Një popull paqësor mbron emrin e tij të mirë
SHËNIM PËR QYTETARËT E RUSISË: Kur të botohet tregimi i mëposhtëm, dhjetëra milionë njerëz në më tepër se 230 vende do të mësojnë për një shtypje të pajustifikueshme të lirisë së adhurimit në Rusi. Kulla e Rojës është revista më e përkthyer dhe më e shpërndarë në botë. Ky artikull do të dalë në 188 gjuhë. Do të botohen mbi 40 milionë kopje. Disa zyrtarë mund të mos duan që komuniteti ndërkombëtar ta marrë vesh çfarë po u ndodh Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi. Por fjalët e Jezuit do të dalin të vërteta: «S’ka asgjë të fshehur me kujdes, që të mos zbulohet, dhe asgjë të fshehtë, që të mos bëhet e njohur.»—LUKA 12:2.
NË DHJETOR të vitit 2009 dhe në janar të 2010-s, dy nga gjykatat më të larta në Rusi e shpallën ekstremist besimin fetar të Dëshmitarëve të Jehovait. Duket se historia po përsëritet. Kur sovjetët sundonin në Rusi, mijëra Dëshmitarë u akuzuan pa të drejtë si armiq të kombit. Ata u internuan, u dërguan në burgje dhe në kampe pune. Pasi ra ai regjim, Dëshmitarët e Jehovait u shfajësuan nga akuzat. Qeveria e re e vuri në vend zyrtarisht emrin e tyre të mirë. * Tani, edhe një herë, disa duken të vendosur të shpifin për Dëshmitarët.
Në fillim të 2009-s, autoritetet ndërmorën një sulm ndaj lirisë fetare të Dëshmitarëve të Jehovait. Vetëm në muajin shkurt, prokurorët bënë më shumë se 500 hetime në mbarë vendin. Cili ishte qëllimi i kësaj fushate? Të identifikonte shkeljet e supozuara të ligjit nga ana e Dëshmitarëve. Muajt pasues, policia bastisi mbledhje fetare paqësore që mbaheshin në Sallat e Mbretërisë dhe në shtëpi private. Ata konfiskuan literaturë dhe sende personale. Autoritetet dëbuan avokatë të huaj që po ndihmonin për mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe nuk i lejuan të futeshin sërish në vend.
Më 5 tetor 2009, zyrtarët e doganës bllokuan një sasi me literaturë biblike, në kufi afër Shën-Pjetërburgut. Ajo ishte
shtypur në Gjermani dhe po i dërgohej një numri të madh kongregacionesh në Rusi. Një njësi speciale me agjentë rusë të doganës, që merret me rastet e kontrabandës së rrezikshme, kontrolloi literaturën. Pse? Një dokument zyrtar thoshte se literatura «mund të ketë përmbajtje që nxit përçarje fetare».S’kaloi shumë dhe vala e sulmeve arriti një pikë kritike. Gjykatat e Larta të Federatës Ruse dhe të Republikës së Altait (një pjesë e Rusisë) i shpallën ekstremiste disa botime të Dëshmitarëve të Jehovait, përfshirë këtë revistë që po lexoni. Dëshmitarët e Jehovait i apeluan vendimet dhe komuniteti ndërkombëtar u shpreh i shqetësuar, por më kot. Vendimet e gjykatave janë ende në fuqi dhe e quajnë të paligjshëm importimin dhe shpërndarjen e këtyre botimeve biblike në Rusi.
Si do t’u përgjigjeshin Dëshmitarët këtyre përpjekjeve për të hedhur baltë mbi emrin e tyre dhe për t’ua kufizuar veprimtarinë? Çfarë nënkuptojnë vendimet e gjykatave për lirinë fetare të të gjithë qytetarëve rusë?
Një përgjigje urgjente ndaj kërcënimit në rritje
Të premten, më 26 shkurt 2010, rreth 160.000 Dëshmitarë të Jehovait në mbarë Rusinë nisën shpërndarjen e 12 milionë kopjeve të një fletushke speciale me titull A mund të ndodhë përsëri? Një pyetje për qytetarët e Rusisë. Për shembull, në Usolje-Sibirskoje, qytet i Siberisë, qindra Dëshmitarë u grumbulluan në rrugë në 5.30 të mëngjesit. Mes tyre ndodheshin disa që ishin internuar në Siberi në vitin 1951 për shkak të besimit. Ata u bënë ballë temperaturave -40°C, që të shpërndanin 20.000 fletushka.
