Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Më në fund gjeta lirinë e vërtetë!

Më në fund gjeta lirinë e vërtetë!

«Askush s’pyet për ju»,—na tha një polic i burgut duke qeshur.—«Ju mund të rrini këtu.» Si ka mundësi që ne, një familje ruse punëtore e paqësore, përfunduam të burgosur në Korenë e Veriut në vitin 1950, rreth pesë vjet pas mbarimit të Luftës II Botërore?

NË DOKUMENTET e mia shkruhet se viti i lindjes sime është 1924-a. Ka mundësi të kem lindur në fshatin Shmakovka, në skajin më lindor të Rusisë, afër kufirit me Kinën.

Shmakovka, fshati ku linda, Primorski-Kraj, skaji më lindor i Rusisë

Një ditë, babanë dhe vëllezërit e mëdhenj i rrëmbyen disa banditë, dhe mamaja s’i pa më kurrë. Tani ajo kishte një tufë me fëmijë të vegjël, të cilët mezi i ushqente. Një fqinj propozoi të na çonte ne të vegjëlve në jetimoren ortodokse ruse, dhe të thoshte se nëna na kishte braktisur.

Mamaja ra dakord me këtë plan, sepse përndryshe, të vegjlit e saj, ku përfshihesha edhe unë, me siguri do të kishin vdekur urie. Tani që jam në mes të të 80-ave, i jam mirënjohëse nënës që na dërgoi në jetimore. Pa dyshim që na shpëtoi jetën. Gjithsesi, vendimi i saj ende më mundon.

Unë dhe Ivani, kur u martuam më 1941

Në vitin 1941 u shpërngula në Kore dhe atje u martova me Ivanin, një rus të sjellshëm. Më 1942 lindi vajza jonë, Olja, në Seul, Kore. Djali ynë, Kolja, lindi atje në vitin 1945, kurse vëllai i tij, Xhori, më 1948. Burri kujdesej për dyqanin e familjes, kurse unë merresha me qepje. Meqë Seulin e kishin pushtuar japonezët, fëmijët flitnin japonisht teksa rriteshin, megjithëse në shtëpi flitnim rusisht. Deri në vitin 1950, në Seul dukej sikur kishte paqe mes sovjetikëve, amerikanëve dhe koreanëve. Të gjithë i kishim klientë në dyqanin tonë.

Robër të koreanëve të veriut

Në vitin 1950, gjithçka ndryshoi vetëtimthi. Trupat e Koresë së Veriut shtinë në dorë Seulin. S’arritëm t’ia mbathnim, prandaj na arrestuan bashkë me civilë të tjerë të huaj. Për tre vjet e gjysmë, bashkë me të burgosur lufte britanikë, rusë, amerikanë dhe francezë, na detyruan të marshonim drejt vendeve të ndryshme në mbarë Korenë e Veriut. Gjenim strehë ku të mundnim dhe përpiqeshim t’i shmangnim bombat.

Me raste, jetonim në shtëpi me ngrohje dhe na jepnin mjaft ushqim. Gjithsesi, zakonisht hanim vetëm mel dhe flinim në ndërtesa të ftohta e të braktisura. Shumë nga grupi vdiqën nga kequshqyerja dhe lënia pas dore. Më mbyste dëshpërimi kur shihja fëmijët tek vuanin. Dimri erdhi herët në Korenë e Veriut. Kujtoj që ulesha pranë zjarrit gjithë natën, ngrohja gurë e i vija poshtë fëmijëve.

Kur u ngroh koha, disa fshatarë koreanë na mësuan cilat bimë të egra ishin të ngrënshme dhe ne u sulëm në kërkim të barishteve, mjedrave, rrushit dhe kërpudhave. Qartë, fshatarët s’na urrenin aspak, por vetëm u vinte keq për gjëmën që na kishte zënë. Mësova si të kapja bretkosa për të pasuruar dietën tonë të  varfër. Më këputej shpirti kur dëgjoja fëmijët që më luteshin vazhdimisht për bretkosa.

Një tetor, na urdhëruan të marshonim për në Manpo. Na thanë se për të sëmurët dhe të vegjlit do të siguronin qerre. Oljan dhe babanë e saj i detyruan të marshonin më këmbë me grupin. Vëllezërit e saj të vegjël dhe unë pritëm gjithë ankth me ditë të tëra që të mbërrinin qerret. Me kalimin e kohës, qerret u kthyen.

