Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Fryma e shenjtë: Një forcë që ju duhet në jetë

Fryma e shenjtë: Një forcë që ju duhet në jetë

Fryma e shenjtë: Një forcë që ju duhet në jetë

«MOS më flak larg fytyrës sate dhe mos e hiq prej meje frymën tënde të shenjtë!» (Psalmi 51:11) Kështu u lut me zjarr mbreti David pasi kishte bërë një gabim të rëndë.

Davidi e kishte provuar prej kohësh fuqinë e frymës së shenjtë. Kur ishte veçse një djalosh, fryma e kishte fuqizuar që të mundte Goliadin, një ushtar të frikshëm. (1 Samuelit 17:45-50) E kishte fuqizuar edhe që të shkruante disa nga psalmet më të bukura që janë kompozuar ndonjëherë. Davidi shpjegoi: «Fryma e Jehovait foli nëpërmjet meje, dhe fjala e tij ishte në gjuhën time.»—2 Samuelit 23:2.

Edhe Jezu Krishti e pohoi rolin që kishte pasur fryma e shenjtë në jetën e Davidit. Një herë, Jezui u tha dëgjuesve të tij: «Vetë Davidi tha me anë të frymës së shenjtë: “Jehovai i tha Zotërisë tim: ‘Ulu në të djathtën time, derisa t’i vë armiqtë e tu poshtë këmbëve të tua.’”» (Marku 12:36; Psalmi 110:1) Jezui e dinte se Davidi, kur shkroi psalmet, udhëhiqej nga fryma e shenjtë. A mund të na ndihmojë edhe ne kjo frymë e shenjtë?

«Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet»

Ndoshta nuk do të shkruani kurrë ndonjë psalm. Por mund të hasni pengesa që ju duken tmerruese, si Goliadi gjigant. Për shembull, mendo për Izabelën. * I shoqi e la për një grua tjetër më të re. Jo vetëm kaq, por e la të mbytur në borxhe dhe nuk e mbështeti ekonomikisht për dy vajzat e vogla që kishin. Ajo thotë: «U ndjeva e tradhtuar dhe e trajtuar si fundërrinë. Gjithsesi, që kur ai më la, kam ndier se fryma e shenjtë e Perëndisë më ka mbështetur.»

A mendonte Izabela se do ta merrte vetvetiu frymën e shenjtë? Jo, ajo i përgjërohej çdo ditë Perëndisë t’i jepte frymën e tij. E dinte se i duhej forca nga Perëndia që ta përballonte të ardhmen me guxim, të kujdesej siç duhej për fëmijët e të zhvillonte sërish vlerësimin për veten, që i ishte shkatërruar krejt. Ajo ndoqi këshillën e Jezuit: «Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet, vazhdoni të kërkoni dhe do të gjeni, vazhdoni të trokitni dhe do t’ju hapet.»—Mateu 7:7.

Edhe Robertoja mendonte se kishte nevojë për frymën e Perëndisë, por për të tjera arsye. Ai kishte vesin e duhanit dhe të hashashit, që i pinte thuajse vazhdimisht. I luftoi këto vese për dy vite të tëra, dhe ra përsëri disa herë. Robertoja shpjegon: «Kur nuk merr më drogë, vuan nga ankthi. Trupi vazhdon ta kërkojë çdo ditë drogën.»

Ai vazhdon: «Isha i vendosur ta ndryshoja jetën, që t’i shërbeja Perëndisë në mënyrë të pranueshme. U përpoqa ta mbushja mendjen me mendime pozitive nga Bibla. Lutesha me zjarr çdo ditë, duke i kërkuar forcë Perëndisë që të pastroja jetën. E dija se nuk do t’ia dilja dot vetë. Pashë se si Jehovai iu përgjigj lutjeve të mia, sidomos kur ndihesha i shkurajuar pasi kisha rënë përsëri në veset e mia. Besoj se fryma tij e shenjtë më dha forca të reja; pa frymën e tij, nuk do t’i kisha mposhtur kurrë ato vese.»—Filipianëve 4:6-8.

