«Derisa vdekja të na ndajë»
«Derisa vdekja të na ndajë»
SA SHUMË çifte i kanë përsëritur me gëzim këto fjalë ditën e dasmës, mbase pa menduar se do të vinte një ditë që vdekja do t’i ndante vërtet. Mosha e shkuar, sëmundjet ose aksidentet janë gjëra të zakonshme që mund t’i japin fund të dhembshëm jetës së një personi të dashur dhe ta lënë bashkëshortin në vetmi e pikëllim.—Eklisiastiu 9:11; Romakëve 5:12.
Statistikat tregojnë se gati gjysma e grave 65 vjeçe e sipër janë vejusha. Ngaqë gratë rrezikojnë tri herë më shumë se burrat të mbeten të veja, vdekja e bashkëshortit është quajtur ‘dukuri që prek vetëm gratë’. Kjo nuk do të thotë që burrat nuk e kalojnë këtë përvojë. Ç’është e vërteta, miliona njerëz janë gjendur në këtë situatë të mundimshme. A je edhe ti një prej tyre?
Ç’mund të bësh nëse ke humbur bashkëshortin, burrë a grua qofsh? A na ndihmon Bibla të përballojmë këtë pikëllim? Si ia kanë dalë disa vejusha e vejanë? Ndonëse nuk ka një formulë që vlen për çdo rast, ka parime dhe sugjerime që mund të vijnë në ndihmë.
Të përballosh humbjen
Megjithëse disa mendojnë se e qara është shenjë dobësie, madje e dëmshme, psikologia dr. Xhois Bradhërs, vetë vejushë, i krahason lotët me ndihmën e shpejtë. Faktikisht, të qarët është pjesë normale e hidhërimit dhe ndihmon për të lehtësuar dhembjen. Mos ki turp nga lotët. Një shembull për këtë e gjejmë në Bibël. Abrahami ishte njeri me besim të jashtëzakonshëm dhe pati nderin të quhej mik i Perëndisë. Megjithatë, kur i vdiq gruaja e tij e shtrenjtë, Sara, ai «hyri në tendë që ta vajtonte e ta qante».—Zanafilla 23:2.
Megjithëse është normale të dëshirosh të rrish pak vetëm, mos u veço. Te Proverbat 18:1 jepet ky paralajmërim: «Kush veçohet, kërkon të plotësojë dëshirat e veta egoiste.» Përkundrazi, kërko mbështetjen e të afërmve dhe miqve që të kuptojnë. Për këtë, një ndihmë e mrekullueshme është kongregacioni i krishterë ku burra të pjekur frymësisht mund të të japin mbështetje dhe këshilla kur nevojitet.—Isaia 32:1, 2.
Për disa ka qenë një ndihmë t’u përgjigjen letrave dhe kartolinave të ngushëllimit. Mund ta shfrytëzosh këtë mundësi për të hedhur me shkrim gjërat e bukura që mban mend nga bashkëshorti dhe çastet që kaluat së bashku. Gjithashtu mund të të ndihmojë të marrësh veten edhe një bllok kujtimesh me fotografi, letra dhe shënime.
Është e natyrshme për personin që ka humbur bashkëshortin kohët e fundit, të ndihet i çorientuar dhe i pështjelluar, por ndjekja e programit dhe aktiviteteve të tua të zakonshme do të të ndihmojë. Për shembull, nëse ke një orar të caktuar kur fle, kur zgjohesh, kur ha ose për disa punë shtëpie, përpiqu ta ndjekësh. Planifiko që më parë çfarë do të bësh në fundjavë dhe ditë të veçanta, siç është përvjetori i martesës, momente kur humbja duket mbytëse. Sidomos është e rëndësishme të vazhdosh me rutinën tënde frymore.—1 Korintasve 15:58.
