën e zërit të tij, por bubullimën që lëshon ai, kush mund ta kuptojë?»—Jobi 26:14.

Megjithatë, Bibla përdor figura letrare për t’ju ndihmuar të kuptoni, edhe pse jo plotësisht, cilësitë madhështore të Perëndisë tonë qiellor. Jehovai përshkruhet si Mbret, Ligjvënës, Gjykatës dhe Luftëtar—pa dyshim, si dikush që duhet ta respektoni. Ai paraqitet edhe, si Bari, Këshilltar, Mësues, Atë, Shërues dhe Shpëtimtar—si dikush që mund ta doni. (Psalmi 16:7; 23:1; 32:8; 71:17; 89:26; 103:3; 106:21; Isaia 33:22; 42:13; Gjoni 6:45) Secili nga këto përshkrime të thjeshta ngjall shumë përfytyrime të ngrohta me disa pika ngjashmërie. Figura të tilla letrare përcjellin më shumë se sa mund të përcillnin në mënyrë të mjaftueshme një bollëk fjalësh.

Gjithashtu, Bibla e krahason Jehovain me gjëra të pajeta. Ai përshkruhet si «Shkëmbi i Izraelit», si një ‘shkrep’ dhe si një ‘kala’. (2 Samuelit 23:3; Psalmi 18:2; Ligji i përtërirë 32:4) Cila është pika e ngjashmërisë? Ashtu si një shkëmb i madh është vendosur në mënyrë të patundshme dhe nuk lëkundet, po kështu Perëndia Jehova mund të jetë një Burim i qëndrueshëm sigurie për ju.

Libri i Psalmeve është plot me figura letrare që përshkruajnë aspekte të ndryshme të personalitetit të Jehovait. Për shembull, Psalmi 84:11 e quan Jehovain «diell dhe mburojë» sepse ai është Burimi i dritës, jetës, energjisë dhe një mbrojtje. Nga ana tjetër, Psalmi 121:5 thotë se «Jehovai është hija jote në të djathtën tënde». Ashtu si një vend me hije mund të të mbrojë nga dielli përvëlues, Jehovai mund t’i mbrojë nga nxehtësia e gjëmave ata që i shërbejnë. Kjo hije mbrojtëse gjendet nën ‘dorën’ ose nën ‘krahët’ e tij.—Isaia 51:16; Psalmi 17:8; 36:7.

Figura letrare që përshkruajnë Jezuin

Bibla e quan herë pas here Jezuin «Biri i Perëndisë». (Gjoni 1:34; 3:16-18) Disa që nuk janë të krishterë e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë, meqë Perëndia nuk ka një grua në kuptimin e mirëfilltë dhe nuk është me natyrë njerëzore. Natyrisht, Perëndia nuk e sjell në jetë një bir në të njëjtën mënyrë siç bëjnë njerëzit. Prandaj kjo shprehje është figurë letrare. Ajo ka si qëllim ta ndihmojë lexuesin të kuptojë se lidhja e Jezuit me Perëndinë është si ajo e një biri njerëzor me atin e vet. Gjithashtu, kjo figurë letrare thekson se Jezui e mori jetën nga Jehovai, pasi Ai e krijoi. Në mënyrë të ngjashme, edhe njeriu i parë, Adami, quhet «bir i Perëndisë».—Luka 3:38.

Jezui përdori figura letrare për të përshkruar rolet e ndryshme që luan ai në plotësimin e qëllimit të Perëndisë. Për shembull, ai tha: «Unë jam hardhia e vërtetë, kurse Ati im është kultivuesi.» Pastaj, Jezui i krahasoi dishepujt me degët e hardhisë. (Gjoni 15:1, 4) Çfarë pikash të rëndësishme mësojmë nga kjo figurë letrare? Që të mbeten të frytshme dhe të mos thahen, degët e hardhisë duhet të qëndrojnë të lidhura me trungun. Po kështu, dishepujt e Krishtit duhet të qëndrojnë në unitet me të. «Pa mua, s’mund të bëni asgjë fare»,—tha Jezui. (Gjoni 15:5) Dhe, ashtu si një kultivues pret që vreshti të japë fryt, Jehovai pret që ata që janë në unitet me Krishtin të japin fryt në kuptimin e figurshëm.—Gjoni 15:8.

