Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezui—Çelësi i një jete me kuptim

Jezui—Çelësi i një jete me kuptim

A KISHTE Jezui vërtet një jetë me kuptim? Me sa duket, ai u rrit në kushte të thjeshta dhe gjatë gjithë jetës s’kishte shumë nga të mirat e kësaj bote. Në fakt, ‘ai s’kishte as ku të mbështeste kokën’. (Luka 9:57, 58) Përveç kësaj, e urryen, shpifën për të dhe në fund armiqtë i morën jetën.

Ndoshta arsyeton: «Nuk më duket me shumë kuptim kjo lloj jete!» Por bëjmë mirë të mbajmë parasysh diçka më tepër rreth jetës së Jezuit. Le të shqyrtojmë katër aspekte të jetës së tij.

1. JEZUI KISHTE NJË QËLLIM NË JETË—TË BËNTE VULLNETIN E PERËNDISË.

«Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi.»—Gjoni 4:34.

Si me fjalë, edhe me veprime, Jezui u përpoq të bënte vullnetin e Atit të tij qiellor, Jehovait. * Zemra i mbushej plot gëzim kur bënte vullnetin e Perëndisë. Faktikisht, këtë e krahasoi me ushqimin, siç tregohet në shkrimin e cituar më sipër. Le të shohim në ç’rrethana e bëri këtë krahasim.

Jezui i tha këto fjalë pak a shumë në mesditë. (Gjoni 4:6) Ai kishte gjithë paraditen që ecte përgjatë vendit kodrinor të Samarisë, prandaj duhej të ishte i uritur. Në fakt, dishepujt e tij iu lutën: «Rabi, ha.» (Gjoni 4:31) Me përgjigjen që dha, Jezui tregoi se ndihej vërtet i ushqyer dhe i forcuar ngaqë kryente veprën e Perëndisë. A nuk tregon kjo se jeta e këtij personi kishte vërtet kuptim?

2. JEZUI KISHTE DASHURI TË ZJARRTË PËR ATIN E TIJ.

«Unë e dua Atin.»—Gjoni 14:31.

Jezui kishte një marrëdhënie tejet të ngushtë me Atin e tij në qiell. Dashuria e thellë për Perëndinë e detyronte t’ua bënte të njohur të tjerëve Atin—emrin, qëllimet dhe cilësitë e tij. Me anë të fjalëve, veprimeve dhe qëndrimeve, Jezui e pasqyroi në mënyrë të përsosur Atin e tij, deri në atë pikë sa, te Jezui shohim një portret të gjallë të Atit të tij. Kështu, kur Filipi i kërkoi Jezuit ‘t’u tregonte Atin’, Jezui u përgjigj: «Ai që më ka parë mua, ka parë edhe Atin.»—Gjoni 14:8, 9.

Jezui e donte aq shumë Atin, sa ishte i gatshëm t’i bindej deri në vdekje. (Filipianëve 2:7, 8; 1 Gjonit 5:3) Një dashuri kaq e zjarrtë për Perëndinë i jepte shumë kuptim jetës së Jezuit.

 3. JEZUI I DONTE NJERËZIT.

«Nuk ka dashuri më të madhe se kjo: që dikush të japë shpirtin për miqtë e vet.»—Gjoni 15:13.

Shpresat tona për jetën në të ardhmen janë vërtet të zymta si njerëz të papërsosur që jemi. Bibla shpjegon: «Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu të vetëm [Adamit], dhe vdekja nëpërmjet mëkatit, ashtu edhe vdekja u përhap në të gjithë njerëzit, sepse të gjithë kishin mëkatuar.» (Romakëve 5:12) Ne vetë nuk mund t’i shmangemi pasojës së mëkatit, domethënë vdekjes.—Romakëve 6:23.

Sa mirënjohës i jemi Jehovait që me dashuri na ka siguruar një zgjidhje për situatën e njerëzimit! Ai e lejoi Jezuin, Birin e tij të përsosur e pa mëkat, të vuante e të vdiste. Kjo do të siguronte shpërblesën e nevojshme për ta çliruar njerëzimin nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Jezui, i shtyrë nga dashuria për Atin dhe për njerëzit, u bind me gatishmëri dhe e ofroi jetën e përsosur njerëzore për ne. (Romakëve 5:6-8) Kjo dashuri altruiste i dha kuptim jetës së tij. *

4. JEZUI E DINTE SE ATI I TIJ E DONTE DHE E MIRATONTE.

«Ky është Biri im, i dashuri, që e kam miratuar.»—Mateu 3:17.

Jehovai i tha këto fjalë nga qielli kur Jezui u pagëzua. Kështu, Jehovai e shprehu hapur përzemërsinë dhe dashurinë që ndiente për Birin e tij, Jezuin. Nuk habitemi pse Jezui tha me bindje: «Ati më do.» (Gjoni 10:17) Ai e dinte se Ati i tij e donte dhe e miratonte, ndaj e përballoi me guxim kundërshtimin dhe kritikat. Madje, edhe përballë vdekjes ai e ruajti ekuilibrin dhe qëndrueshmërinë emocionale. (Gjoni 10:18) Jezui e ndiente dashurinë dhe miratimin e Atit, dhe pa dyshim kjo i dha më tepër kuptim jetës së tij.

Vërtet, jeta e Jezuit kishte kuptim. Është e qartë, nga ai mësojmë shumë gjëra se si mund të bëjmë një jetë kuptimplotë. Artikulli vijues do të shqyrtojë disa këshilla të qarta për mënyrën e jetesës, të cilat Jezui ua dha dishepujve të tij.

^ par. 6 Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.

^ par. 15 Për të mësuar më shumë rreth vlerës shpërblyese të vdekjes së Jezuit, shih kapitullin 5 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.