Si ta dallosh cili është adhurimi i vërtetë?
Mëso nga Fjala e Perëndisë
Si ta dallosh cili është adhurimi i vërtetë?
Ky artikull ngre pyetje që mund të kesh bërë dhe tregon se ku t’i lexosh përgjigjet në Biblën tënde. Dëshmitarët e Jehovait do t’i diskutojnë me kënaqësi këto përgjigje me ty.
1. A ka vetëm një fe të vërtetë?
Jezui u mësoi dishepujve vetëm një fe, fenë e vërtetë. Është si një rrugë që çon në jetë. Për këtë rrugë, Jezui tha: «Pak e gjejnë atë.» (Mateu 7:14) Perëndia pranon vetëm atë adhurim që bazohet te Fjala e tij e së vërtetës. Të gjithë adhuruesit e vërtetë janë të bashkuar në një besim të vetëm.—Lexo Gjonin 4:23, 24; 14:6; Efesianëve 4:4, 5.
2. Pse kaq shumë fe pohojnë se janë të krishtere?
Profetët e rremë e kanë korruptuar krishterimin dhe e kanë përdorur për të çuar përpara interesat vetjake. Ashtu siç paratha Jezui, ata thonë se janë «dele» të tij, por veprojnë si ujqër të uritur. (Mateu 7:13-15, 21, 23) Krishterimi i rremë u zhvillua veçanërisht pas vdekjes së apostujve të Jezuit.—Lexo Veprat 20:29, 30.
3. Cilat janë disa tipare dalluese të adhurimit të vërtetë?
Adhuruesit e vërtetë e respektojnë Biblën si Fjalën e Perëndisë. Përpiqen me gjithë shpirt t’i zbatojnë në jetë parimet e saj. Kështu, feja e vërtetë ndryshon nga feja që bazohet në mendime njerëzore. (Mateu 15:7-9) Adhuruesit e vërtetë nuk predikojnë një gjë dhe praktikojnë një tjetër.—Lexo Gjonin 17:17; 2 Timoteut 3:16, 17.
Feja e vërtetë nderon emrin e Perëndisë, që është Jehova. Jezui e bëri të njohur emrin e Perëndisë. Ai i ndihmoi njerëzit ta njihnin Perëndinë dhe i mësoi të luteshin për shenjtërimin e emrit të Perëndisë. (Mateu 6:9) Cila fe në vendin ku jeton i nxit njerëzit ta përdorin emrin e Perëndisë?—Lexo Gjonin 17:26; Romakëve 10:13, 14.
4. Si t’i dallosh adhuruesit e vërtetë?
Të krishterët e vërtetë predikojnë Mbretërinë e Perëndisë. Perëndia dërgoi Jezuin të predikonte për Mbretërinë. Mbretëria e Perëndisë është e vetmja shpresë për njerëzimin. Jezui nuk ndaloi së foluri për të deri ditën kur vdiq. (Luka 4:43; 8:1; 23:42, 43) Ai u tha dishepujve të predikojnë Mbretërinë e Perëndisë. Nëse dikush vjen e të flet për Mbretërinë e Perëndisë, cilës fe mund t’i përkasë?—Lexo Mateun 10:7; 24:14.
Dishepujt e Jezuit nuk janë pjesë e kësaj bote të ligë. Ata nuk përzihen në çështje politike dhe në konflikte shoqërore. (Gjoni 17:16) Gjithashtu nuk imitojnë praktikat dhe qëndrimet e dëmshme të kësaj bote.—Lexo Jakovin 1:27; 4:4.
5. Cila është shenja dalluese e krishterimit të vërtetë?
Të krishterët e vërtetë kanë dashuri të jashtëzakonshme për njëri-tjetrin. Ata mësojnë nga Fjala e Perëndisë të respektojnë njerëzit e të gjitha grupeve etnike. Shpesh, feja e rreme i ka mbështetur fuqishëm luftërat mes kombeve, por adhuruesit e vërtetë nuk pranojnë ta bëjnë këtë. (Mikea 4:1-4) Në vend të kësaj, pjesëtarët e fesë së vërtetë i përdorin pa u kursyer kohën dhe të ardhurat për të ndihmuar dhe për t’u dhënë zemër të tjerëve.—Lexo Gjonin 13:34, 35; 1 Gjonit 4:20, 21.
Cili grup i bazon tërë mësimet te Fjala e Perëndisë, nderon emrin e Perëndisë dhe shpall Mbretërinë e Perëndisë si të vetmen shpresë të njerëzimit? Cili grup e tregon dashurinë me vepra dhe nuk mbështet luftërat? Faktet të çojnë te Dëshmitarët e Jehovait.—1 Gjonit 3:10-12.
Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 15, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.
[Figura në faqen 16]
«Ata shpallin publikisht se e njohin Perëndinë, por e mohojnë atë me veprat e tyre.»—Titit 1:16