Sigurohuni për pikën e ngjashmërisë

Mund të krijojmë një përshtypje të gabuar vetëm duke e lexuar një figurë letrare, pa kuptuar pikën e ngjashmërisë. Merrni si shembull fjalët që gjenden te Romakëve 12:20: «Nëse armiku yt është i uritur, jepi të hajë, nëse është i etur, jepi diçka për të pirë, sepse po të bësh kështu, do të grumbullosh thëngjij të ndezur mbi kokën e tij.» A nënkupton grumbullimi i thëngjijve të ndezur mbi kokën e një njeriu hakmarrje? Jo, nëse kuptojmë pikën e ngjashmërisë. Kjo figurë letrare është marrë nga procesi i shkrirjes së mineraleve që kryhej në lashtësi. Minerali nxehej mbi një shtresë thëngjijsh të ndezur dhe disa thëngjij viheshin pirg edhe sipër mineralit. Ky proces e shkrinte mineralin dhe bënte që metali i pastër të ndahej nga papastërtitë. Po kështu, kur tregojmë dashamirësi ndaj një personi, mund të zbutim qëndrimin e tij dhe ta nxitim që të nxjerrë të mirën që ka brenda vetes.

Kuptueshmëria e saktë e figurave letrare jo vetëm që na ndriçon mendjen, por edhe na prek zemrën. Kur Bibla e krahason mëkatin me një borxh, ndiejmë barrën e tij. (Luka 11:4, shënimi) Por ç’lehtësim ndiejmë kur Jehovai na fal dhe na e fshin borxhin, i cili në rast të kundërt do të mbahej llogari. Kur na thuhet se ai ‘nuk na i ngarkon’, por ‘na i fshin’ mëkatet, kemi sigurinë se nuk do t’i mbajë këto mëkate për t’i përdorur kundër nesh në të ardhmen. (Psalmi 32:1, 2; Veprat 3:19) Dhe, sa na ngushëllon dijenia se mëkatet që janë të kuqe flakë, Jehovai mund t’i bëjë të bardha si bora!—Isaia 1:18.

Këto janë vetëm disa nga qindra figurat letrare që gjenden në Fjalën e Perëndisë, Biblën. Prandaj, kur të lexoni Biblën, kushtojuni vëmendje të veçantë këtyre figurave. Ndaluni për të gjetur pikat e ngjashmërisë dhe meditoni rreth tyre. Kështu do t’i kuptoni më mirë Shkrimet dhe do t’i vlerësoni edhe më shumë ato.

[Shënimet]

^ par. 2 Në këtë artikull, shprehja «figurë letrare» u referohet në kuptimin e përgjithshëm metaforave, krahasimeve ose ndonjë mjeti tjetër letrar që përmban gjuhë të figurshme.

^ par. 6 Enciklopedia biblike në dy vëllime Të fitojmë gjykim të thellë nga Shkrimet (anglisht), botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, siguron informacion të zgjeruar për kontekstin që, në shumë raste, ndihmon për të shpjeguar pikën e ngjashmërisë.

[Kutia në faqen 13]

Si ndihmojnë figurat letrare

Figurat letrare na ndihmojnë në disa mënyra. Një pikë e vështirë mund të krahasohet me diçka që kuptohet lehtë. Mund të përdoren disa figura letrare për të sqaruar aspekte të ndryshme të një argumenti të veçantë. Me anë të figurave letrare, mund të theksohen koncepte të rëndësishme ose ato mund të bëhen më tërheqëse.

[Kutia në faqen 14]

Të identifikojmë elementet e ndryshme

FIGURA LETRARE: «Ju jeni kripa e tokës» (Mateu 5:13)

SUBJEKTI: Ju (dishepujt e Jezuit)

IMAZHI: Kripa

PIKA E NGJASHMËRISË NË KËTË KONTEKST: Vetia ruajtëse

MËSIMI: Dishepujt kishin një mesazh që mund t’ua ruante ose shpëtonte jetën shumë njerëzve.

[Diçitura në faqen 15]

«Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë.»​—PSALMI 23:1.