Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE

A duhet të lutesh?

A duhet të lutesh?

«Pse duhet të lutem nëse Perëndia di gjithçka, edhe mendimet e nevojat që kam?»—mund të pyesësh. Kjo është pyetje me vend. A nuk tha Jezui se Perëndia ‘e di se për ç’gjëra ke nevojë, madje përpara se t’ia kërkosh’? (Mateu 6:8) Mbreti David i Izraelit të lashtë e kuptoi këtë. Ai shkroi: «Pa e nxjerrë ende gjuha ime fjalën, ti, o Jehova, di gjithçka.» (Psalmi 139:4) Pse atëherë duhet t’i drejtohemi Perëndisë në lutje? Për të marrë përgjigje, le të shqyrtojmë çfarë thotë Bibla për lutjet. *

«Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»Jakovi 4:8

 LUTJET NA AFROJNË ME PERËNDINË

Megjithëse Bibla thotë se Perëndia Jehova * di gjithçka, ajo na tregon gjithashtu se ai nuk interesohet thjesht të mbledhë fakte për adhuruesit e tij. (Psalmi 139:6; Romakëve 11:33) Kujtesa e tij e pakufishme nuk është si një kompjuter i pajetë që mbledh të dhëna për individë. Në fakt, Perëndisë i interesojnë jashtë mase mendimet tona më të thella, sepse ai dëshiron që t’i afrohemi më tepër atij. (Psalmi 139:23, 24; Jakovi 4:8) Ja pse Jezui i nxiti dishepujt e tij të luteshin, ndonëse Ati i di mirë nevojat tona bazë. (Mateu 6:6-8) Sa më shumë t’i ndajmë mendimet me Krijuesin tonë, aq më tepër do t’i afrohemi atij.

Ndonjëherë mund ta kemi të vështirë ta dimë saktësisht çfarë të kërkojmë në lutje. Në raste të tilla, Perëndia mund të shohë përtej ndjenjave të pashprehura dhe të përdorë njohurinë e përsosur që ka për rrethanat tona, që të na plotësojë nevojat. (Romakëve 8:26, 27; Efesianëve 3:20) Kur e kuptojmë se Perëndia ka ndërhyrë në jetën tonë, edhe në mënyra jo shumë të dukshme, kjo na afron me të.

A U PËRGJIGJET PERËNDIA TË GJITHA LUTJEVE?

Bibla na siguron se Perëndia i Plotfuqishëm u përgjigjet lutjeve të shërbëtorëve të tij besnikë, por ajo na jep edhe arsyet pse ai nuk i dëgjon disa lutje. Për shembull, njëherë, kur dhuna s’njihte kufij në Izraelin e lashtë, Perëndia e drejtoi profetin Isaia t’i thoshte popullit: «Edhe pse lutjet tuaja janë të shumta, unë nuk i dëgjoj. Duart tuaja janë tërë gjak.» (Isaia 1:15) Qartë, ata që i përbuzin ligjet e Perëndisë ose luten me motive të papërshtatshme, nuk mund të presin që Perëndia t’i dëgjojë.—Proverbat 28:9; Jakovi 4:3.

Nga ana tjetër, Bibla thotë: «Çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.» (1 Gjonit 5:14) Por, a do të thotë kjo se Perëndia do t’u plotësojë automatikisht çdo kërkesë adhuruesve të tij? Jo medoemos. Shqyrto çfarë ndodhi në rastin e apostullit Pavël, i cili iu përgjërua tri herë Perëndisë t’i hiqte «një gjemb në mish». (2 Korintasve 12:7, 8) Mbase Pavli vuante nga një problem kronik me sytë. Kushedi sa duhet ta ketë munduar kjo! Pavli kishte dhuratën e shërimit, madje kishte ringjallur një person, e megjithatë sëmundjen e vet duhej ta duronte. (Veprat 19:11, 12; 20:9, 10) Megjithëse nuk mori përgjigjet që donte për lutjet e tij, Pavli e pranoi me mirënjohje përgjigjen e Perëndisë.—2 Korintasve 12:9, 10.