Kur dikush po kalon një stres të madh, mund t’i mjegullohet gjykimi. Madje mund të ndodhë që njerëz me motive të këqija të përpiqen të përfitojnë nga situata jote. Prandaj, mos merr vendime të nxituara për çështje të tilla, si: shitja e shtëpisë, investimet e mëdha, transferimi ose një martesë tjetër. Një proverb i mençur thotë: «Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri përfitim, por kush është i nxituar, me siguri shkon drejt skamjes.» (Proverbat 21:5) Ndryshime të tilla të mëdha në jetë duhet t’i lësh për më vonë, kur të jesh më e qetë emocionalisht.
Të merresh me gjërat personale të bashkëshortit mund të jetë shumë e vështirë, veçanërisht nëse keni kaluar shumë vite së bashku, por është pjesë e periudhës së hidhërimit. Po ta shtysh për më vonë, mund ta zgjatësh angështinë. (Psalmi 6:6) Disa parapëlqejnë ta bëjnë këtë vetëm; të tjerë shohin se e kanë më të lehtë po t’u ndodhet përkrah një mik a mike e ngushtë që të ndajnë kujtimet që zgjohen. Gjithashtu, mund t’i kërkosh ndihmë një miku a të afërmi të merret me punët e zyrave, si për shembull: të marrë certifikatën e vdekjes; të lajmërojë institucionet përkatëse, bankat dhe shoqëritë e kartave të kreditit; të ndryshojë pronësinë; të marrë përfitimet financiare në rast vdekjeje; dhe të paguajë faturat mjekësore.
Mos harro se jetojmë në një botë të pamoralshme. Tani që je vetëm, mund të vihen në provë përpjekjet e tua për të ruajtur dëlirësinë. Fjalët e apostullit Pavël sigurisht që janë me vend si gjithmonë: «Secili nga ju të dijë ta zotërojë enën e vet në shenjtëri dhe në nder, jo në uri seksuale epshore, si ajo e kombeve që nuk e njohin Perëndinë.» (1 Selanikasve 4:4, 5) Prandaj është e mençur të shmangësh filma, libra dhe muzikë romantike ose me përmbajtje seksuale.
Mbi të gjitha, kupto se duhet kohë ta marrësh veten. Gazeta USA Today thotë se studimet e bëra nga Instituti për Kërkime Sociale i Galatasve 5:22, 23) Ndonëse mund të mos mendosh kështu tani, dita ditës do të bëhesh më mirë.
Universitetit të Miçiganit tregojnë se personit që i ka vdekur bashkëshorti i duhen të paktën 18 muaj të fillojë të marrë veten fizikisht dhe psikologjikisht. Lutju Perëndisë për qëndrueshmëri, e cila bëhet më e fortë falë frytit të frymës së tij. (Si e kanë përballuar disa?
Për Anën, që për 40 vjet pati një martesë të lumtur, vdekja e të shoqit kohët e fundit ishte dërrmuese. «Më vdiq nëna kur isha 13 vjeçe, pastaj babai, dy vëllezër dhe motra. Por e them sinqerisht se asnjëra nga këto vdekje nuk më ka vrarë kaq shumë sa vdekja e tim shoqi. Ishte sikur më ndanë në dysh. Dhembja ishte e padurueshme.» Çfarë e ka ndihmuar të përballojë dhembjen? «Kam bërë një bllok të stërmadh me mesazhe dhe kartolina plot me shprehje të mrekullueshme dashurie dhe vlerësimi për të gjitha cilësitë e shkëlqyera të Darilit. Secila përmend diçka të veçantë për të. Jam e sigurt se edhe Jehovai e mban në mendje dhe do ta rikthejë sërish në jetë me anë të ringjalljes.»
Esteri 88-vjeçare thotë se çfarë i ka dhënë forcë: «Pas 46 vjetësh shoqëri, gjëja më e vështirë ka qenë vetmia. Por kam vënë re se, kur e zë gjithnjë kohën me aktivitetet frymore, kjo më ndihmon shumë. Vazhdoj t’i ndjek rregullisht mbledhjet, t’u flas të tjerëve për mesazhin e Biblës dhe ta lexoj vetë. Më ka ndihmuar edhe fakti që nuk jam veçuar. Kërkoj shoqërinë e miqve që më dëgjojnë. Ata nuk kanë gjithmonë diçka ngushëlluese për të thënë, por i vlerësoj shumë për kohën që më kushtojnë dhe që më dëgjojnë.»
