Miti 2: Të ligjtë vuajnë në ferr
Nga e ka origjinën ky mit?
«Nga të gjithë filozofët grekë klasikë, ai që ka ndikuar më shumë në pikëpamjet tradicionale për ferrin, është Platoni.»—Histoire des enfers (Historia e ferrit), nga Zhorzh Minua, faqja 50.
«Nga mesi i shekullit të 2-të të e.s., të krishterët që kishin njëfarë përgatitjeje në filozofinë greke, filluan të ndienin nevojën për të shprehur besimin e tyre me anë të termave të saj. . . . Filozofia që u përshtatej atyre më mirë ishte platonizmi [mësimet e Platonit].»—The New Encyclopædia Britannica (1988), vëllimi 25, faqja 890.
«Mësimet e Kishës pohojnë ekzistencën e ferrit dhe të përjetësisë së tij. Menjëherë pas vdekjes, shpirtrat e atyre që vdesin në një gjendje mëkati të pafalshëm, zbresin në ferr, ku vuajnë ndëshkimin e ferrit, ‘zjarrin e përjetshëm’. Ndëshkimi kryesor i ferrit është ndarja e përjetshme nga Perëndia.»—Katekizmi i Kishës Katolike, botim i vitit 1994, faqja 270, anglisht.
Çfarë thotë Bibla?
«Të gjallët në fakt e dinë se kanë për të vdekur, por të vdekurit nuk dinë asgjë; . . . sepse në Sheol ku po shkon nuk ka më as punë, as mendim, as njohuri dhe as dituri.»—Eklisiastiu 9:5, 10, Diodati i Ri.
Fjala hebraike Sheol, që i referohet «vendit të të vdekurve», është përkthyer «ferr» në disa versione të Biblës. Çfarë zbulon ky shkrim për gjendjen e të vdekurve? A vuajnë ata në Sheol për të shlyer fajet? Jo, sepse ata «nuk dinë asgjë». Ja pse patriarku Job, kur po vuante tmerrësisht nga një sëmundje e rëndë, iu përgjërua Perëndisë: «Më mbro në ferr [hebraisht, Sheol].» (Jobi 14:13; Douay-Rheims Version) Ç’kuptim do të kishte pasur kjo kërkesë, nëse Sheoli do të ishte një vend mundimi të përjetshëm? Ferri, në kuptimin biblik, është thjesht varri i përbashkët i njerëzimit, ku nuk bëhet më asnjë gjë.
A nuk është ky përkufizim për ferrin më i logjikshëm e në përputhje me Shkrimet? Cili krim, ndonëse i tmerrshëm, mund ta shtynte Perëndinë e dashurisë që të torturonte një person në pafundësi? (1 Gjonit 4:8) Por, nëse ferri i zjarrtë është një mit, a është e tillë edhe jeta në qiell?
Krahasoni këto vargje biblike: Psalmi 146:3, 4; Veprat 2:25-27; Romakëve 6:7, 23
E VËRTETA:
Perëndia nuk i ndëshkon njerëzit në ferr