Për të lajmëruar fushatën triditore, Dëshmitarët e Jehovait mbajtën një konferencë për shtyp në Moskë, në kryeqytetin e Rusisë. Mes atyre që ishin ftuar për të folur, ishte z. Lev Levinsoni, specialist i Institutit për të Drejtat e Njeriut. Ai përmblodhi shkurtimisht sulmin dhe përndjekjen e pakuptimtë që iu bë Dëshmitarëve të Jehovait në Gjermaninë naziste dhe në Bashkimin Sovjetik, si dhe foli për shfajësimin zyrtar që iu bë më pas Dëshmitarëve. Gjithashtu, shtoi: «Të gjitha besimet fetare që u përndoqën gjatë periudhës sovjetike, u rehabilituan me dekret të presidentit Jelcin. Dhe gjithçka që kishin humbur, u duhej kthyer. Dëshmitarët e Jehovait nuk kishin ndonjë
pronë gjatë Bashkimit Sovjetik, por iu kthye emri i tyre i mirë.»Ky emër i mirë kërcënohet sërish. Zoti Levinsoni tha: «Në po këtë vend që shprehu keqardhje, këta njerëz po i nënshtrohen një përndjekjeje tërësisht të pabazë.»
Fushata i preku njerëzit
A e arriti synimin e saj fushata me fletushka? Zoti Levinsoni tha: «Rrugës për në konferencë [për shtyp] pashë njerëz në metro që ishin ulur dhe lexonin një pamflet të vogël që Dëshmitarët e Jehovait po e shpërndajnë sot në gjithë Rusinë. . . . Njerëzit ulen dhe e lexojnë, madje me vëmendje.» * Për shembull, vini re këto përvoja.
Një grua e moshuar në një rajon të Rusisë qendrore ku shumica janë myslimanë, e pranoi fletushkën dhe pyeti se për çfarë bënte fjalë. Kur i thanë se fliste për të drejtat dhe liritë e njeriut në Rusi, thirri e emocionuar: «Më në fund, dikush u kujtua për këto çështje! Në lidhje me këtë, Rusia është kthyer si në kohën e Bashkimit Sovjetik. Faleminderit shumë! Ju lumtë!»
Një grua nga Çeljabinsku, së cilës i ofruan një fletushkë, tha: «Tashmë e kam marrë një dhe e kam lexuar. Mbaj plotësisht anën tuaj. Nuk njoh ndonjë fe tjetër që do ta mbronte besimin e saj në mënyrë kaq të organizuar. Më pëlqen si visheni dhe tregoni gjithnjë takt. Është e qartë se jeni plotësisht të bindur për atë që besoni. Ma merr mendja se Perëndia është me ju.»
Në Shën-Pjetërburg, një burrë që tha se e kishte marrë tashmë fletushkën, e pyetën nëse i pëlqeu ajo që lexoi. Ai u përgjigj: «Po. Ndërsa e lexoja m’u rrëqeth mishi, madje qava. Gjyshja ime ishte e përndjekur [gjatë kohës sovjetike] dhe më ka treguar shumë gjëra për ata që ishin të burgosur me të. Kishte shumë kriminelë, por kishte edhe të pafajshëm që prapëseprapë ishin burgosur për shkak të besimit. Mendoj se të gjithë duhet ta marrin vesh çfarë ndodhi, prandaj ju po bëni gjënë e duhur.»
Ç’do të sjellë e ardhmja për Rusinë?
Dëshmitarët e Jehovait e çmojnë lirinë që kanë pasur dy dekadat e kaluara në Rusi. Gjithsesi, e dinë shumë mirë sa lehtë mund të hiqet liria. Vetëm koha do ta tregojë nëse vala e fundit e shpifjeve kundër tyre nënkupton se Rusia po u kthehet periudhave të errëta të shtypjes.
Sido që të shkojë, Dëshmitarët e Jehovait janë tejet të vendosur të vazhdojnë të predikojnë mesazhin e Biblës për paqe dhe shpresë. Ja si e përmbledh vendosmërinë e tyre fletushka speciale: «Shtypja nuk do të triumfojë kurrë. Nuk do të reshtim së foluri me takt dhe respekt për Perëndinë Jehova dhe Fjalën e tij, Biblën. (1 Pjetrit 3:15) Nuk reshtëm nën tmerret e Gjermanisë naziste, nuk reshtëm gjatë ditëve të errëta të shtypjes nga vendi ynë dhe nuk do të reshtim as tani.—Veprat 4:18-20.»
^ par. 3 Shihni kutinë «Certifikata rehabilitimi».
^ par. 13 Disa orë para konferencës për shtyp, kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait në Moskë filluan ta shpërndanin fletushkën.