Roberti, i cili humbi gruan nga kanceri pas 48 vjetësh martesë, tregon: «Është mjaft e vështirë të përballosh humbjen e një bashkëshorti me të cilin bisedoje, merrje vendime, shijoje udhëtime e pushime dhe tregoje përvojat
e ditës. Ka qenë një luftë, por jam i vendosur të mos dorëzohem dhe të vazhdoj jetën. Më ka ndihmuar aktiviteti fizik dhe mendor. Edhe lutja ka qenë goxha burim ngushëllimi.»Jetë me kuptim pas humbjes
Megjithëse vdekja e bashkëshortit të shtrenjtë është një nga përvojat më tronditëse të njeriut, me të nuk merr fund gjithçka. Po ta shohësh nga pikëpamja pozitive, mund të shohësh mundësinë për t’u marrë me veprimtari për të cilat më parë nuk kishe kohë, si ndonjë gjë që ke pasion ose udhëtimet. Këto aktivitete mund të ta mbushin disi boshllëkun. Për disa, kjo mund të jetë një mundësi të marrin pjesë më shumë në shërbimin e krishterë. Është e sigurt se, kur i ndihmon të tjerët në këtë mënyrë, do të provosh gëzim dhe kënaqësi, pasi Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»—Veprat 20:35.
Mos mendo se lumturia jote kaq e pati. Të jesh e sigurt se Perëndia Jehova kujdeset për ty, po t’i drejtohesh atij. Psalmisti David tha: «Jehovai i mbron . . . vejushat.» (Psalmi 146:9) Është ngushëlluese të dish se Bibla jo vetëm e përshkruan Jehovain si «Ati i mëshirave të buta dhe Perëndia i çdo ngushëllimi», por thotë edhe se ai «hap dorën dhe plotëson dëshirën e çdo krijese». (2 Korintasve 1:3; Psalmi 145:16) Vërtet, Perëndia i dashur Jehova është në gjendje, dëshiron dhe është gati t’u vijë në ndihmë atyre që i drejtohen me zjarr për ndihmë. Qofshin edhe ndjenjat e tua si ato të izraelitëve të lashtë që kënduan: «I ngre sytë nga malet. Nga do të më vijë ndihma? Ndihma më vjen nga Jehovai, Bërësi i qiellit dhe i tokës.»—Psalmi 121:1, 2.
[Diçitura në faqen 19]
Miliona njerëz kanë përjetuar pikëllimin dhe vetminë e humbjes së bashkëshortit. A je një prej tyre?
[Kutia në faqen 21]
Ç’të themi për rimartesën?
Bibla tregon se vdekja i jep fund lidhjes martesore, duke krijuar kështu mundësinë për rimartesë. (1 Korintasve 7:39) Gjithsesi, ky vendim është krejtësisht personal. Sidoqoftë, është e rëndësishme që fëmijët të jenë në dijeni të vendimit të prindit dhe ta mbështetin kur është e mundur. (Filipianëve 2:4) Për shembull, Andresi në fillim nuk ishte dakord që babai të martohej sërish. E kishte dashur shumë të ëmën dhe mendonte se askush nuk duhet ta zinte vendin e saj. «Por shpejt kuptova se im atë kishte marrë një vendim të mirë,—thotë ai.—Martesa e çeli. Filloi të bënte gjëra që kishte kohë që nuk i bënte, si udhëtimet. E sigurisht i jam mirënjohës gruas së tij që kujdeset kaq mirë për të fizikisht dhe emocionalisht.»
[Figurat në faqet 20, 21]
Nëse merresh me aktivitete dhe i lutesh Perëndisë për forcë, do ta kesh më të lehtë ta marrësh veten