«Kjo është siguria që kemi tek ai: çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.»1 Gjonit 5:14

Është e vërtetë se lutjet e disa personazheve biblike morën përgjigje me anë të mrekullive. (2 Mbretërve 20:1-7) Por këto përgjigje nuk ishin të zakonshme, madje as në kohët biblike. Disa besimtarë trishtoheshin kur dukej se Perëndia nuk u ishte përgjigjur lutjeve të tyre. Mbreti David pyeti: «O Jehova, deri kur do të më lësh në harresë? Përgjithmonë?» (Psalmi 13:1) Por, kur e kuptoi sa shpesh e kishte shpëtuar Jehovai, Davidi, ky burrë besnik, tregoi sërish se kishte besim tek Ai. Në të njëjtën lutje, Davidi shtoi: «Por unë kam besim te dashamirësia jote.» (Psalmi 13:5) Ashtu si Davidit, edhe adhuruesve të Perëndisë sot mund t’u duhet të ngulmojnë në lutje derisa të shohin se ai u është përgjigjur kërkesave të tyre.—Romakëve 12:12.

 SI U PËRGJIGJET PERËNDIA LUTJEVE?

Perëndia u përgjigjet nevojave tona të vërteta.

Prindërit e dashur me të drejtë nuk u japin gjithmonë fëmijëve çfarë kërkojnë dhe kur e kërkojnë. Po ashtu, Perëndia mund të mos u përgjigjet kërkesave tona në mënyrën e duhur sipas nesh ose në momentin kur e presim. Por mund të jemi të sigurt se Krijuesi ynë, ashtu si një atë i dashur, do t’u përgjigjet nevojave tona të vërteta në kohën e duhur dhe në mënyrën e duhur.—Luka 11:11-13.

Perëndia mund t’i përgjigjet nëpërmjet faqeve të Biblës një përgjërimi për ndihmë

Perëndia mund të përgjigjet në mënyra jo shumë të dukshme.

Po nëse lutemi që të çlirohemi nga ndonjë problem i vazhdueshëm? A duhet të nxjerrim përfundimin se Jehovai nuk na është përgjigjur fare, ngaqë nuk kemi parë ndonjë mrekulli? Përkundrazi, do të ishte mirë të mendonim nëse Perëndia na ka mbështetur në mënyra të tjera jo shumë të dukshme. Për shembull, ndoshta një mik i dashur bëri gjithë sa mundi për të na ndihmuar pikërisht në kohën e duhur. (Proverbat 17:17) A mund ta ketë nxitur Jehovai atë mik të merakosur që të na ndihmonte? Përveç kësaj, Perëndia mund t’i përgjigjet nëpërmjet faqeve të Biblës një përgjërimi për ndihmë. Ajo mund të na japë mençurinë e nevojshme për të përballuar një situatë të vështirë.—2 Timoteut 3:16, 17.

Perëndia mund të përdorë një mik të dashur që të na ndihmojë pikërisht në kohën e duhur

Në vend që t’ua heqë problemin, shpesh Perëndia u jep shërbëtorëve të tij forcën e nevojshme për ta përballuar. (2 Korintasve 4:7) Për shembull, kur Jezui iu përgjërua Atit që t’i hiqte një mundim, ngaqë kishte frikë se mos kjo do t’i sillte sharje emrit të Perëndisë, Jehovai dërgoi një engjëll për ta forcuar Birin e tij. (Luka 22:42, 43) Në mënyrë të ngjashme, Perëndia mund të përdorë një mik të ngushtë që të na thotë një fjalë inkurajuese atëherë kur e kemi më se të nevojshme. (Proverbat 12:25) Meqenëse kjo lloj përgjigjeje nuk është shumë e dukshme, duhet të jemi më syçelë për të kuptuar si u përgjigjet Perëndia lutjeve tona.

Disa përgjigje duhet të presin kohën e duhur sipas Perëndisë.