Të burgosurit e sëmurë i bënin pirg mbi qerre si të ishin thasë me drithë. Pamja ishte e tmerrshme. Me Xhorin e vogël mbi kurriz, u përpoqa ta hipja Koljan në një cep të qerres, por ai shpërtheu në të qara: «Mami, mami, dua të ec me ty! Të lutem, mos më lër!»

Kolja çapitej nga pas dhe përpiqej të ecte në një hap me mua teksa më shtrëngonte fundin me dorën e vockël. Shumë të burgosur i vranë gjatë këtij marshimi famëkeq, i cili zgjati për ditë të tëra. Nga pas na vinin tufa korbash, që çukitnin kufomat e ngelura mbrapa. Më në fund, u ribashkuam me burrin dhe Oljan. Qamë dhe u përqafuam. Atë natë, ndenja zgjuar e ngroha gurë pranë zjarrit. Isha e qetë, sepse mund t’i vija gurët poshtë gjithë fëmijëve të mi.

Në vitin 1953, afër paralelit të 38-të që ndan Korenë e Veriut me atë të Jugut, jeta jonë sikur u lehtësua disi. Na dhanë uniforma të pastra, këpucë, madje edhe karamele. S’kaloi shumë dhe britanikët i liruan, më pas edhe francezët. Por ne s’i përkitnim asnjë vendi. Kur të burgosurit e fundit u larguan, ne ngelëm vetëm. Qamë tërë dëshpërim dhe s’na bëhej të hanim. Pikërisht në këtë kohë polici korean na tha fjalët lënduese në hyrje të tregimit.

Jetë e re në Shtetet e Bashkuara

Çuditërisht, pak pas kësaj na çuan në Korenë e Jugut përmes një zone të çmilitarizuar. Pasi na mori në pyetje  personeli ushtarak amerikan, na lejuan të emigronim për në Shtetet e Bashkuara. I hipëm anijes për në San-Francisko, Kaliforni, ku na ndihmoi një organizatë bamirëse. Më vonë shkuam në Virxhinia dhe të njohurit atje na ndihmuan tërë dashamirësi që të stabilizoheshim. Në fund, u transferuam në Merilend për një jetë të re.

Me burrin dhe dy fëmijë, 1954

Edhe gjërat e thjeshta na bënin përshtypje, si për shembull fshesa me korrent. Si emigrantë në një vend të ri, punonim fort e me orar të zgjatur. Por më trishtonte kur shihja disa emigrantë të stabilizuar, që shfrytëzonin të sapoardhurit. Sapo mbërritëm, takuam një prift ortodoks rus, i cili na tha: «Këtu jeni në tokë të bekuar. Nëse doni t’ju ecë mbarë, mos u përzini me të sojit tuaj.» U trondita dhe u çudita. A s’duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin?

Në vitin 1970, Berni Betëllmeni, një Dëshmitar i Jehovait, na erdhi në shtëpi për të folur për diçka rreth Biblës. Ishte tip me karakter të fortë dhe të drejtpërdrejtë, tamam si ne. Folëm për orë të tëra. I dija përmendsh mësimet e kishës, sepse isha rritur në një jetimore ortodokse. Por s’kisha menduar kurrë të gjeja një Bibël. Berni na e solli një dhe tha: «Kjo Bibël është për ju, sepse ju dua.» Gjithashtu, na prezantoi me Benin, një Dëshmitar nga Bjellorusia që fliste rusisht.

Tërë mirësjellje, Beni me gruan iu përgjigjën me anë të Biblës pyetjeve të mia. Gjithsesi, isha e sigurt se Dëshmitarët i kishin shtrembëruar Shkrimet e Shenjta. Më tërboi veçanërisht ajo që thuhej në botimet e tyre, se Maria kishte fëmijë të tjerë përveç Jezuit, kurse kisha mësonte diçka tjetër.

I telefonova një shoqeje polake dhe i thashë të kontrollonte Mateun 13:55, 56 në Biblën e saj në polonisht. Kur ma lexoi vargun, u trondita, sepse edhe aty thuhej që Jezui kishte pasur vërtet vëllezër më të vegjël. Edhe shoqja telefonoi një të njohur që punonte në Bibliotekën e Kongresit në qytetin e Uashingtonit, për ta kontrolluar këtë varg në të gjitha përkthimet e mundshme atje. Shoqja më tha se çdo përkthim përmendte të njëjtën gjë: Jezui kishte pasur vëllezër e motra.

