Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mësoji fëmijët

Semi pa ligësinë e dy botëve

Semi pa ligësinë e dy botëve

SEMI, djali i Noesë, mbijetoi kur erdhi fundi i një bote, dhe jetoi edhe në një tjetër. A e di pse u shkatërrua bota e parë ku jetoi Semi dhe si arritën ai e familja e tij të jetonin në një të dytë?​— * Le të flasim për këtë.

Kur Semi ishte i ri, «e keqja e njeriut» ishte shumë e madhe, siç thotë Bibla. Çdo gjë që mendonin njerëzit, ishte «e keqe gjithë kohën». Prandaj, a e di ç’bëri Perëndia?—Solli një përmbytje që e fshiu tej atë botë të ligë. Apostulli Pjetër shkroi: «Bota e asaj kohe pësoi shkatërrimin, kur u përmbyt nga uji.»​—Zanafilla 6:5; 2 Pjetrit 3:6.

A e kupton pse e shkatërroi atë botë Perëndia?—Njerëzit ishin të këqij dhe mendonin veç për gjëra ‘të këqija gjithë kohës’. Jezui foli për këtë. Ai tha se «para përmbytjes» njerëzit ia kalonin mirë, «hanin e pinin» dhe «burrat e gratë martoheshin». Jezui shtoi: «Nuk kushtuan vëmendje derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë.»​—Mateu 24:37-39.

Cilës gjë nuk i kushtuan vëmendje ose nuk kuptuan ata njerëz?—Babai i Semit, Noeja, ishte «predikues i drejtësisë», por njerëzit nuk e dëgjuan atë që po u thoshte. Noeja e dëgjoi Perëndinë dhe ndërtoi një arkë, si anije pluskuese, që do të mbante brenda atë dhe familjen e tij e do t’i shpëtonte nga Përmbytja. Vetëm Noeja, gruaja e tij, djemtë e tyre​—Semi, Kami dhe Jafeti—​e gratë e tyre i kushtuan vëmendje asaj që Perëndia donte të bënin. Pjesa tjetër bënë vetëm çfarë donin vetë, kështu që u fshinë tej me Përmbytjen.​—2 Pjetrit 2:5; 1 Pjetrit 3:20.

Rreth një vit pasi kishte nisur Përmbytja, Semi dhe familja e tij dolën nga arka në tokë të thatë. Të gjithë njerëzit e këqij ishin zhdukur, por shumë shpejt gjërat ndryshuan. Kanaani, djali i Kamit, vëllait të Semit, bëri diçka kaq të keqe, saqë Noeja tha: «Mallkuar qoftë Kanaani!» Edhe Nimrodi, nipi i Kamit, ishte i keq. Ai iu kundërvu Perëndisë së vërtetë, Jehovait, dhe u tha njerëzve të ndërtonin një kullë të lartë të quajtur Babel, që të lartësonin veten. Si mendon, si u ndien Semi dhe babai i tij?​—Zanafilla 9:25; 10:6-10; 11:4, 5.

U trishtuan, e po ashtu edhe Jehovai. A e di çfarë bëri Jehovai?—Ua ngatërroi gjuhën njerëzve, që të mos kuptonin njëri-tjetrin. Kështu, atyre iu desh ta ndalonin ndërtimin e të shkonin në vende të ndryshme, bashkë me ata që flitnin të njëjtën gjuhë. (Zanafilla 11:6-9) Por, Perëndia nuk ua ndryshoi gjuhën Semit dhe familjes së tij. Kështu, ata mund të rrinin pranë njëri-tjetrit e ta ndihmonin shoqi-shoqin t’i shërbenin Perëndisë. A ke menduar ndonjëherë për sa kohë i shërbeu Semi Jehovait?—

Semi jetoi 600 vjet. Ishte 98 vjeç kur erdhi Përmbytja dhe jetoi edhe 502 vjet të tjera më pas. Mund të jemi të sigurt se e ndihmoi Noenë të ndërtonte arkën e t’i paralajmëronte njerëzit se po vinte Përmbytja. Por, çfarë mendon se bëri Semi për më shumë se 500 vjet që jetoi pas Përmbytjes?—Noeja e quajti Jehovain «Perëndia i Semit». Me siguri, Semi vazhdoi t’i shërbente Jehovait e të ndihmonte familjarët e tij të bënin po njësoj. Më pas, në familjen e Semit bënë pjesë edhe Abrahami, Sara e Isaku.​—Zanafilla 9:26; 11:10-31; 21:1-3.

Tani, mendo për botën e sotme, e cila që nga koha e Semit është bërë gjithnjë e më e keqe. Çfarë do t’i ndodhë asaj?—Bibla thotë se ajo «po kalon». Por, shiko këtë premtim: «Ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.» Pra, nëse bëjmë vullnetin e Perëndisë, mund të jemi ndër ata që do të mbijetojnë e do të hyjnë në botën e tij të re. Atëherë, me ndihmën e Perëndisë, mund të jetojmë përgjithmonë të lumtur në tokë.​—1 Gjonit 2:17; Psalmi 37:29; Isaia 65:17.

^ par. 3 Nëse po lexon bashkë me fëmijën, tri pikat shërbejnë për të të kujtuar që të ndalosh pak e ta nxitësh fëmijën që të shprehet.