Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Peshkimi në detin e Galilesë

Peshkimi në detin e Galilesë

Peshkimi në detin e Galilesë

ÇFARË jete bënte një peshkatar në detin e Galilesë, në shekullin e parë? Përgjigjja hedh dritë mbi shumë tregime të Ungjijve, si ato që u shqyrtuan në artikullin e mëparshëm.

Ky «det» faktikisht është një liqen me ujë të ëmbël, 21 kilometra i gjatë dhe 12 kilometra i gjerë. Peshkatarët e kanë shfrytëzuar prej kohësh sasinë e madhe të peshqve që gëlojnë në të. Me sa duket, te Porta e Peshqve në Jerusalem ndodhej një treg peshku. (Nehemia 3:3) Peshqit që shiteshin atje vinin edhe nga deti i Galilesë.

Apostulli Pjetër vinte nga një qytet buzë detit të Galilesë që quhej Betsaidë, fjalë që mund të ketë kuptimin «shtëpia e peshkatarit». Një qytet tjetër buzë atij liqeni quhej Magadan ose Magdalë, ku i çoi Jezui dishepujt ca kohë pasi eci në ujë. (Mateu 15:39) Sipas një shkrimtari, emri grek i atij qyteti mund të përkthehet «qyteti i përpunimit të peshkut». Ishte i njohur për punishtet e shumta të peshkut, ku peshqit e zënë në liqen thaheshin e kriposeshin ose marinoheshin për të prodhuar një salcë që ruhej në poçe argjile të quajtura amfora. Këto produkte paketoheshin dhe dërgoheshin me anije në çdo pjesë të Izraelit ose edhe më tej.

Pra, peshkimi, përpunimi dhe tregtimi i peshkut ishte biznes i madh në Galilenë e kohës së Jezuit. Normalisht do të mendonim se kjo do t’u sillte përfitime ekonomike shumë njerëzve në atë zonë. Por nuk ishte medoemos kështu. Një studiues thotë se peshkimi «nuk ishte ‘biznesi i lirë’ që mund të përfytyrojnë shumë lexues të sotëm të Besëlidhjes së Re». Ishte pjesë e «një biznesi që kontrollohej nga shteti dhe ku përfitonte elita».

Herod Antipa qeveriste Galilenë si sundimtar krahine ose princ vendës, i caktuar nga Roma. Si i tillë, ai kontrollonte rrugët, portet dhe burimet natyrore të territorit të tij, si minierat, pyjet, bujqësinë dhe zonat e peshkimit. Këto burime i sillnin Herodit të ardhurat kryesore nga taksat. S’kemi të dhëna të hollësishme se ç’praktikë ndiqej në Galilenë e shekullit të parë për vjeljen e taksave. Por, duket se metoda që ndiqte në përgjithësi Herodi nuk ndryshonte shumë nga ajo që përdornin sundimtarët helenë ose romakët në provincat e tjera lindore. Shumica e përfitimeve që vinin nga veprimtaria ekonomike e zonës dhe shfrytëzimi i burimeve të saj natyrore, mund t’i kenë shkuar elitës e jo njerëzve të thjeshtë, që bënin pjesën më të madhe të punës.

Barra e taksave

Në kohën e Jezuit, tokat më të mira në Galile i takonin shtëpisë mbretërore dhe ishin ndarë në prona të mëdha, të cilat Herod Antipa ua ndante si dhurata funksionarëve të tij dhe të tjerëve. Nënshtetasit e Herodit duhej të financonin koston e stërmadhe të jetës së tij luksoze, projekteve ambicioze të ndërtimit, administratës së fryrë dhe subvencioneve të ndryshme që u jepte miqve e qyteteve. Barra e taksave, tatimeve dhe detyrimeve të tjera që vileshin nga njerëzit e thjeshtë, thuhet se ka qenë tepër shtypëse.

Gjithashtu, Herodi kishte monopol të plotë mbi shfrytëzimin e ujërave brenda vendit. Pra, peshkimi administrohej ose si pjesë e një veprimtarie të gjerë që kontrollohej nga Herodi ose nga ata që mbanin pronat individuale të dhuruara. Për zonat që ishin drejtpërdrejt nën administratën mbretërore, agjentët e taksave—njerëz të pasur që blinin në ankand të drejtën për të vjelur taksat—kishin autoritetin të bënin kontrata me peshkatarët për t’u dhënë me një afat shfrytëzimi të drejtat e peshkimit. Disa komentues kanë hedhur idenë se, meqë zyra e taksave e Mateut ishte në Kapernaum—një qendër peshkimi e rëndësishme buzë detit të Galilesë,—ai mund të ketë punuar për këta agjentë taksash si «kontraktues i të drejtave mbretërore të peshkimit». *