Ngrihen «me krahë si shqiponjat»

Ashtu si Izabela dhe Robertoja, miliona Dëshmitarë të Jehovait e kanë përjetuar në jetën e tyre fuqinë e frymës së shenjtë. Nëse dëshiron, edhe ti mund ta kesh forcën vepruese të Jehovait, forcën që qëndron pas krijimit të universit. Perëndia ka dëshirë dhe është i gatshëm të të japë frymën e tij, po t’ia kërkosh me ngulm. Por, që të marrësh këtë frymë, duhet të mësosh të vërtetën rreth tij dhe të përpiqesh sinqerisht të bësh vullnetin e tij.—Isaia 55:6; Hebrenjve 11:6.

Falë fuqisë së frymës së shenjtë, mund të marrësh forcë që të arrish t’i shërbesh Perëndisë dhe t’i bësh ballë çdo lloj problemi që mund të të lindë. Për këtë na siguron Bibla: «[Jehovai] i jep fuqi të lodhurit, ndërsa atij që s’ka forcë për të bërë asgjë, i jep fuqi me bollëk. . . . Ata që shpresojnë te Jehovai, do të rimarrin fuqi. Ata do të ngrihen me krahë si shqiponjat, do të vrapojnë e s’do të rraskapiten, do të ecin e s’do të lodhen.»—Isaia 40:28-31.

[Shënimi]

^ par. 6 Disa emra janë ndryshuar.

[Diçitura në faqen 8]

‘Lutesha me zjarr çdo ditë, duke i kërkuar Perëndisë të më jepte forcë. E dija se nuk do t’ia dilja dot vetë. Pashë se si iu përgjigj ai lutjeve të mia’

[Kutia dhe figura në faqen 7]

FRYMA E SHENJTË NË VEPRIM

Perëndia e përdori frymën e shenjtë për të krijuar tokën dhe gjithë universin. Psalmisti tha: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri. Toka është plot me ato që ke bërë ti. Kur dërgon frymën tënde, ato krijohen.»—Psalmi 104:24, 30; Zanafilla 1:2; Jobi 33:4.

Fryma e shenjtë frymëzoi burra me frikë Perëndie që të shkruanin Biblën. «I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm»,—shkroi apostulli Pavël. (2 Timoteut 3:16) Fjala greke e përkthyer «i frymëzuar nga Perëndia» fjalë për fjalë do të thotë «që i ka fryrë Perëndia». Fryma e Jehovait drejtoi mendimet e shkrimtarëve të Biblës, kështu që ata përcollën «fjalën e Perëndisë».—1 Selanikasve 2:13.

Fryma e shenjtë i fuqizoi shërbëtorët e Perëndisë ta parathoshin me saktësi të ardhmen. Apostulli Pjetër shpjegoi: «Asnjë profeci e Shkrimit nuk buron nga ndonjë interpretim personal. Sepse profecia nuk ka ardhur kurrë nga vullneti i njeriut, por njerëzit kanë thënë atë që erdhi nga Perëndia, ndërsa ishin të shtyrë nga fryma e shenjtë.»—2 Pjetrit 1:20, 21; Joeli 2:28.

Fryma e shenjtë ndihmoi Jezuin dhe njerëz të tjerë me besim të predikonin lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë e të kryenin mrekulli. Jezui tha: «Fryma e Jehovait është mbi mua, sepse ai më mirosi që t’u shpall lajmin e mirë të varfërve, më dërgoi që t’u predikoj çlirimin robërve dhe kthimin e shikimit të verbërve.»—Luka 4:18; Mateu 12:28.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

SI MUND TË TË NDIHMOJË FRYMA E SHENJTË?

Fryma e shenjtë mund të të forcojë të luftosh tundimin dhe të mposhtësh veset. Apostulli Pavël tha: «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, që të jeni në gjendje t’i qëndroni.»—1 Korintasve 10:13.

Fryma e shenjtë mund të të ndihmojë të zhvillosh cilësi që i pëlqejnë Perëndisë. «Fryti i frymës është dashuria, gëzimi, paqja, shpirtgjerësia, mirëdashja, mirësia, besimi, butësia, vetëkontrolli.»—Galatasve 5:22, 23.

Fryma e shenjtë mund të të forcojë të durosh sprovat. «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.» —Filipianëve 4:13.