Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bibla të ndryshon jetën

Bibla të ndryshon jetën

SI U bë bashkëshort e baba i lumtur dhe i suksesshëm një burrë me të kaluar tragjike? Çfarë e shtyu një grua me shumë vese ta pastronte jetën? Lexo çfarë thonë ata vetë.

«Ndihesha i pavlerë.»​—BIKTOR UGO ERERA

  • LINDUR: 1974
  • VENDI I LINDJES: KILI
  • MË PARË: I VARUR NDAJ ALKOOLIT

E KALUARA IME:

Linda në qytetin e Angolit, në jugun e bukur të Kilit. Nuk e njoha kurrë tim atë. Kur isha tre vjeç, bashkë me mamanë e vëllanë u shpërngulëm në kryeqytet, në Santiago. U katandisëm në një dhomë të vogël brenda një kampi të sajuar për të pastrehët. Përdornim një nevojtore publike dhe ujin e merrnim nga një hidrant zjarrfikësi, një tubacion uji.

Pas nja dy vjetësh, qeveria na dha një shtëpi të vogël. Mjerisht, në lagjen tonë të re mbizotëronte abuzimi me drogën e alkoolin, krimi dhe prostitucioni.

Një ditë mamaja takoi një burrë me të cilin më vonë u martua. Njerku pinte rëndë e na rrihte mua dhe mamanë. Shpesh qaja kur isha vetëm. Sa do të doja një baba që të më mbronte!

Edhe pse mamaja punonte fort që të kujdesej për ne, ishim shumë të varfër. Kur na merrte uria, ndonjëherë gjithçka kishim për të ngrënë ishte qumësht pluhur e sheqer. Për t’u argëtuar, unë dhe vëllai shihnim televizor vjedhurazi nga dritarja e një fqinje. Por një ditë ajo na zbuloi dhe kaq e pati argëtimi ynë!

Kur njerku ishte esëll, që ndodhte rrallë, na blinte ndonjë gjë për të ngrënë mua e vëllait. Kurse një herë na bleu një televizor të vogël. Ky ishte një nga rastet e pakta që jam ndier i lumtur.

Kur isha 12 vjeç, mësova të lexoja. Një vit më vonë e lashë shkollën dhe nisa të punoja me orar të plotë. Pas pune, me shokët e punës që ishin të rritur, shkoja në festa ku bëheshim tapë e merrnim drogë. Shpejt u bëra i varur ndaj alkoolit dhe drogës.

Në moshën 20-vjeçare njoha Katin, me të cilën u martova. Në fillim gjërat shkonin vaj, por më vonë iu ktheva jetës së mëparshme. Sjellja ime u përkeqësua edhe më tej. Më në fund e kuptova se, kështu siç e kisha nisur, më priste o burgu, o varri. Ç’është më e keqja, tim biri, Biktorit, po i shkaktoja të njëjtat vuajtje që kisha kaluar vetë në fëmijëri.  Isha i trishtuar, i inatosur me veten dhe ndihesha i pavlerë.

Rreth vitit 2001, na erdhën në shtëpi dy Dëshmitare të Jehovait dhe Kati filloi të studionte Biblën me to. Më fliste për gjërat që mësonte. Nga kureshtja, nisa edhe unë të studioja Biblën. Në vitin 2003, Kati u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Një ditë, lexova shkrimin e Ruthës 2:12 ku thuhet se Jehovai i shpërblen ata që veprojnë me besim, duke kërkuar strehë tek ai. E kuptova se, po të ndryshoja, do ta kënaqja Perëndinë dhe ai do të më shpërblente. Në Bibël pashë se dehja dënohej shpesh. Fjalët te 2 Korintasve 7:1 ndikuan thellë tek unë. Ky varg na nxit «të pastrohemi nga çdo ndotje». Kështu nisa t’i lija zakonet e këqija. Teksa bëja këtë, në fillim e humbja më shpesh toruan, por Kati vazhdoi të më mbështeste.

Më në fund e lashë punën, sepse presioni për të pirë duhan e alkool ishte shumë i madh. Megjithëse për një periudhë isha pa punë dhe mezi ia dilja me të ardhurat, kjo më jepte më tepër mundësi që të studioja Biblën. Në këtë kohë, nisa të përparoja si i krishterë. Kati nuk më kërkonte kurrë nga ana materiale më shumë nga ç’mund t’i siguroja, as më qortonte për jetën e thjeshtë që bënim. I jam jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e dashur.

