Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

A e dini?

A është e vërtetë që milingonat e përgatitin ushqimin e tyre gjatë verës dhe i mbledhin zahiretë gjatë të korrave?

Proverbat 6:6-8 thotë: «Shko te milingona, o përtac; shihi udhët e saj dhe bëhu i mençur. Edhe pse nuk ka komandant, të parë a sundimtar, ajo e përgatit ushqimin e vet gjatë verës, i ka mbledhur zahiretë e veta gjatë të korrave.»

Në fakt, disa lloje milingonash mbledhin ushqim. Ka të ngjarë që lloji të cilit iu referua Solomoni—dhe që është më i zakonshmi në Izrael sot—është milingona korrëse (Messor semirufus).

Sipas një burimi, «milingonat korrëse i lënë foletë e tyre në ditët kur moti është i favorshëm për të kërkuar ushqim . . . [dhe] mbledhin fara gjatë muajve të ngrohtë të vitit». Ato mund t’i marrin farat nga bimët ose mbledhin farat e rëna. Këto insekte ndërtojnë fole nën tokë pranë fushave, hambarëve ose lëmenjve, ku mund të gjendet grurë.

Brenda folesë, milingonat i depozitojnë zahiretë në një seri dhomash të sheshta të lidhura mes tyre nga një rrjet galerish. Dhomat e tyre hambar, mund ta kenë diametrin deri në 12 centimetra dhe lartësinë 1 centimetër. Në këtë mënyrë, kolonitë e milingonave korrëse të furnizuara mirë, janë në gjendje të mbijetojnë «për më tepër se 4 muaj pa ndonjë burim ushqimi ose uji nga jashtë».

Çfarë përfshinte të ishe kupëmbajtësi i mbretit?

Nehemia ishte kupëmbajtësi i mbretit pers Artakserksit. (Nehemia 1:11) Në oborret mbretërore të Lindjes së Mesme në lashtësi, kupëmbajtësi i mbretit nuk ishte një shërbëtor i zakonshëm. Përkundrazi, ai ishte zyrtar i një rangu të lartë. Literatura klasike dhe shumë relieve të lashta ku paraqiten kupëmbajtësit, na ndihmojnë të nxjerrim disa përfundime në lidhje me rolin e Nehemisë në oborrin pers.

Kupëmbajtësi duhej të provonte verën e mbretit për ta mbrojtur atë nga helmimi. Kështu, kupëmbajtësi kishte besimin e plotë të mbretit. «Nevoja e madhe për shërbëtorë të besueshëm të oborrit del në pah nga intrigat që ishin tipike për oborrin akaemenas [pers]»,—thotë historiani Edvin Jamauçi. Kupëmbajtësi ka mundësi të ishte edhe një nga zyrtarët e preferuar i cili kishte mjaft ndikim te mbreti. Fakti që ai punonte ngushtësisht me monarkun çdo ditë, ndoshta i jepte mundësi të vendoste se kush do të takonte mbretin.

Një pozitë e tillë mund të shpjegonte pse mbreti u tregua i gatshëm të pranonte kërkesën e Nehemisë që të kthehej në Jerusalem për të rindërtuar muret e tij. Nehemia duhet të ketë qenë tejet i vlerësuar nga mbreti. Një fjalor biblik (The Anchor Bible Dictionary) thotë: «Përgjigjja e vetme e mbretit ishte: ‘A do të kthehesh shpejt?’»—Nehemia 2:1-6.

[Diagrami dhe figura në faqen 9]

Reliev nga pallati pers i Persepolit

[Diagrami]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Kupëmbajtësi

Kserksi, princi trashëgimtar

Dari i madh

[Burimi]

© The Bridgeman Art Library International