Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Sa herë të luteni, thoni: ‘Atë’»

«Sa herë të luteni, thoni: ‘Atë’»

«Sa herë të luteni, thoni: ‘Atë’»

«Atë.» Ç’të sjell ndër mend kjo fjalë? Një burrë të dashur e të përzemërt që merakoset thellësisht për mirëqenien e familjes? Apo një burrë që i lë pas dore gjërat, ndoshta edhe që abuzon? Shumë varet se ç’njeri ishte yt atë.

«ATË» ishte fjala që Jezui e përdori shpesh kur i drejtohej Perëndisë dhe kur fliste për të. * Kur i mësoi dishepujt të luteshin, Jezui u tha: «Sa herë të luteni, thoni: ‘Atë.’» (Luka 11:2) Por, ç’lloj ati është Jehovai? Përgjigjja e kësaj pyetjeje është tejet e rëndësishme. Pse? Sa më mirë të kuptojmë se ç’lloj ati është Jehovai, aq më shumë do t’i afrohemi dhe do ta duam.

Asnjë nuk është më i kualifikuar se vetë Jezui që të na tregojë për Atin tonë qiellor. Ai kishte lidhje të ngushtë me të Atin. Jezui tha: «Askush s’e njeh plotësisht Birin përveç Atit, dhe askush s’e njeh plotësisht Atin përveç Birit dhe kujtdo që Biri dëshiron t’ia zbulojë.» (Mateu 11:27) Prandaj, mënyra më e mirë për ta njohur Atin është me anë të Birit.

Ç’mësojmë nga Jezui për Atin tonë qiellor? Shiko çfarë tha Jezui: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» (Gjoni 3:16) Këto fjalë të Jezuit identifikojnë cilësinë mbizotëruese të Atit tonë qiellor​—dashurinë. (1 Gjonit 4:8) Jehovai e tregon dashurinë në mënyra të ndryshme, si për shembull me anë të miratimit, dhembshurisë, mbrojtjes, disiplinës, si dhe me anë të kujdesit për gjërat e nevojshme.

Jezui na siguron për miratimin e Atit tonë

Miratimi i prindërve u jep forcë e zemër fëmijëve. Përfytyro sa zemër duhet t’i kenë dhënë Jezuit fjalët e Atit të tij: «Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.» (Mateu 3:17) Nga ana e tij, Jezui na siguron për dashurinë dhe miratimin që Ati ka për ne. Jezui tha: «Atë që më do mua, Ati im do ta dojë.» (Gjoni 14:21) Sa shumë siguri na japin këto fjalë! Por, ekziston dikush që dëshiron të ta heqë këtë siguri.

Satanai përpiqet të na futë dyshime për miratimin e Atit tonë qiellor. Ai mundohet të na bindë se nuk jemi të denjë për miratimin e Atit. Shpesh ai e bën këtë atëherë kur jemi më të dobët​—të sëmurë, të brishtë, të moshuar ose kur ndihemi keq për shkak të dështimeve personale ose ngaqë na kanë zhgënjyer. Të shohim rastin e një të riu që quhet Lukas, i cili ndihej i padenjë për miratimin e Perëndisë. Lukasi tregon se prindërit ndryshuan kryekëput kur ishte më i ri dhe braktisën shumë nga vlerat që i kishin mësuar. Mbase për këtë arsye e kishte të vështirë të lidhej me Atin e tij qiellor. Përveç kësaj, duke qenë se ishte tip i rrëmbyer, Lukasi futej shpesh në telashe, sidomos në marrëdhëniet me të tjerët. Megjithatë, dalëngadalë, gruaja e tij e duruar dhe inkurajuese​—të cilën Lukasi e quan «bekim të veçantë, dhuratë nga Perëndia»—​e ndihmoi të mbante nën kontroll temperamentin e rrëmbyer. Lukasi arriti të pranonte se «Krishti Jezu erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët». (1 Timoteut 1:15) Ai thotë se meditimi për dashurinë dhe miratimin e Perëndisë e ka bërë të ndihet i lumtur dhe i kënaqur me veten.

Nëse ndonjëherë dyshon se Jehovai të do e të miraton, leximi dhe meditimi rreth fjalëve të Romakëve 8:31-39 mund të të japë siguri. Atje apostulli Pavël na siguron me dashuri se asgjë nuk ‘do të na ndajë dot nga dashuria e Perëndisë, që është shprehur përmes Krishtit Jezu, Zotërisë tonë’. *

Një Atë me dhembshuri të butë

Ati ynë qiellor është i ndjeshëm ndaj vuajtjeve tona. Ai është Perëndi me ‘dhembshuri të butë’. (Luka 1:78) Jezui e pasqyroi dhembshurinë që Ati kishte për njerëzit e papërsosur. (Marku 1:40-42; 6:30-34) Edhe të krishterët e vërtetë përpiqen ta imitojnë dhembshurinë e Atit të tyre qiellor. Ata ia vënë veshin këshillës së Biblës që «[të bëhen] mirëdashës me njëri-tjetrin, zemërdhembshur».​—Efesianëve 4:32.

