LEXUESIT PYESIN . . .
Kush e ka bërë Zotin?
Përfytyro një baba që po flet me djalin e tij shtatëvjeçar. Ai i thotë: «Shumë, shumë kohë më parë Zoti bëri tokën dhe gjithçka në të, bëri diellin, hënën dhe yjet.» Djali mendohet për një çast dhe pastaj e pyet: «Babi, po Zotin kush e ka bërë?»
«Zotin s’e ka bërë askush,—i përgjigjet i ati.—Ai ka ekzistuar gjithmonë.» Ky pohim i thjeshtë e kënaq djalin për momentin. Por ndërsa rritet, kjo pyetje vazhdon t’i ngjallë kureshtje. E ka të vështirë ta kuptojë si është e mundur që dikush nuk ka një fillim. Madje, edhe universi e ka një fillim. Ai pyet veten: «Nga erdhi Zoti?»
Si përgjigjet Bibla? Pak a shumë në të njëjtën mënyrë si u përgjigj edhe babai në shembullin më sipër. Moisiu shkroi: «O Jehova, . . . para se të lindnin malet, para se të sillje në jetë si me dhembje lindjeje tokën dhe vendin, mot e jetë, ti je Perëndi.» (Psalmi 90:1, 2) Po ashtu, profeti Isaia u shpreh: «Nuk e keni marrë vesh? Nuk e keni dëgjuar? Jehovai, Krijuesi i skajeve të tokës, është Perëndi i përjetshëm.» (Isaia 40:28) Po ashtu, letra e Judës thotë se Perëndia ka ekzistuar «në gjithë përjetësinë e kaluar».—Juda 25.
Këto shkrime na tregojnë se Zoti është ‘Mbreti i përjetësisë’, siç e përshkruan edhe apostulli Pavël. (1 Timoteut 1:17) Kjo nënkupton se Zoti ka ekzistuar gjithmonë, sado mbrapa të kthehemi në kohë. Dhe ai do të ekzistojë gjithmonë në të ardhmen. (Zbulesa 1:8) Kështu, përjetësia është një veçori themelore e të Plotfuqishmit.
Pse e kemi të vështirë ta kuptojmë këtë ide? Sepse jetëgjatësia jonë e kufizuar na jep një koncept të kohës krejt ndryshe nga ai i Jehovait. Duke qenë se Zoti është i përjetshëm, për të një mijë vjet janë si një ditë. (2 Pjetrit 3:8) Ta ilustrojmë: a mundet një karkalec i rritur, i cili jeton vetëm rreth 50 ditë, të kuptojë jetëgjatësinë e njeriut prej 70 ose 80 vjetësh? Vështirë! Megjithatë, Bibla shpjegon se ne jemi si karkalecat në krahasim me Krijuesin tonë të Madh. Madje, edhe aftësia jonë për të arsyetuar as që krahasohet me aftësinë e tij. (Isaia 40:22; 55:8, 9) Prandaj, s’habitemi që mendja njerëzore nuk i rrok dot plotësisht disa aspekte të natyrës së Jehovait.
Edhe pse koncepti i përjetësisë së Zotit mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar, siç e shohim, ai është i logjikshëm. Nëse Zotin do ta kishte krijuar dikush tjetër, ai person do të ishte Krijuesi. Por, ashtu siç e shpjegon edhe Bibla, Jehovai është ai që ‘krijoi gjithçka’. (Zbulesa 4:11) Për më tepër, e dimë se dikur universi nuk ekzistonte. (Zanafilla 1:1, 2) Nga erdhi? Së pari duhej të ekzistonte Krijuesi i tij. Gjithashtu, ai ka qenë para se të ekzistonte ndonjë qenie inteligjente, si Biri i tij i vetëmlindur dhe engjëjt. (Jobi 38:4, 7; Kolosianëve 1:15) Pra, si fillim ai ka ekzistuar i vetëm. Ai nuk mund të jetë krijuar. Asgjë nuk ekzistonte që të mund ta kishte krijuar.
Vetë ekzistenca jonë dhe ajo e gjithë universit dëshmon për ekzistencën e një Zoti të përjetshëm. Ai që vuri në lëvizje universin e paanë, ai që vuri ligjet për ta kontrolluar atë, duhet të ketë ekzistuar gjithmonë. Vetëm ai mund t’i ketë dhënë jetë çdo gjëje tjetër.—Jobi 33:4.