Gradualisht fillova të shoqërohesha më tepër me Dëshmitarët. Ata më ndihmuan të kuptoja se, ndonëse i pashkolluar, Jehovai vlerësonte dëshirën time të sinqertë për t’i shërbyer. Dashuria dhe uniteti që pamë brenda kongregacionit të krishterë ndikuan thellë te familja jonë. Këtë paqe s’e kishim ndier askund tjetër. Në dhjetor të vitit 2004 u pagëzova edhe unë.

DOBITË:

Kam përjetuar sa të vërteta janë fjalët e Jehovait të dokumentuara te Isaia 48:17, ku thuhet: «Unë Jehovai, jam Perëndia yt, Ai që të mëson se si të nxjerrësh dobi për vete.» Kaq përshtypje u bënë ndryshimet e mia mamasë e vëllait, sa edhe ata tani studiojnë Biblën. Edhe fqinjët kënaqen kur shohin sa kam ndryshuar dhe sa të lumtur jemi si familje.

Kam një grua që e do Perëndinë dhe që më sheh si shok jete të besueshëm. Edhe pse kurrë s’e njoha tim atë, Bibla më ka mësuar si t’i rris tre djemtë, të cilët më respektojnë. Ç’është më e rëndësishmja, për ta Jehovai është real dhe e duan gjithnjë e më shumë.

«Edhe pse kurrë s’e njoha tim atë, Bibla më ka mësuar si t’i rris tre djemtë»

Jam vërtet mirënjohës që, me gjithë fëmijërinë e trishtë, Jehovai më ka dhënë mundësinë të jem i lumtur.

 «U bëra një e re e zemëruar dhe agresive.»​—NABIHA LAZAROVA

  • LINDUR: 1974
  • VENDI I LINDJES: BULLGARIA
  • MË PARË: TRAFIKANTE DROGE

E KALUARA IME:

Linda në Sofje të Bullgarisë, në një familje të shtresës së mesme. Babai e braktisi familjen kur isha gjashtë vjeçe. Kjo ishte një tronditje e madhe e cila më shkaktoi dhimbje të tmerrshme emocionale. Ndihesha e braktisur dhe e padenjë të më donin. Teksa rritesha, këto ndjenja më bënë rebele. U bëra një e re e zemëruar dhe agresive.

Në moshën 14-vjeçare, ia mbatha nga shtëpia për herë të parë. Shpesh i vidhja para mamasë dhe gjyshërve. Në shkollë futesha gjithnjë në telashe për shkak të temperamentit të dhunshëm dhe, si pasojë, vetëm brenda pak viteve më dërguan në pesë shkolla të ndryshme. Tre vjet para se të merrja diplomën, e lashë shkollën. Bëja jetë tepër imorale. U bëra e varur ndaj duhanit dhe marihuanës. Pija shumë, shkoja vazhdimisht në festa dhe u përfshiva në trafikun e drogës. Jeta në një botë të pashpresë, ku njerëzit vuajnë e vdesin, më dëshpëronte. Prandaj, s’e vritja mendjen për të nesërmen.

Në vitin 1998, kur isha 24 vjeçe, më arrestuan në aeroportin e San-Paulos, Brazil, ndërsa trafikoja drogë. Më dënuan me katër vjet burg.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA:

Në vitin 2000, në burgun tim nisën të na bënin vizita një herë në javë Dëshmitarët e Jehovait. Njëra nga Dëshmitaret, Marinesa, u tregua shumë e dashur me mua. Ajo më zgjoi dëshirën që të mësoja më tepër për Biblën. Meqë s’kisha dëgjuar ndonjëherë për Dëshmitarët e Jehovait, pyeta të burgosurat e tjera se çfarë dinin për ta. U habita që shumica më thanë gjëra të këqija për ta. Një e burgosur më tha të futesha në çfarëdo feje, përveçse te Dëshmitarët e Jehovait. Kjo ma shtoi edhe më shumë kureshtjen; doja të dija pse i urrenin kaq shumë këta njerëz. Nisa të kuptoja se kjo ndodhte ngaqë ata praktikonin fenë e vërtetë. Në fund të fundit, Bibla thotë se të gjithë ata që sinqerisht përpiqen të ndjekin Krishtin, do t’i përndjekin.​—2 Timoteut 3:12.

