Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Moisiu—Njeri i dashurisë

Moisiu—Njeri i dashurisë

ÇFARË ËSHTË DASHURIA?

Dashuria është përzemërsi e thellë për të tjerët. Një person i dashur e tregon me fjalë e veprime çfarë ndien për ata që i quan të shtrenjtë, edhe kur i duhet të bëjë sakrifica.

SI TREGOI DASHURI MOISIU?

Moisiu tregoi dashuri për Perëndinë. Në ç’mënyrë? Sill ndër mend fjalët e 1 Gjonit 5:3: «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.» Moisiu e bëri këtë. Ai u bind në çdo gjë që i kërkoi Perëndia, që nga caktimi frikësues për t’u përballur me faraonin e deri te një detyrë që dukej e thjeshtë, të shtrinte shkopin drejt Detit të Kuq. Qoftë urdhërim i thjeshtë, qoftë i vështirë, Moisiu s’ia bëri fjalën dysh Jehovait. «Ai bëri pikërisht ashtu.»—Dalja 40:16.

Moisiu tregoi dashuri për bashkëkombësit e vet. Ata e dinin se Jehovai po e përdorte që t’i printe popullit të tij, prandaj i drejtoheshin Moisiut për probleme të ndryshme. Në Shkrime lexojmë: «Populli qëndroi para tij, nga mëngjesi deri në mbrëmje.» (Dalja 18:13-16) Imagjino sa duhet t’i jenë shteruar energjitë teksa dëgjonte orë pas ore izraelitët që i zbrazeshin për hallet e tyre. Prapëseprapë, Moisiu kishte dashuri për njerëzit, prandaj ishte i lumtur t’i ndihmonte.

Përveçse i dëgjonte, Moisiu u lut për ata që donte. Madje, u lut edhe për ata që e kishin trajtuar keq. Për shembull, kur motra e Moisiut, Miriami, murmuriti kundër tij, Jehovai e goditi me lebër Miriamin. Në vend që të gëzohej për ndëshkimin e saj, Moisiu u lut menjëherë për të: «Të lutem, o Perëndi, të lutem shëroje!» (Numrat 12:13) Ç’gjë tjetër përveç dashurisë do ta kishte shtyrë të bënte një lutje kaq altruiste?

ÇFARË MËSOJMË?

Mund ta imitojmë Moisiun duke zhvilluar dashuri të thellë për Perëndinë. Një dashuri e tillë na shtyn t’u bindemi «nga zemra» urdhërimeve të tij. (Romakëve 6:17) Kur i bindemi nga zemra Jehovait, ia gëzojmë zemrën. (Proverbat 27:11) Edhe vetë nxjerrim dobi. Në fund të fundit, kur i shërbejmë Jehovait të shtyrë nga një dashuri e sinqertë, jo vetëm që do të bëjmë gjërat e duhura, por edhe do të kënaqemi duke i bërë ato.—Psalmi 100:2.

Ne mund ta imitojmë Moisiun edhe duke zhvilluar dashuri vetëmohuese për të tjerët. Kur miqtë ose familjarët na zbrazen për hallet e tyre, dashuria na nxit (1) t’u kushtojmë vëmendje me gjithë zemër; (2) t’u tregojmë empati, pra të ndihemi si ata, dhe (3) t’u lëmë të kuptojnë se interesohemi për ta.

Ashtu si Moisiu, mund të lutemi për ata që i duam. Ndonjëherë mund të ndihemi të pafuqishëm për t’i ndihmuar kur na hapen për problemet e tyre. Madje, mund të themi me keqardhje: «Më vjen keq që s’mund të bëj gjë tjetër veçse të lutem për ty.» Por mos harro: «Shumë fuqi ka lutja e të drejtit kur bëhet me gjithë shpirt.» (Jakovi 5:16, Diodati i Ri) Faktikisht, lutjet tona mund ta shtyjnë Jehovain të bëjë diçka për personin, që përndryshe s’do ta kishte bërë. Prandaj, ç’gjë tjetër më të mirë mund të bëjmë për njerëzit tanë të dashur, sesa të lutemi për ta? *

A nuk je dakord se mund të mësojmë shumë nga Moisiu? Megjithëse ishte njeri i zakonshëm, ai la një shembull të jashtëzakonshëm besimi, përulësie dhe dashurie. Sa më shumë ta imitojmë, aq më tepër dobi do të nxjerrim ne dhe të tjerët.—Romakëve 15:4.

^ par. 8 Që Perëndia të na i dëgjojë lutjet, duhet të përpiqemi fort e me gjithë zemër të bëjmë gjërat që kërkon ai. Për më shumë informacion, shih kapitullin 17 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.