TEMA KRYESORE | PSE U NDODHIN TË KËQIJA NJERËZVE TË MIRË?
E keqja është përhapur shumë!
Smita, * një 35-vjeçare nga Daka, Bangladesh, njihej si grua e dashur dhe e përzemërt. Ishte punëtore dhe bashkëshorte e lumtur, dhe donte t’u mësonte të tjerëve gjërat që ajo vetë kishte mësuar për Perëndinë. Familja dhe miqtë e saj u tronditën tej mase kur papritur ajo u sëmur dhe vdiq brenda një jave.
Xhejmsi dhe e shoqja, një çift në të 30-at, kishin një reputacion si të Smitës. Në një periudhë pranverore, shkuan të takonin miqtë në Bregun Perëndimor të Shteteve të Bashkuara. Ata nuk u kthyen më kurrë në shtëpinë e tyre në Nju-Jork. Rrugës, bënë një aksident automobilistik me pasoja fatale, duke lënë një boshllëk të madh në jetën e të afërmve dhe të kolegëve të tyre.
Nuk ke pse të shkosh larg për të parë se ligësia dhe vuajtjet janë përhapur shumë sot. Luftërat vrasin si civilë, edhe ushtarë. Viktima të krimeve dhe të dhunës janë edhe të pafajshmit. Aksidentet vdekjeprurëse dhe sëmundjet ligështuese prekin këdo, pavarësisht nga mosha ose pozita. Katastrofat natyrore fshijnë nga faqja e dheut komunitete të tëra pa bërë fare dallime. Paragjykimet dhe padrejtësitë kanë marrë dhenë. Ndoshta edhe ti vetë ke vuajtur.
Është më se e natyrshme të bëjmë pyetje të tilla, si:
Pse u ndodhin të këqija njerëzve të mirë?
A e ka fajin Perëndia?
A ndodhin rastësisht fatkeqësitë, apo vijnë nga dora e njeriut?
Mos është karma, domethënë pasojat e veprimeve në një jetë të mëparshme, që shkakton vuajtje sot?
Nëse ka një Perëndi të plotfuqishëm, pse nuk i mbron njerëzit e mirë nga e keqja?
A do të vijë një kohë kur nuk do të ketë më ligësi dhe vuajtje?
Për të marrë përgjigjet e këtyre pyetjeve, ka dy gjëra që duhet të kuptojmë: pse na ndodhin të këqija, dhe çfarë do të bëjë Perëndia?
^ par. 3 Emrat janë ndryshuar.