Mendo për përvojën e një burri që quhet Felip. Një ditë rrugës për në punë, papritur ndjeu një dhimbje të tmerrshme, si një therje pas shpine. Nxitoi për në spital. Pas një ekzaminimi prej tetë orësh, më në fund mjekët arritën në përfundimin se i ishte çarë shtresa e brendshme e aortës. Ata thanë se i mbeteshin vetëm 25 minuta jetë, prandaj nuk ia vlente ta operonin.

Të pranishëm ishin disa bashkadhurues të Felipit, të cilët dhembshuria i shtyu të vepronin menjëherë. Shpejt morën masa që të transferohej në një spital tjetër ku e operuan urgjentisht, si dhe qëndruan me të deri në fund të operacionit. Sa mirë që u mbijetoi atyre peripecive! Kur mendon për atë përvojë, ai është mirënjohës për dhembshurinë që shfaqën bashkadhuruesit e tij. Por Felipi është i bindur se forca motivuese pas dhembshurisë së tyre ishte Ati i tij qiellor. Ai thotë: «Ishte sikur Perëndia të më rrinte pranë e të më forconte si një atë i dashur.» Vërtet, shpesh Jehovai e tregon dhembshurinë e tij duke i nxitur shërbëtorët e vet në tokë ta pasqyrojnë këtë cilësi.

Ati ynë siguron mbrojtje

Kur një fëmijë i vogël e ndien rrezikun, ndoshta vrapon tek i ati për mbrojtje. Fëmija ndihet i sigurt nga përqafimi i dashur i të atit. Jezui besonte plotësisht se Jehovai është i aftë të na mbrojë. (Mateu 26:53; Gjoni 17:15) Edhe ne mund të ndihemi të sigurt nën mbrojtjen e Atit tonë qiellor. Sot Jehovai na siguron kryesisht mbrojtje frymore. Me fjalë të tjera, na mbron nga gjërat që na dëmtojnë marrëdhënien me të, duke na pajisur me çka është e nevojshme për të shmangur rrezikun dhe për të ruajtur miqësinë me të. Një mënyrë si na siguron mbrojtje është me anë të këshillave biblike. Kur marrim këto këshilla, është sikur Jehovai të ecte pas nesh duke na thënë: «Kjo është udha. Ecni në të.»​—Isaia 30:21.

Të marrim shembullin e Tiagut e të vëllezërve të tij, Fernandos e Rafaelit, që bënin pjesë në një grup rok end rolli. Ata ishin vërtet të kënaqur kur i zgjodhën të luanin në një nga sallat më të famshme të muzikës në San-Paulo të Brazilit. Dukej sikur po u buzëqeshte suksesi. Por një bashkadhurues i paralajmëroi për rreziqet e shoqërisë së ngushtë me individë jetesa e të cilëve tregon mungesë respekti për udhët e Perëndisë. (Proverbat 13:20) Ai e theksoi këtë këshillë biblike duke treguar përvojën e vet. Vëllai i tij ishte përfshirë në sjellje të paperëndishme për shkak të shoqërive të këqija. Tiagu dhe vëllezërit e tij vendosën ta braktisnin karrierën muzikore. Tani, që të tre predikojnë në kohë të plotë. Ata mendojnë se ndjekja e këshillave të Fjalës së Perëndisë i mbrojti dhe e ruajtën miqësinë me Perëndinë.

Ati ynë qiellor na disiplinon

Një atë i dashur i disiplinon fëmijët, sepse i intereson se ç’lloj njerëzish do të bëhen. (Efesianëve 6:4) Mund të jetë i vendosur, por kurrë nuk i ndreq me ashpërsi fëmijët. Po ashtu, ndonjëherë Ati ynë qiellor mund ta shohë të nevojshme të na disiplinojë. Por Perëndia na disiplinon gjithnjë me dashuri dhe kurrë në mënyrë abuzuese. Ashtu si Ati i tij, edhe Jezui nuk ishte kurrë i ashpër, madje edhe kur dishepujt nuk reagonin menjëherë kur i ndreqte me të drejtë.​—Mateu 20:20-28; Luka 22:24-30.

