Lexuesit pyesin
Në ç’kuptim Jezui dhe Ati janë një?
«Unë dhe Ati jemi një»,—tha Jezui. (Gjoni 10:30) Disa e përmendin këtë shkrim për të vërtetuar se Jezui dhe Ati i tij janë dy pjesë të një Perëndie trinitet. A donte të thoshte këtë Jezui me këto fjalë?
Le të mendojmë pak për kontekstin. Në vargun 25, Jezui tha se i bënte veprat në emër të Atit të tij. Nga vargu 27 deri në vargun 29, ai foli në kuptim simbolik për delet, të cilat ia kishte dhënë Ati i tij. Të dyja këto pohime nuk do të kishin shumë kuptim për dëgjuesit, nëse Jezui dhe Ati i tij do të ishin i njëjti person. Përkundrazi, Jezui po thoshte: ‘Ati dhe unë jemi aq shumë në unitet me njëri-tjetrin, sa askush nuk mund t’i largojë delet nga unë, ashtu si askush nuk mund t’i largojë nga Ati im.’ Është pak a shumë sikur një djalë t’i thotë armikut të babait të tij: ‘Nëse sulmon babanë tim, më ke sulmuar mua.’ Askush nuk do të mendonte se ky djalë dhe babai i tij janë i njëjti person. Por të gjithë do ta dallonin lidhjen e fortë që ekzistonte midis të dyve.
Jezui dhe Ati i tij, Perëndia Jehova, janë «një» edhe në kuptimin që janë në harmoni të plotë me njëri-tjetrin për sa u përket qëllimeve, normave dhe vlerave. Ndryshe nga Satana Djalli e nga çifti i parë njerëzor, Adami dhe Eva, Jezui nuk ka dashur kurrë të jetë i pavarur nga Perëndia. «Biri s’mund të bëjë as edhe një gjë me nismën e vet, por vetëm atë që sheh se bën Ati,—shpjegoi Jezui.—Gjithçka që bën Ai, bën edhe Biri.»—Gjoni 5:19; 14:10; 17:8.
Megjithatë, ky unitet i fortë nuk i bën Atin dhe Birin e tij, Jezuin, të padallueshëm nga njëri-tjetri. Ata janë dy individë më vete. Secili prej tyre ka personalitetin e vet të veçantë. Jezui ka ndjenjat e veta, mendimet e veta, përvojat e veta dhe vullnet të lirë. Prapëseprapë, zgjodhi t’i nënshtrohej vullnetit të Atit të tij. Sipas Lukës 22:42, Jezui tha: «Le të mos bëhet vullneti im, por yti.» Këto fjalë nuk do të kishin kuptim, nëse vullneti i tij nuk do të ndryshonte nga ai i Atit. Nëse Jezui dhe Ati do të ishin vërtet i njëjti person, atëherë pse Jezui iu lut Perëndisë dhe me përulësi pranoi se nuk i dinte gjërat që dinte vetëm Ati?—Mateu 24:36.
Anëtarë të shumë feve adhurojnë perëndi që paraqiten sikur grinden ose luftojnë me pjesëtarët e familjes së tyre. Për shembull, në mitologjinë greke, Kroni hoqi nga froni të atin, Uranin, dhe hëngri fëmijët e vet. Sa ndryshon kjo nga uniteti i bazuar në dashurinë e vërtetë, që ekziston mes Perëndisë Jehova dhe Birit të tij, Jezuit! Ky unitet na bën t’i duam edhe më shumë. Në fakt, kemi privilegjin e pashoq të jemi në unitet me dy Personat më të lartë në gjithë universin. Jezui u lut për dishepujt e tij: «Të lutem . . . që ata të jenë të gjithë një, ashtu si ti, o Atë, je në unitet me mua, dhe unë jam në unitet me ty, që edhe ata të jenë në unitet me ne.»—Gjoni 17:20, 21.
Pra, kur tha «unë dhe Ati jemi një», Jezui nuk po fliste për një Trinitet misterioz, por për një unitet të mrekullueshëm—lidhja më e ngushtë që mund të ekzistojë mes dy personash.