Miti 4: Perëndia është Trinitet
Nga e ka origjinën ky mit?
«Mund të krijohet përshtypja se në fund të fundit, dogma e Trinitetit është një koncept që doli në fund të shekullit të katërt. Në njëfarë kuptimi, kjo është e vërtetë. . . . Formula ‘një Perëndi në tre persona’ nuk kishte ende një formulim të konsoliduar, dhe sigurisht, nuk ishte bërë pjesë e jetës së krishterë dhe e bindjeve të tyre fetare deri aty nga fundi i shekullit të katërt.»—New Catholic Encyclopedia (1967), vëllimi 14, faqja 299.
«Këshilli i Nicesë u mblodh më 20 maj të vitit 325 [të e.s.]. Vetë Kostandini drejtoi punimet, duke i drejtuar në mënyrë aktive diskutimet dhe duke propozuar personalisht . . . formulën vendimtare të kredos që nxori këshilli, që shprehte lidhjen midis Krishtit dhe Perëndisë me fjalët ‘e njëjta substancë si Ati’. . . . Të mbushur me respekt dhe frikë për perandorin, peshkopët, me përjashtim të dy prej tyre, e firmosën kredon, ndonëse shumë e bënë këtë kundër bindjeve që kishin».—Encyclopædia Britannica (1970), vëllimi 6, faqja 386.
Çfarë thotë Bibla?
«Por [Stefani], mbushur me Frymë të Shenjtë i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë dhe tha: ‘Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut që rri në këmbë në të djathtën e Perëndisë.’»—Veprat 7:55, 56, Diodati i Ri.
Çfarë zbuloi ky vegim? I mbushur me forcën vepruese të Perëndisë, Stefani pa Jezuin «që rrinte në këmbë në të djathtën e Perëndisë». Është e qartë pra, se pas ringjalljes në qiell Jezui nuk u bë Perëndia, por përkundrazi, një qenie frymore më vete. Në këtë tregim nuk përmendet një person i tretë pranë Perëndisë. Me gjithë orvatjet për të gjetur fragmente në Shkrime që të mbështetin dogmën e Trinitetit, prifti domenikan Mari-Emil Buasmar shkroi në një libër të tijin: «Pohimi se ka tre persona në një Perëndi . . . nuk mund të gjendet askund në Dhiatën e Re.»—À l’aube du christianisme—La naissance des dogmes (Në agim të krishterimit—Lindja e dogmave).
Dogma që përkrahu Kostandini kishte si synim t’u jepte fund debateve brenda Kishës në shekullin e katërt. Por faktikisht ajo ngriti një çështje tjetër: a ishte Maria, gruaja që lindi Jezuin, «Nëna e Perëndisë»?
Krahasoni këto vargje biblike: Mateu 26:39; Gjoni 14:28; 1 Korintasve 15:27, 28; Kolosianëve 1:15, 16
E VËRTETA:
Dogma e Trinitetit është një shpikje e fundit të shekullit të katërt