Mendo për një burrë që quhej Rikardo, i cili e çmoi dhe e pranoi disiplinën që Jehovai i dha me dashuri. Rikardon e braktisi i ati kur ishte vetëm shtatë muajsh. Gjatë adoleshencës, Rikardoja e ndiente tmerrësisht mungesën e një ati. Ai u përfshi në praktika të këqija dhe ndërgjegjja filloi ta torturonte. Kur e kuptoi se jeta e tij nuk ishte në përputhje me normat morale të krishtere, vendosi të fliste me pleqtë e kongregacionit. Me anë të Biblës, pleqtë e këshilluan me dashuri, por me vendosmëri. Rikardoja e çmoi dhe e pranoi disiplinën, por vazhdoi të vuante tej mase për shkak të asaj që kishte bërë. Kalonte net pa gjumë, qante e vuante nga depresioni. Më në fund, e kuptoi se disiplina që mori, tregonte se Jehovai e donte ende. Ai solli ndër mend fjalët e Hebrenjve 12:6 ku thuhet: «Jehovai disiplinon atë që e do.»

Është mirë që edhe ne të mbajmë në mendje se disiplina përfshin më tepër se ndëshkim ose qortim për keqbërje. Bibla e lidh disiplinën edhe me stërvitjen. Kështu, Ati ynë i dashur qiellor mund të na disiplinojë duke lejuar për njëfarë kohe që të vuajmë pasojat e pakëndshme të gabimeve tona. E prapëseprapë, Bibla tregon se disiplina e tij po na stërvit, na ndihmon që të ndjekim rrugën e duhur. (Hebrenjve 12:​7, 11) Po, Ati ynë merakoset vërtet për mirëqenien tonë dhe na ndreq për dobinë tonë.

Ati ynë kujdeset për nevojat fizike

Një atë i dashur mundohet të plotësojë nevojat fizike e materiale të familjes. Edhe Jehovai bën po njësoj. Jezui tha: «Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.» (Mateu 6:25-34) Jehovai premton: «Kurrsesi nuk do të të lë dhe kurrsesi nuk do të të braktis.»​—Hebrenjve 13:5.

Një grua e quajtur Nisa e kuptoi sa të vërteta janë këto fjalë kur i shoqi ngeli pa punë. Ajo sapo kishte lënë një punë me rrogë të mirë që t’i kushtonte më shumë kohë dy vajzave dhe shërbimit të Perëndisë. Po tani, me se do të jetonin? Ajo iu lut Jehovait. Ditën tjetër burri shkoi sërish te vendi i punës që të merrte gjërat e veta. Për habinë e tij, shefi i tha se ishte në dispozicion një vend i ri pune dhe ia ofroi. Kështu, burri i Nisës e humbi punën, por e fitoi prapë të nesërmen. Nisa dhe i shoqi e falënderuan Atin e tyre qiellor që gjërat shkuan mirë. Kjo përvojë na kujton se Jehovai kujdeset me dashuri për nevojat tona dhe se nuk i harron kurrë shërbëtorët besnikë.

Të çmojmë dashurinë e Atit tonë

Vërtet, fjalët s’mjaftojnë për të përshkruar dashurinë e jashtëzakonshme të Atit tonë qiellor. Kur shqyrtojmë mënyrat e ndryshme si e tregon dashurinë atërore​—me anë të miratimit, dhembshurisë, mbrojtjes, disiplinës, si dhe të kujdesit për gjërat e nevojshme—​patjetër që arrijmë në përfundimin se është Ati më i mirë që mund të imagjinojmë!

Si mund ta tregojmë mirënjohjen për dashurinë që na ka shfaqur Ati ynë qiellor? Mund të përpiqemi të mësojmë më tepër për të dhe qëllimin e tij. (Gjoni 17:3) Mund ta përputhim jetën me vullnetin dhe udhët e tij. (1 Gjonit 5:3) Mund ta pasqyrojmë dashurinë e tij në marrëdhëniet me të tjerët. (1 Gjonit 4:11) Në të gjitha këto mënyra, tregojmë se mbështetemi te Jehovai si Ati ynë dhe se e konsiderojmë nder të jemi fëmijët e tij.

[Shënimet]

^ par. 3 Figura atërore e Jehovait është një temë kryesore në Shkrime. Për shembull, lexojmë se Jezui e përdori fjalën «Atë» rreth 65 herë në tre ungjijtë e parë dhe mbi 100 herë në Ungjillin e Gjonit. Edhe Pavli e quajti «Atë» Perëndinë mbi 40 herë në letrat e tij. Jehovai është Ati ynë në kuptimin që është Burimi i jetës sonë.

^ par. 9 Shih kapitullin 24 me temë «Asgjë s’mund ‘të na ndajë nga dashuria e Perëndisë’» në librin T’i afrohemi Jehovait, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 19]

Sa më mirë të kuptojmë se ç’lloj ati është Jehovai, aq më shumë do t’i afrohemi dhe do ta duam

[Diçitura në faqen 22]

Tregojmë se mbështetemi te Jehovai si Ati ynë dhe se e konsiderojmë nder të jemi fëmijët e tij

[Kutia dhe figurat në faqen 21]

JEHOVAI E TREGON DASHURINË ATËRORE NË MËNYRA TË NDRYSHME

MIRATIM

DHEMBSHURI

MBROJTJE

DISIPLINË

KUJDES FIZIK