Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e miraton Perëndia poligaminë?

A e miraton Perëndia poligaminë?

Lexuesit pyesin

A e miraton Perëndia poligaminë?

Jo! Standardi që vendosi Perëndia në Eden kur u bë martesa e parë ishte monogamia. Jezu Krishti më vonë e ripohoi këtë standard për dishepujt e tij.—Zanafilla 2:18-24; Mateu 19:4-6.

Por, a nuk kishin më shumë se një grua burra të kohëve para krishterimit të tillë, si Abrahami, Jakobi, Davidi dhe Solomoni? Po. Megjithatë, si e paraqit Bibla një gjë të tillë? Ajo tregon fërkimet dhe konfliktet që lindën në familjet e Abrahamit dhe të Jakobit si pasojë e poligamisë. (Zanafilla 16:1-4; 29:18–30:24) Më vonë, në Ligjin e Perëndisë u përfshi ky urdhër për çdo mbret: «Ai nuk duhet të shtojë gratë e veta, që zemra e tij të mos shmanget nga udha.» (Ligji i përtërirë 17:15, 17) Solomoni e shpërfilli këtë urdhër dhe mori mbi 700 gra. Mjerisht, zemra e Solomonit u shmang vërtet nga udha e Jehovait për shkak të ndikimit të keq të grave të shumta. (1 Mbretërve 11:1-4) Pra, është e qartë se Bibla e paraqit në një dritë negative poligaminë.

Prapëseprapë, disa mund të pyesin se përse Perëndia vendosi ta toleronte poligaminë mes popullit të tij. Mendoni këtë: a keni mbajtur ndonjëherë përkohësisht një mobilie, megjithëse duhej ndërruar, sepse keni menduar që nuk do të ishte praktike ose do të hapte telashe po ta hiqnit? Sigurisht, udhët dhe mendimet e Perëndisë janë më të larta se tonat. (Isaia 55:8, 9) Megjithatë, mund të dallojmë disa arsye praktike pse Perëndia toleroi poligaminë për njëfarë kohe.

Kujtoni që në Eden, Jehovai premtoi se do të vinte ‘një farë’ që në fund do ta shkatërronte Satanain. Më vonë, Abrahamit iu tha se do të bëhej atë i një kombi të madh dhe se Fara e parathënë do të vinte nga linja e tij familjare. (Zanafilla 3:15; 22:18) Satanai ishte i vendosur që të mos lejonte ardhjen e kësaj Fare. Prandaj, mendonte vetëm se si ta shkatërronte kombin e lashtë të Izraelit. Shpesh ai e joshi Izraelin në mëkat, që kombi të mos kishte më miratimin dhe mbrojtjen e Perëndisë.

Për t’iu kundërvënë këtyre sulmeve, Jehovai vazhdimisht dërgonte profetë që ta paralajmëronin popullin kur ky shmangej nga normat e drejta. Sidoqoftë, ai e dinte që më përpara se populli i tij shpesh nuk do t’u bindej madje as urdhërimeve më kryesore, si për shembull, ai kundër idhujtarisë. (Dalja 32:9) Nëse ata do ta kishin të vështirë t’i bindeshin një ligji kryesor, si do të respektonin një ligj kundër poligamisë? Ngaqë e kupton në mënyrë të përsosur natyrën njerëzore, Jehovai e dinte se nuk kishte ardhur ende koha për ta ndaluar poligaminë, e cila ishte rrënjosur prej kohësh. Po ta kishte ndaluar, Satanai do të kishte gjetur një mjet shumë të lehtë për ta joshur Izraelin në mëkat.

Tolerimi i përkohshëm i poligamisë nga Perëndia kishte edhe dobi të tjera. Kjo e ndihmoi kombin të shtohej shpejt. Popullsia e madhe ndihmoi për të siguruar mbijetesën e kombit deri në kohën e Mesisë. Gjithashtu, poligamia mund t’i ketë mbrojtur në njëfarë mënyre disa gra, të cilat kishin kështu një strehë dhe një familje në kohë të rrezikshme.

Por, mbani parasysh që nuk ishte Jehovai nismëtari i kësaj praktike. Ai e toleroi për një kohë të kufizuar, ndërkohë që vuri rregulla strikte për të mos lejuar abuzime. (Dalja 21:10, 11; Ligji i përtërirë 21:15-17) Kur Jehovai vendosi t’i jepte fund poligamisë mes adhuruesve të tij, ai përdori Birin e vet për të ripohuar standardin e vendosur në Eden në lidhje me martesën. Kështu, Jezui e ndaloi poligaminë mes dishepujve të tij. (Marku 10:8) Atëherë, u bë edhe më e qartë kjo e vërtetë: Ligji i Moisiut ishte i mirë për kohën e vet, por ‘ligji i Krishtit’ është edhe më i mirë.—Galatasve 6:2.