Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A janë fatkeqësitë e jetës ndëshkim nga Perëndia?

A janë fatkeqësitë e jetës ndëshkim nga Perëndia?

Lexuesit pyesin

A janë fatkeqësitë e jetës ndëshkim nga Perëndia?

A të ka shtyrë ndonjë ngjarje tronditëse në jetë të pyesësh nëse donte Perëndia që ty të të binte ajo fatkeqësi? Një sëmundje e papritur, një aksident që të lë të paralizuar ose një vdekje e parakohshme në familje, mund të na bëjë të mendojmë se Perëndia na ka vënë në shënjestër për të na ndëshkuar.

Duhet të ngushëllohesh, pasi e vërteta është krejt ndryshe: Perëndia dëshiron që njerëzit të jenë të lumtur dhe të mos u ndodhë ndonjë e keqe. Kjo duket nga fakti se, kur Perëndia krijoi njerëzit e parë, i vuri në «kopshtin e Edenit», një parajsë si një park, ku jeta nuk do të kishte asnjë vuajtje.—Zanafilla 2:15.

Mjerisht, çifti i parë zgjodhi t’i kthente shpinën kësaj të ardhmeje të mrekullueshme dhe nuk iu bind vullnetarisht Perëndisë. Pasoja ishte e kobshme jo vetëm për ata, por edhe për të gjithë pasardhësit e tyre, përfshirë edhe ne. Pse? Kjo situatë mund të krahasohet me rastin kur një kryefamiljar nuk e paguan qiranë e shtëpisë. Si pasojë, të gjithë familjen e përzënë nga shtëpia, dhe kështu mbeten në nevojë e në vështirësi. Po njësoj, fatkeqësitë i kanë rënë njerëzimit që kur u rebelua çifti i parë. (Romakëve 5:12) Pas shumë vjetësh, Jobi i drejtë tha përvajshëm se, «sikur të peshohej» dhembja e vuajtjet e tij, ‘do të rëndonin më shumë se rëra e detit’.—Jobi 6:2, 3.

Shkak tjetër për ndonjë fatkeqësi është edhe largpamësia jonë e kufizuar. Për shembull, ta zëmë se një firmë ndërtimi ndërton dhe shet shtëpi në një zonë ku ka rrëshqitje toke. Duke mos e ditur këtë, ju blini një nga këto apartamente. A nuk po rrezikoni ju vetë dhe familja juaj që të prekeni nga fatkeqësi të rënda? Çdo problem që mund të lindte nuk do të shihej si ndëshkim nga Perëndia, apo jo? E vërteta shpjegohet në Bibël: «Kush është pa përvojë, i beson çdo fjale, por kush është mendjehollë, i shqyrton hapat e tij.»—Proverbat 14:15.

Sidoqoftë, është ngushëlluese të dimë se, ndonëse të gjithë ne mund të kalojmë fatkeqësi, Perëndia ka si qëllim që shumë shpejt njerëzimi të çlirohet prej tyre. Kur të vijë ajo ditë, kurrë nuk do të përjetosh, shohësh dhe as do të dëgjosh për fatkeqësi. Lotët e trishtimit, dhembja, vdekja dhe vajtimi ‘do të kenë shkuar’. (Zbulesa 21:4) Marrim zemër edhe nga premtimi se shtëpitë që do të ndërtojnë njerëzit dhe të mbjellat e tyre s’do të shkatërrohen kurrë nga lufta ose katastrofat. Përkundrazi, ata «do të nxjerrin dobi të plotë» nga vepra e duarve të tyre.—Isaia 65:21-25.

Ndërsa pret që Perëndia të zhdukë plotësisht fatkeqësitë, ç’mund të bësh për të pakësuar pasojat e tyre? Hapi i parë e më i rëndësishëm është ‘të mos mbështetesh në kuptueshmërinë tënde’, siç na këshillon Bibla, por ‘të besosh te Jehovai me gjithë zemër’. (Proverbat 3:5) Kërkoji atij drejtim dhe lehtësim. Kushtoji vëmendje mençurisë hyjnore që gjendet në Bibël. Kjo do të të ndihmojë të marrësh vendime të mençura dhe do të të mbrojë nga ato fatkeqësi që mund të shmangen.—Proverbat 22:3.