Kisha kaq shumë pyetje të tjera. Pse vdesin fëmijët? Pse po luftojnë kombet? Pse nuk e kuptojnë njerëzit njëri-tjetrin, ndonëse flasin  të njëjtën gjuhë? Përgjigjet që mora nga Bibla më entuziazmuan. Mësova se vuajtjet nuk janë pjesë e vullnetit të Perëndisë për njerëzit. U kënaqa tej mase kur mësova se do t’i shihja sërish njerëzit e shtrenjtë që ishin zhdukur përgjatë konflikteve të ndryshme. Dalëngadalë, Jehovai u bë real për mua.

Një ditë isha para ikonave duke i kërkuar ndihmë Perëndisë për tim bir, që sapo ishte kthyer nga lufta në Vietnam, dhe po vuante tmerrësisht nga ana emocionale. Papritur, kuptova se lutjet s’duhej t’ua drejtoja ikonave, por Perëndisë së gjallë, Jehovait. I bëra copë-copë ikonat dhe pashë se s’ishin gjë tjetër veçse letër alumini plot ngjyra. I kisha blerë në kishë, por atë natë i hoqa qafe.

Nuk ishte e lehtë ta lija kishën, sepse isha rritur me të. Por tani, mësimet e Biblës i vlerësoja më tepër se çdo gjë tjetër. Një vit më vonë, bashkë me vajzën e burrin shkova të takoja priftin ortodoks rus. Kisha shkruar në një bllok pyetje biblike dhe shkrimet përkatëse poshtë tyre. Teksa i lexoja me zë vargjet biblike, prifti tundi kokën dhe tha: «Ju s’jeni fare në terezi.» Na tha të mos i trokitnim më në derë.

Kjo ngjarje i bëri shumë përshtypje vajzës, Oljas, që është me natyrë kureshtare e s’i mbushet mendja kollaj. Edhe ajo nisi ta shqyrtonte më thellë Biblën e shumë shpejt filloi të vinte me mua në mbledhjet e Dëshmitarëve. Në vitin 1972 u pagëzova, kurse Olja në vitin pasues.

Motoja e familjes

Në kopshtin e shtëpisë në Merilend, SHBA, rreth vitit 1990

Motoja jonë ka qenë: «Përqendrohu në të tashmen, hidhe pas krahëve të kaluarën.» Prandaj, kurrë nuk ngurronim të bënim diçka të re, nëse ishim të bindur se ishte e drejtë. Kur unë dhe vajza filluam të bëheshim miq me Perëndinë, kishim dëshirë të zjarrtë t’u shkonim njerëzve në shtëpi e t’u flitnim për gjërat që po mësonim. Duhet ta pranoj se personaliteti im i drejtpërdrejtë dhe i fortë ndonjëherë i detyronte të tjerët të ndërhynin e ta zbutnin situatën. Por, me kalimin e kohës, mësova t’u flitja njerëzve me prejardhje e formime të ndryshme, të cilët po kërkonin një jetë më të mirë, tamam si unë.

Gjatë viteve në vazhdim, unë dhe vajza thoshim shpesh se, po të binte ndonjëherë Perdja e Hekurt, do të shkonim në Rusi për të ndihmuar njerëz si ne të mësonin për Perëndinë. Kur ajo ra në fillim të viteve 90 të shekullit të njëzetë, Olja e realizoi ëndrrën për të dyja. Shkoi në Rusi dhe për 14 vjet predikoi atje në kohë të plotë. Ajo studioi Biblën me shumë veta dhe ndihmoi në përkthimin e literaturës biblike nga anglishtja në rusisht në zyrën e degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Rusi.

Tani jam e ngujuar në shtrat, dhe fëmijët e mi bëjnë më të mirën për të ma lehtësuar jetën sa më shumë të munden. Falënderoj Perëndinë që gjeta vërtet një jetë më të mirë pas viteve të para plot vuajtje. Kam parë sa të vërteta janë fjalët e psalmit të Biblës që shkroi bariu David: «[Perëndia] më çon të prehem në vende të ujitura mirë, dhe ma freskon shpirtin. Për hir të emrit të tij, më prin nëpër shtigjet e drejtësisë.»—Psalmi 23:2, 3. *

^ par. 29 Maria Kilini ra në gjumin e vdekjes më 1 mars 2010, kur po përgatitej për shtyp ky tregim në vetën e parë.