Dëshmi nga shekulli i parë e i dytë p.e.s., tregojnë se taksat në Palestinë shpesh paguheshin në natyrë, jo me para në dorë. Kështu, disa peshkatarë profesionistë paguanin 25 deri në 40 për qind të peshkut që zinin, në këmbim të së drejtës për të peshkuar. Dokumente të lashta tregojnë se të paktën në disa zona që ishin nën administratën romake, peshkimi mbeti monopol i shtetit dhe mbikëqyrej nga inspektorë. Në Pisidi kishte një lloj policie bregdetare, e cila sigurohej që asnjë të mos peshkonte pa autorizim dhe që peshkatarët t’ua shitnin peshqit vetëm sipërmarrësve ose grosistëve të autorizuar, aktiviteti i të cilëve po ashtu mbikëqyrej dhe taksohej nga shteti.

Një analist thotë se gjithë ky kontroll e këto taksa, së fundi nënkuptonin se «mbreti ose ai që kishte pronën, përfitonte shumë, kurse peshkatarët shumë pak». Edhe përfitimet që nxirrnin ata që punonin në sektorë të tjerë të ekonomisë, po ashtu kufizoheshin nga taksat shtypëse. Taksat s’kanë qenë kurrë të pëlqyera nga ata që duhet t’i paguajnë. Por, armiqësia e përgjithshme ndaj taksambledhësve, që del në pah nga tregimet e Ungjijve, pa dyshim vinte si pasojë e pandershmërisë dhe lakmisë së njerëzve që pasuroheshin duke zhvatur ç’të mundnin nga njerëzit e thjeshtë.—Luka 3:13; 19:2, 8.

Peshkatarët në Ungjij

Ungjijtë zbulojnë se Simon Pjetri kishte ortakë në biznesin e tij të peshkimit. Ata që erdhën ta ndihmonin kur zuri peshq me anë të një mrekullie, ishin ‘shokët e tij në barkën tjetër’. (Luka 5:3-7) Studiuesit shpjegojnë se «peshkatarët mund të formonin ‘kooperativa’ . . . që të fitonin kontrata peshkimi ose leje me afat shfrytëzimi». Ndoshta kështu e morën autorizimin që të vazhdonin biznesin e peshkimit bijtë e Zebedeut, Pjetri, Andrea dhe ortakët e tyre.

Në Shkrime nuk thuhet nëse këta peshkatarë galileas i kishin të tyret barkat dhe pajisjet që përdornin. Disa besojnë se i kishin të tyret. Në fakt, thuhet se Jezui hipi në barkën «e Simonit». (Luka 5:3) Por, një artikull që trajtonte specifikisht këtë temë thoshte se «të paktën ekziston mundësia që barkat t’i kishin në pronësi agjentët e taksave e të përdoreshin nga kooperativa». Sido që të ishte, Shkrimet thonë se Jakovi dhe Gjoni po arnonin rrjetat e tyre. Mendohet se peshkatarët duhej të bënin edhe pazar për të shitur ç’ka zinin dhe, kur ishte e nevojshme, të merrnin në punë mëditës.

Pra, puna e peshkatarëve galileas të shekullit të parë nuk ishte aq e thjeshtë sa ç’duket. Biznesi i tyre ishte pjesë e një sistemi të ndërlikuar marrëdhëniesh ekonomike. Kur mbajmë në mend këtë, i kuptojmë më mirë tregimet e Ungjijve dhe fjalët e Jezuit për peshkimin dhe peshkatarët. Ç’është më e rëndësishmja, ky informacion na ndihmon të kuptojmë sa besim kishin Pjetri, Andrea, Jakovi dhe Gjoni. Me peshkimin, ata siguronin jetesën. Cilado të ketë qenë gjendja e tyre ekonomike kur i thirri Jezui, e lanë menjëherë zanatin që njihnin e që u jepte një burim të sigurt të ardhurash, që të bëheshin «peshkatarë njerëzish».—Mateu 4:19.

[Shënimi]

^ par. 9 Me sa duket, apostulli Pjetër u transferua nga Betsaida në Kapernaum, ku i hyri biznesit të peshkimit me të vëllanë, Andrean, dhe me bijtë e Zebedeut. Edhe Jezui banoi njëfarë kohe në Kapernaum.—Mateu 4:13-16.

[Harta në faqen 25]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Liqeni Hula

Betsaidë

Kapernaum

Magadan

Deti i Galilesë

Jerusalem

Deti i Vdekur

[Burimi]

Todd Bolen/​Bible Places.com

[Burimi i figurës në faqen 26]

Todd Bolen/​Bible Places.com