Letër nga Benini
Ç’desha që erdha këtu!
ISHTE mëngjes tipik në Afrikën Perëndimore. Ajri ishte mbushur me aromën e salcave e të orizit që zienin. Gratë ecnin me ngarkesa jashtëzakonisht të mëdha mbi kokë. Të qeshurat me gjithë shpirt përziheshin me poteren e pazarit. Ndonëse mëngjes, dielli ishte një disk përvëlues.
Me të parë një jovo ose njeri të bardhë, një grup fëmijësh ia nisën këngës e kërcimit të tyre të zakonshëm. Kënga niste me fjalët «Jovo, jovo, bon suar» dhe përfundonte: «Si thua për një dhuratë për shfaqjen?» Njëri nga djemtë s’po këndonte. Teksa vazhdoja rrugën, ai më ndoqi dhe filloi të bënte gjeste me duar. Dukej si gjuhë e shenjave. Në Shtetet e Bashkuara kisha mësuar të daktiloja shkronjat në Gjuhën Amerikane të Shenjave (GJASH), por Benini është vend frëngjishtfolës.
Mezi arrita të daktiloja tetë shkronjat e emrit tim. Djalit i rrezatoi fytyra nga buzëqeshja. Më kapi për dore e më udhëhoqi nëpër disa rrugica drejt shtëpisë së tij, një banese tipike me dy dhoma dhe e bërë me blloqe. Përreth u mblodh familja e tij. Të gjithë komunikonin në gjuhën e shenjave. Po tani ç’të bëja? U tregova emrin tim me shenja, pastaj shkrova në një copë letër se isha misionare që mësonte për Biblën dhe se do të kthehesha sërish. Aty erdhën edhe disa fqinjë që dëgjonin, të cilët tundnin kokën në shenjë miratimi. «Ç’desha që erdha këtu!»—mendova.
Kur shkova në shtëpi, vrisja mendjen: «Duhet të ketë ndonjë që t’i ndihmojë këta njerëz të mësojnë për premtimin e Perëndisë: ‘Do të hapen veshët e të shurdhërve.’» (Isaia 35:5) Bëra ca kërkime. Sipas një regjistrimi të popullsisë të kohëve të fundit, në Benin kishte 12.000 njerëz që nuk dëgjonin ose që dëgjonin me vështirësi. U habita shumë kur mora vesh se në shkollat për ata që s’dëgjojnë, përdorej Gjuha Amerikane e Shenjave, jo Gjuha Frënge e Shenjave. Por sa u mërzita që asnjë nga Dëshmitarët e Jehovait këtu nuk e dinte GJASH-in. Duke psherëtirë, i thashë një Dëshmitareje vendëse: «Ah, sikur të vinte e të ndihmonte dikush që e di Gjuhën Amerikane të Shenjave!» Ajo u përgjigj: «Por, a nuk je ti këtu?» Kishte të drejtë. Porosita një libër autodidakt dhe DVD-të në Gjuhën Amerikane të Shenjave, të botuara nga Dëshmitarët e Jehovait. Lutjet e mia për ndihmë morën përgjigje kur një Dëshmitare që e dinte mirë Gjuhën Amerikane të Shenjave u transferua nga Kameruni në Benin.
Lajmi se po mësoja gjuhën e shenjave u përhap gjithandej. Më thanë se duhej të takoja Brisin, një piktor. Studioja ose punishtja e tij e bërë me gjethe palmash të ndërthurura së bashku, ishte një vend i freskët në atë klimë të nxehtë e të lagësht. Ngaqë ndër vite i kishte pastruar në mure furçat, muret kishin marrë pamje ylberi. Ai pastroi nja dy stola dhe më pa ngultas duke pritur të filloja. Futa një DVD në lexuesin tim portativ. Ai u afrua drejt ekranit të vogël. «Kuptoj! Kuptoj!»—më tha me shenja. Fëmijët e lagjes u mblodhën dhe zgjatnin qafën që të shihnin. Njërit prej tyre i shkau goja: «Pse po shohin një film pa zë?»
Sa herë që kthehesha të takoja Brisin, turma rreth lexuesit të DVD-së bëhej gjithnjë e më e madhe. S’kaloi shumë dhe Brisi e të tjerë nisën të vinin në mbledhjet e krishtere. Ngaqë përktheja për ta, përparova më shpejt. Teksa grupi rritej në numër, disa madje vinin të më kërkonin. Për shembull, një ditë makina ime e vjetër hungëronte e rënkonte në shenjë proteste teksa kaloja nëpër gropa që të shmangia dhitë e derrat që bridhnin rrugëve. Pastaj dëgjova një goditje të papritur në pjesën e prapme. «O mos,—mendova me vete,—edhe një defekt tjetër më duhet!» Por jo, ishte një burrë që nuk dëgjonte, i cili po vraponte pas makinës sime duke u përpjekur të më tërhiqte vëmendjen në mënyrën më të mirë të mundshme—duke më goditur makinën.
Grupe të GJASH-it u formuan edhe në qytete të tjera. Kur në kongreset tona vjetore organizoheshin sesione në gjuhën e shenjave, më kërkuan edhe mua të interpretoja. Ndërsa hipja në podium dhe pritja që oratori të fillonte, për një çast m’u kujtuan fillimet e caktimit tim. Atëherë mendoja: «Ç’mund të bëj më tepër si misionare në Afrikë?» Auditori përballë meje ishte përgjigjja—të jem një misionare që ndihmon ata që nuk dëgjojnë. Tani nuk them më me vete: «Ç’desha që erdha këtu!»