Bibla thotë se Perëndia i Plotfuqishëm u tregon pëlqimin e tij personave të përulur «në kohën e duhur». (1 Pjetrit 5:6) Prandaj, nëse duket se përgjigjja ndaj kërkesave tona të sinqerta po vonon, nuk duhet ta shohim këtë si mosinteresim nga ana e Jehovait. Përkundrazi, Krijuesi ynë i dashur i sheh gjërat nga një këndvështrim tepër i lartë, prandaj s’kemi dyshim se ai i vlerëson kërkesat tona sipas asaj që i duket më e mira për ne.

«Përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur.»1 Pjetrit 5:6

Ta ilustrojmë: imagjino sikur ke një djalë, i cili të kërkon një biçikletë. A do t’ia plotësosh menjëherë kërkesën? Nëse mendon se ai nuk është ende i përgjegjshëm për të ngarë një biçikletë, mbase vendos t’ia blesh më vonë. Megjithatë, me kalimin e kohës ndoshta ia plotëson kërkesën kur e di se kjo është në të mirën e tij. Në mënyrë të ngjashme, Perëndia mund të na japë «çfarë [na] do zemra» në kohën e duhur, nëse vazhdojmë të lutemi.—Psalmi 37:4.

JI I SIGURT SE JEHOVAI TË DËGJON

Bibla i nxit të krishterët e vërtetë të jenë gjithmonë të sigurt se lutja ka vlerë. «Kollaj ta thuash, por jo ta bësh»,—mund të thonë disa. Është e vërtetë, nëse po përjetojmë një problem të vazhdueshëm ose ndonjë lloj padrejtësie, mund ta kemi të vështirë të presim përgjigjen e Perëndisë. Megjithatë,  bëjmë mirë të mos harrojmë çfarë mësoi Jezui për ngulmimin në lutje.

Jezui tha ilustrimin për një vejushë nevojtare që shkonte vazhdimisht te një gjykatës i padrejtë dhe kërkonte drejtësi. (Luka 18:1-3) Megjithëse gjykatësi në fillim nuk pranoi ta ndihmonte, në fund tha me vete: «Do t’ia jap të drejtën që i takon, që të mos vazhdojë të vijë e të ma plasë shpirtin fare.» (Luka 18:4, 5) Sipas tekstit në gjuhën origjinale, gjykatësi i kushtoi vëmendje vejushës, që ajo «të mos e godiste poshtë syrit» ose me fjalë të tjera, «t’i prishte reputacionin». * Nëse edhe një gjykatës i padrejtë e ndihmon një vejushë të varfër, nga frika se mos i prishet reputacioni, aq më shumë do t’u sigurojë drejtësi Perëndia ynë i dashur atyre «që i thërrasin ditë e natë për ndihmë». Siç tha Jezui, këtë Perëndia «do ta bëjë, madje edhe shpejt».—Luka 18:6-8.

«Vazhdoni të kërkoni dhe do t’ju jepet.»Luka 11:9

Edhe pse ndonjëherë mund të lodhemi duke kërkuar ndihmën ose pëlqimin e Perëndisë, nuk duhet të dorëzohemi. Kur ngulmojmë në lutje, tregojmë se duam vërtet ta shohim dorën e Perëndisë në jetën tonë. Gjithashtu, mësojmë t’i kuptojmë përgjigjet që u jep Perëndia kërkesave tona dhe, si pasojë, i afrohemi atij. Po, mund të jemi të sigurt se Jehovai do t’u përgjigjet lutjeve tona të përshtatshme nëse vazhdojmë të lutemi me besim!—Luka 11:9.

^ par. 3 Nëse duam që Perëndia të na i dëgjojë lutjet, duhet të përpiqemi seriozisht t’u përmbahemi kërkesave të tij. Kur veprojmë kështu, atëherë mund të përjetojmë fuqinë e lutjes, siç tregohet në këtë artikull. Për më shumë informacion, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitullin 17, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait

^ par. 5 Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet në Bibël.

^ par. 22 Në kohët biblike, Perëndia priste që gjykatësit në Izrael të tregonin konsideratë të veçantë për vejushat dhe jetimët.—Ligji i përtërirë 1:16, 17; 24:17; Psalmi 68:5.