A e dini?
A e dini?
Ç’zakon ekzistonte për mbledhjen e prodhimeve të mbetura dhe kush nxirrte dobi?
▪ Ligji i Moisiut i ndalonte bujqit të mblidhnin gjithë prodhimin e arës së tyre. Në vend të kësaj, ata që korrnin grurë nuk duhej ta korrnin plotësisht deri në cepat e fushës. Ata që vilnin rrush nuk duhej t’i mblidhnin të gjitha kokrrat e shpërndara ose të ktheheshin prapë për të vjelur rrushin, i cili në fillim ishte i papjekur. Edhe ata që shkundnin degët e ullinjve, duhej t’i linin kokrrat që nuk binin. (Levitiku 19:9, 10; Ligji i përtërirë 24:19-21) Të varfrit, jetimët, vejushat dhe të ardhurit mund të mblidhnin atë që mbetej.
Ky ligj për mbledhjen e prodhimeve të mbetura i sillte dobi gjithë shoqërisë izraelite. I nxiste pronarët e tokës të tregoheshin bujarë, jo egoistë dhe të mbështeteshin te bekimet e Perëndisë. Tek ata që mblidhnin, nxiste papërtueshmërinë, pasi të mblidhje prodhimet e mbetura ishte e lodhshme. (Rutha 2:2-17) Falë kësaj mase, të varfrit kishin çfarë të hanin dhe nuk bëheshin barrë për komunitetin. Gjithashtu nuk ua ulte dinjitetin, duke i bërë të lypnin ose të mbështeteshin te bamirësia e të tjerëve.
Pse Solomoni importoi dru nga Libani i largët për ndërtimin e tempullit në Jerusalem?
▪ Te tregimi i 1 Mbretërve 5:1-10 përshkruhet një marrëveshje mes Solomonit dhe Hiramit, mbret i Tirit. Sipas asaj marrëveshjeje, duhej të silleshin me rrugë detare lundra me trungje cedri dhe dëllinje, nga Libani në Izrael, dhe të përdoreshin për ndërtimin e tempullit.
Cedri ishte një artikull i rëndësishëm tregtar në Lindjen e Mesme të kohës së lashtë. Në Egjipt dhe Mesopotami, ky dru përdorej rregullisht për trarët dhe panelet e tempujve e të pallateve. Arkivat mbretërorë, tekstet letrare dhe mbishkrimet dëshmojnë për importimin e vazhdueshëm të cedrit në disa qytet-shtete të Mesopotamisë Jugore, nganjëherë si plaçkë lufte ose haraç. Në Egjipt përdorej për ndërtimin e lundrave mbretërore, arkivoleve dhe artikujve të tjerë për funerale.
Cedrat e Libanit ishin veçanërisht të famshëm për fortësinë, bukurinë dhe aromën e ëmbël të drurit, pa përmendur rezistencën ndaj insekteve. Kështu, Solomoni po përdorte materialet më të mira për tempullin. Sot, gjithçka që mbetet nga pyjet e cedrit që dikur mbulonin malet e Libanit, përfshin vetëm pak zabele të vogla e të veçuara.
[Figura në faqen 15]
Transport i cedrit të Libanit, reliev asirian nga pallati i Sargonit
[Burimi]
Erich Lessing/Art Resource, NY