Gjatë asaj kohe, më caktuan të punoja në godinën e administratës së burgut. Një ditë, në një depo gjeta disa kuti me revista të vjetra Kulla e Rojës dhe Zgjohuni! * I mora me vete në qelinë time dhe fillova t’i lexoja. Sa më shumë lexoja, aq më shumë ndihesha si dikush në një shkretëtirë të zhuritur që sapo ka gjetur një pus me ujë të freskët. Meqë kisha mjaft kohë në dispozicion, e studioja Biblën shumë orë çdo ditë.

Një ditë, më thirrën në drejtorinë e burgut. Pritja të më lironin, prandaj mblodha vrik gjërat e mia, u thashë mirupafshim të burgosurave të tjera dhe vrapova për te drejtoria.  Megjithatë, kur arrita atje, mora vesh se kundër meje ishte ngritur një çështje tjetër për mbajtje të dokumenteve false. Si rrjedhojë më shtuan edhe dy vjet burg.

Në fillim, më ra si bombë. Por, pas ca ditësh, nisa të kuptoja se mënyra si rrodhën gjërat doli një bekim. Edhe pse kisha mësuar shumë gjëra nga Bibla, në zemër doja ende që, pasi të dilja nga burgu, të vazhdoja jetën e dikurshme. Më duhej akoma kohë për të ndryshuar.

Ndonjëherë më dukej e pamundur që Perëndia të më pranonte si adhuruesen e tij. Por meditova për shkrime si 1 Korintasve 6:9-11. Vargje të tilla tregojnë se, në shekullin e parë të e.s., disa të krishterë kishin qenë hajdutë, pijanecë e zhvatës, para se t’i shërbenin Jehovait. Megjithatë, falë ndihmës së Jehovait, ndryshuan. Shembulli i tyre më inkurajoi pa masë.

Nuk ishte e vështirë t’i lija disa vese. Për shembull, drogën e lashë pa ndonjë vështirësi të madhe. Por të lija duhanin ishte krejt ndryshe. Pata një betejë për më shumë se një vit, por më në fund ia dola mbanë. Diçka që më ndihmoi ishte ta bindja veten për dëmet që i sjell shëndetit pirja e duhanit. Mbi të gjitha, lutjet pa pushim drejtuar Jehovait më ndihmuan ta lija duhanin.

«Kisha gjetur Atin më të mirë, i cili nuk do të më braktiste kurrë»

Teksa i afrohesha Jehovait, gradualisht nisa t’i kapërceja ndjenjat e braktisjes me të cilat kisha luftuar pasi babai na braktisi. Më prekën thellë fjalët e Psalmit 27:10. Ai thotë: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai do të më merrte në gji.» E kuptova se kisha gjetur Atin më të mirë, i cili nuk do të më braktiste kurrë. Tani kisha një qëllim në jetë. Në prill të vitit 2004, gjashtë muaj pasi dola nga burgu, u pagëzova si Dëshmitare e Jehovait.

DOBITË:

Jam e lumtur. Nuk kam më vese që shkatërrojnë shëndetin, por gëzoj një gjendje fizike dhe emocionale shumë më të mirë se kur isha më e re. Gëzoj një martesë të lumtur dhe kam një miqësi të ngushtë me Atin tim qiellor, Jehovain. Mes adhuruesve të tij kam gjetur mjaft prindër, nëna, vëllezër e motra. (Marku 10:29, 30) Jam mirënjohëse që ata panë potencialin brenda meje, madje para se ta shihja te vetja.

Ndonjëherë më pushtojnë ndjenjat e fajit për shkak të së kaluarës. Por, ngushëllohem duke ditur se në botën e re që premton Perëndia, kujtimet e këqija «nuk do të vijnë më në mendje». (Isaia 65:17) Ndërkohë, nga përvojat që kam kaluar, arrij t’i kuptoj më mirë ata që hasin të njëjtat sfida. Në këtë kuptim, e kaluara më ka hyrë në punë. Për shembull, gjatë predikimit e kam të lehtë të flas me ata që janë të varur nga droga, nga alkooli ose me kriminelët, pa i paragjykuar. Jam e bindur se, nëse unë ia dola të bëja ndryshime që t’i pëlqeja Jehovait, çdokush mund t’ia dalë.

^ par. 29 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.