Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pse bëjnë gjëra të këqija njerëzit?

Pse bëjnë gjëra të këqija njerëzit?

Pse bëjnë gjëra të këqija njerëzit?

DIÇKA për të cilën pak njerëz do të debatonin, është se të gjithë jemi të papërsosur, prandaj bëjmë gabime dhe gjëra për të cilat pendohemi më vonë. Edhe pse kjo është e vërtetë, a është ky shkaku i veprimeve të shumta e të këqija, qofshin të mëdha apo të vogla, të cilat i shohim a i dëgjojmë gati çdo ditë drejtpërdrejt ose në media?

Pavarësisht nga papërsosmëria, në përgjithësi njerëzit e pranojnë se ka kufij moralë të cilët nuk duhen kaluar kurrë dhe se janë në gjendje të përmbahen nga veprimet e liga. Gjithashtu, shumë veta janë dakord se ka dallim mes një gënjeshtre të paqëllimshme dhe një shpifjeje haptazi, dëmtimit të dikujt pa dashje dhe kryerjes së një vrasjeje të planifikuar. Megjithatë, veprime tronditëse kryhen shpesh nga njerëz në dukje të zakonshëm në lagje. Pse vallë? Pse bëjnë gjëra të këqija njerëzit?

Bibla hedh dritë mbi këtë çështje. Ajo identifikon me saktësi arsyet kyçe pse njerëzit veprojnë në mënyra që e dinë se janë të gabuara. Shqyrtoni se çfarë thotë.

«Shtypja mund ta bëjë të mençurin të veprojë çmendurisht.»​EKLISIASTIU 7:7.

Bibla e pranon se nganjëherë rrethanat i vënë nën presion njerëzit të bëjnë gjëra që normalisht nuk do t’i bënin. Madje, disa mund të bëjnë edhe krime me mendimin se kështu u japin fund vështirësive dhe padrejtësive. Libri Terrorizmi urban (anglisht) thotë: «Në shumë raste . . . motivi kryesor që i shtyn për t’u bërë terroristë është një zhgënjim i vërtetë, me sa duket i lidhur në mënyrë të pandashme me forcat politike, shoqërore dhe ekonomike.»

«Lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave.»​1 TIMOTEUT 6:10, DIODATI I RI.

Disa thonë se edhe njerëzit e mirë i thyejnë rregullat e mirësjelljes e të moralit nëse u ofrohen shumë para. Disa, në rrethana normale, duken miqësorë e të sjellshëm, por kur bëhet fjalë për para, kthehen në armiqësorë e të neveritshëm. Mendo edhe për krimet e shumta që i kanë rrënjët te lakmia: shantazhi, zhvatja, mashtrimi, rrëmbimi e madje vrasja.

«Ngaqë dënimi kundër një vepre të keqe nuk është ekzekutuar me shpejtësi, zemra e bijve të njerëzve është plotësisht e vendosur për të bërë keq.»EKLISIASTIU 8:11.

Ky shkrim nxjerr në pah prirjen njerëzore për të menduar se dikush mund t’ia hedhë paq kur autoritetet nuk e vënë re. Kjo është e vërtetë kur mendojmë për ata që e ngasin makinën përtej shpejtësisë së lejuar, kopjojnë në provime, vjedhin fondet publike dhe më keq. Kur nuk ka masa ligjore shtrënguese ose kur mungon frika se mos kapen, njerëzit që normalisht i binden ligjit mund të marrin zemër të bëjnë gjëra që ndryshe s’do t’i bënin. «Lehtësia me të cilën kriminelët shpëtojnë pa u ndëshkuar, duket se i frymëzon qytetarët e zakonshëm që të kryejnë krimet më mizore»,—vëren revista Arguments and Facts.

«Secili sprovohet, i tërhequr dhe i joshur nga dëshira e vet. Pastaj dëshira, si bëhet pjellore, lind mëkatin.»JAKOVI 1:14, 15.

Të gjithë njerëzit priren të kenë mendime të gabuara. Çdo ditë bombardohemi me tundime e sugjerime të panumërta për të bërë gjëra të gabuara. Në kohët biblike, të krishterëve u ishte thënë: «Asnjë tundim nuk ju ka rënë, përveç asaj që është e zakonshme për njerëzit.» (1 Korintasve 10:13) Prapëseprapë, përfundimet e veprimeve tona varen nga zgjedhjet që bëjmë: nëse zgjedhim t’i largojmë menjëherë mendimet e gabuara apo t’i bluajmë në mendje e t’i lejojmë të rriten. Shkrimi nga letra e frymëzuar e Jakovit, që u citua më sipër, paralajmëron se veprimet e gabuara janë të sigurta, nëse dikush lejon që dëshira e gabuar t’i «bëhet pjellore».

«Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur, por atij që shoqërohet me budallenjtë, do t’i shkojë keq.»PROVERBAT 13:20.

Nuk e minimizojmë dot ndikimin e madh që shokët tanë mund të ketë te ne—qoftë për mirë, qoftë për keq. Për shkak të presionit të bashkëmoshatarëve, ose, siç thonë shumë veta, ngaqë bien në shoqëri të keqe njerëzit shpesh bëjnë gjëra që nuk kishin ndër mend t’i bënin, dhe këto u dalin me pasoja shkatërrimtare. Në gjuhën e Biblës, «budallenjtë» janë ata që nuk i marrin parasysh këshillat e mençura të Fjalës së Perëndisë, jo ata që nuk kanë inteligjencë. Të rinj apo të vjetër qofshim, nëse nuk i zgjedhim me mençuri miqtë dhe shoqërinë, pra sipas normave të mira të Biblës, me siguri do të na «shkojë keq».

Këto dhe shumë vargje të tjera në Bibël e shpjegojnë në mënyrë të përmbledhur pse njerëzit—ndoshta edhe njerëzit e zakonshëm—bëjnë gjëra të këqija e madje tronditëse. Ndërkohë që është e dobishme të kuptojmë çfarë e shtyn dikë të bëjë gjëra të tmerrshme, a ka shpresë që gjërat të ndryshojnë për mirë? Po, sepse Bibla nuk shpjegon vetëm pse bëjnë veprime të liga njerëzit, por edhe premton se nuk do të ketë më veprime të tilla. Cilat janë këto premtime? A do të marrin fund vërtet të gjitha gjërat e këqija në botë? Artikulli tjetër na i jep përgjigjet.